Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Gëzuar me birrën Puka, birrën e aventurës!

Gëzuar me birrën Puka, birrën e aventurës!

Nga Dritare.net

Ai është ndër të paktët njerëz që guxoi të ngjiste majën e lartë të Everestit, shoqëruar nga djali i tij, Mateo, asokohe 19 vjeç. Dhe me flamurin kuq e zi, bëri krenar një komb të tërë. Bëhet fjalë pikërisht, për Xhim Begenë, i cili është marrë që në vegjëli me alpinizmin deri sot që nuk bën dot më pa të.

Por, Dritare.net ka zbuluar një tjetër anë të tij, që ndoshta pak prej jush e njohin. Ai është krijuesi i birrës Puka.

[caption id="attachment_302128" align="alignnone" width="960"] Xhim Begeja[/caption]

Kur e pyes se përse një djalë nga Tirana, zgjodhi të investojë në Pukë, ma përmbledh me një shprehje të vjetër greke. ‘Aty ku ka tokë të begatë, ujë të mirë, e ajër të pastër, aty edhe njerëzit bëhen të mirë.’

“Nisi e gjitha si një ide mes miqëve, për të zhvilluar turizmin në Pukë, ne merrnim turistë të huaj dhe i shëtisnim në qytet, duke qenë se ne ishim profesionistë. Aq shumë u përfshiva me këtë qytet, saqë më lindi ideja e krijimit të birrës. Kjo gjë u paragjykua shumë në atë kohë, edhe fisi im më thoshte ‘po ti çdo që investon në Pukë’. Por, unë duke parë potancialin e atij vendi, isha i sigurt që do të prodhoja një birrë shumë të mirë,”-rrëfen për Dritare.net Xhim Begeja.

Ju që e keni provuar birrën Puka, me siguri që e njihni edhe logon e veçantë që e shoqëron, e cila është krijuar prej Bland Ashikut. E cila veç gotës së birrës, shfaqet edhe si një malësor, me flokët e bardha dhe qeleshen mbi kokë, me mustaqet mbuluar nga shkuma e birrës dhe i ngazëllyer teksa shijon birrën Puka.

53 vjeçari, thotë për Dritare.net se qëllimi i tij është të përhapë prodhimin artizanal të birrës. Pasi përveç se ka shijen më të mirë, është edhe e shëndetshme. Aq sa edhe ambasadorët e huaj në Shqipëri, nuk rrijnë dot, pa e pirë birrën Puka.

“Ka ambasadorë që vijnë posaçërisht në Pukë, për të pirë birrën që unë prodhoj. Birra është një prej pijeve të preferuara nga gjithë sportistët e aventurës. Pasi, kjo pije është edhe e shëndetshme për organizmin e njeriut, nëse bëhet siç duhet. Ndaj edhe unë dua që të fus një kulturë tjetër, birrën artizanale dhe jo industriale. Pa i futur konservantë të ndryshëm, por të jenë të mira edhe për shëndetin. Ky është qëllimi im, ndaj edhe birrarinë e kam lënë artizanale, me një teknologji hungareze, e cila daton në fund të viteve ’90.”

Që të kuptonte se çfarë ishte birra, e ndihmoi një projekt nga Ambasada Hungareze, i para disa viteve. I cili konsistonte në trajnimin nga specialistë hungarezë të birrës. Begeja thotë për Dritare.net, se sekreti qëndron në fantazinë, siç edhe ai e cilëson –duhet të shfrenohesh në kombinimet mes lëndëve të para si malto dhe lupulos, si dhe të tjera produkte të veçanta që janë sekretet tona, që i bëhen birrës- vetëm kështu mund të prodhosh një birrë të shijshme dhe cilësore.

“Birra është një shkencë dhe ti duhet të bësh sa më shumë kombinime. Ne marrim malton, të cilën e bluajmë dhe më pas e fusim në dy kazanë, i pari është përzierësi dhe i dyti është ai që e zien. Procesi zgjat nga 12-15 orë, në temperatura dhe kohë të ndryshme. Birra që prodhoj unë, është me fermentim të jashtëm. Më pas bëhet procesi shkëmbyes, ku në një moment të shkurtër, për afro 8 minuta, rreth 700 litra kthehen nga 96 gradë C, në 8 gradë C. I hidhen lupulos aromatike, e cila është një bimë e veçantë që jep edhe atë shijen pak të hidhur. Pra, birra përbëhet nga 3 elementë kryesorë, malto, maja birre dhe humulus lupulus. Më pas me birrën mund të fantazosh, e të shtosh elemente të tjera. Ndaj edhe shija apo ngjyra e birrës sime, ndryshon shpesh.

Birra Puka bëhet nga dy veta, kam një teknolog të shkëlqyer, Hali Cina, si edhe një ndihmës. Pasi unë nuk prodhoj sasi të mëdha dhe në një mesatare vjetore, nxjerr 300 litra në ditë. Dhe ato i shpërndaj në rreth 20 dyqane në të gjithë Shqipërinë. Në Tiranë, birrën Puka, e gjejnë edhe në restorante si Serendiville, te RockStock, te Spaghetti Western, e shumë të tjera. Ajo nuk gjendet në supermarkete apo dyqane të ndryshme, pasi edhe shërbimi duhet të jetë në kushte artizanale.”

Si problematikë kryesore, Begeja, konsideron cilësinë e birrës në Shqipëri, pasi ky duhet të jetë edhe elementi kryesor i konkurrencës. Si edhe jo mbështetjen e duhur nga shteti.

“Kemi të paktën 5 kompani të mëdha të prodhimit të birrës, të cilat prodhojnë të paktën 40 mijë litra birrë në ditë. Por, të prodhosh kaq shumë, e të jesh një popull i vogël, do të thotë që një pjesë të konsiderueshme të birrës e konservon. Dhe me kalimin e ditëve, asaj fillon edhe i bie cilësia. Ndaj birra duhet të konkurrojë më cilësinë. Në Shqipëri, unë e kam çmimin më të lartë në treg, por është diçka e cila më përligj, cilësinë.

Ne taksohemi njësoj si kompanitë e mëdha, një tjetër problem është akciza ndaj alkoolit, sa më e lartë të jetë, aq më e madhe është akciza. Çfarë bëjnë prodhuesit?! Ulin sasinë e alkoolit. Në Belgjikë, minimalja është 6%, ndërkohë në Shqipëri qëndron nën 4%. Në këtë mënyrë njerëzit shkojnë edhe marrin një tjetër birrë, për të përfituar atë efektin e alkoolit. Por, nëse ai do të pinte një birrë me më shumë se 5% alkool, do të ishte shumë më e shëndetshme”,-tregon 53 vjeçari për Dritare.net.

Sipas Begejës, Shqipëria renditet në vendet që e pëlqejnë birrën. Ai shton se është shumë e rëndësishme që kjo pije, është përqafuar edhe nga vajzat.

Të cilat kanë filluar ta konsumojnë gjatë përditshmërisë së tyre, për të bërë gëzuar me birrën Puka, ose siç njihet ndryshe, birra e aventurës./Dritare.net