
Kardiologu i njohur, Prof. Anesti Kondili, në një intervistë për DritareTV, ngriti alarmin për shtimin e sëmundjeve të zemrës dhe uljen shqetësuese të moshës së personave që pësojnë infarkt.
Sipas tij, sulmi në zemër nuk është më një problem që prek vetëm të moshuarit. Sot, në spitale paraqiten gjithnjë e më shumë pacientë në të 30-at dhe 40-at, ndërsa raste të rënda janë regjistruar edhe në mosha më të reja.
Në themel të shumicës së këtyre sëmundjeve qëndron ateroskleroza, një proces i heshtur gjatë të cilit kolesteroli grumbullohet në muret e arterieve. Me kalimin e kohës, krijohen pllaka që ngushtojnë enët e gjakut dhe pengojnë furnizimin e zemrës me oksigjen. Kur njëra prej tyre çahet dhe bllokon plotësisht arterien, shkaktohet infarkti.
Prof. Kondili renditi duhanin, tensionin e lartë, diabetin, kolesterolin, obezitetin, mungesën e aktivitetit fizik dhe stresin mes faktorëve kryesorë të rrezikut. Ai theksoi se diabeti po kthehet në një epidemi dhe po haset sot te një pjesë shumë më e madhe e pacientëve me infarkt.
Një tjetër shqetësim është mënyra e ushqyerjes së fëmijëve dhe të rinjve. Konsumi i shpeshtë i ushqimeve fast food, yndyrave shtazore, brumërave dhe ëmbëlsirave, i kombinuar me qëndrimin për orë të gjata përpara ekraneve, po krijon kushtet që dëmtimi i arterieve të nisë që në moshë të vogël.
Kardiologu këshillon rikthimin te dieta mesdhetare, me më shumë perime, fruta, vaj ulliri dhe ushqime të freskëta, si dhe ecjen e përditshme. Kontrollet mjekësore, veçanërisht pas moshës 40-vjeçare, janë të domosdoshme për të matur tensionin, sheqerin dhe yndyrat në gjak përpara se sëmundja të japë shenja.
Prof. Kondili paralajmëroi gjithashtu qytetarët të mos vetëdiagnostikohen përmes ChatGPT-së apo platformave të tjera të inteligjencës artificiale. Sipas tij, teknologjia mund të ndihmojë në orientim, por nuk mund të zëvendësojë vizitën, analizat dhe gjykimin klinik të mjekut.
Sëmundjet e zemrës mund të zhvillohen për vite pa simptoma, ndaj parandalimi duhet të nisë shumë përpara shfaqjes së dhimbjes në gjoks. Ndryshimi i mënyrës së ushqyerjes, aktiviteti fizik, lënia e duhanit dhe kontrollet periodike mund të shpëtojnë jetë./E.P/-dritare.net