Fake news/ A na duhen gazetarët që e bëjnë qimen tra?

Nga Fjorda Llukmani

Sa herë gjendem në grupe shoqërore të reja dhe u them që jam gazetare, dëgjoj disa pasthirrma e komente negative. “Ju na kënaqët me ato që nxirrni, e trembët miletin i nxorët njerëzit jashtë kur ishte tërmeti”-më tha njëri. Ndëkohë në një tjetër takim dikush më thotë: “I kam shumë inat gazetarët. Se keni filluar shpikni ca lajme e ju ka humbur fare vërtetësia në treg.”

Kur dëgjoj komente të tilla më vjen të plas. Ata që shkruajnë nëpër portale jo domosdo janë gazetarë. Plus shpeshherë janë të detyruar të shkruajnë çfarë u kërkohet nga eprorët për të marrë sa më shumë klikime. Në fillimet e karrierës sime kam bërë një gafë që më ka mbetur në mendje, e ja ku po e them këtu për herë të parë. Punoja pa rrogë në një portal goxha të famshëm asokohe. Ditën e shtunë s’para ka lajme e interesi i njerëzve humbet. Prandaj që të merren disa klikime duhet gjetur një titull apo skup interesant.

Shefi i redaksisë shkruan në grupin e punës: “Çfarë ka ndonjë lajm interesant që u bë kohë pa folur për të që ta nxjerrim sot se s’jemi mirë me klikimet. Keni dëgjuar gjë për lidhjen që ka patur Elvana Gjata me Getoarin? Mbase e sajoni ndonjë skup për këta të dy.” Unë isha në turn e më ra lapsi i sajesës së momentit. Është folur dikur që Elvana me Getoarin kanë patur një lidhje së bashku, por para shumë vitesh kur portalet nuk ishin aq të fuqishme. Në Google gjeta një foto të Getoarit duke patur në prehër një vajzë e cila dukej fiks si Elvana, por në të vërtetë nuk ishte ajo.

 Titulli i skupit tim ishte: “Çfarë ka ndodhur midis Elvana Gjatës dhe Getoarit?” Plasi nami në portale pas asaj që shkrova. Lajmi bëri bujë e u publikua gjithandej e gjitha kjo një fake news me brirë. Të nesërmen një gazetare me emër shkroi se ishte shpifje megjithatë kush e vuri ujin në zjarr për sa kohë s’ka ligje. Dy ditë më pas na shkruan përfaqësuesi juridik i “Three Dots” duke na thënë se nëse nuk e fshinim lajmin do të hidheshim në gjyq përshpifje. Shefi im si rrallë ndonjëherë u detyrua ta fshinte për t’u shpëtuar proceseve gjyqësore.

Mirë ky lajmi me Elvanën edhe VIP-a të tillë që s’dëmton njeri përvec disa thashethemeve lart e poshtë, por imagjino kur bëhen lojra me jetë njerëzish. Me sa tru “Jeta Osh Qef” shkon e publikon atëherë që në morgun e Tiranës janë më shumë njerëz se sa tregohen nëpër lajme? Tromaksën gjithë dynjanë.

LEXO DHE :  Vrau familjen, policia konfirmon se trajtohej me psikolog

Këtyre lloj pisëlliqeve, se as media s’mund t’i quaj, jo vetëm t’i mbyllin por t’u vendosin gjoba që mos ta ngrenë kokën më. Jam shumë dakort të shkruhen e të publikohen gjëra të vërteta, ore bjerini qeverisë sa të doni, por mos luani me ndjenja njerëzish. Keni shpërdoruar besimin e publikut. Më vjen keq sesi ju besojnë akoma lexuesit e shkretë. Në fund të fundit s’kanë ç’bëjnë se mënyra e vetme e marrjes së informacionit kjo është.

Nësë ky ligji i famshëm i antishpifjes do të funksionojë me të vërtetë, do më bëhet qejfi shumë. Ama uroj që mos ta hanë gazeta si Reporteri.al e të tjera që prodhojnë lajme të sakta investigative që duhen besuar. Kurse ju që punoni nëpër portale e shkruani të tilla shpifje, mos t’ju gënjejë mendja se jeni gazetarë.

Kur bëja internshipin tek Agjencia e BE-së për të Drejtat e Njeriut, këtu në Vjenë, duke qenë se punoja në departamentin e komunikimit, kisha lidhje me gazetarët dhe media të ndryshme. Njëra prej kolegeve të mia kishte punuar reportere e gazetare në Spanjë prej vitesh. Tek më mësonte punën ndër të tjera më tregonte disa faqe në internet që Bashkimi Evropian i referohej për faktimin e lajmeve të rreme. Unë e shkreta kisha studiuar 3 vjet gazetari, e dy vjet master e s’ia kisha haberin që ekzistonte një faqe e tillë. Aty klikoje disa fjalë kryesore e të dilte nëse lajmi ishte i rremë apo i vërtetë. Nëse doni mund t’i hidhni një sy https://eufactcheck.eu/. Kjo ishte vetëm një prej websiteve, pasi përdorja dhe shumë të tjera. Sa herë që merrnim ftesa nga gazetarë për të intervistuar dikë nga ekspertët tanë, më duhet të bëja kërkime për të nëse ishte i besuar apo jo.

Vras mendjen kur do të na vijë radha ne për të krijuar portale të tilla. Deri atëherë më vjen keq të uroj që publiku mos të besojë çdo gjë që lexon. Kjo i humbet vlerën gazetarit, që sipas librave quhet si pushteti i katërt. A na duhen më gazetarët? Nëse vazhdojmë ta bëjmë qimen tra, dyshoj që publiku i thjeshtë do të  përgjigjej: JO!/dritare.net

Për t’u bërë pjesë e grupit "Dritare.net" mjafton të klikoni: JOIN GROUP

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.