Expo në Australi/ Piktorit shqiptar Adrian Çene, i shiten të gjitha veprat!
Dritare.net
Çene nuk e pëlqen publicitetin, ai pëlqen vetëm të pikturojë.
Tani është në Pogradec dhe ndërsa ai është përfshirë i gjithi në telajot ku derdhet në liqen, në Sidney po shiten gjithë veprat e tij, në një ekspozitë kolektive, ku përfaqësohen piktorët më në zë të momentit.
Ekspozita u çel të mërkurën, ajo quhet "Genius Loci" dhe u hap në "Stanley Street Gallery" të Sydney të Australisë. Ekspozita u çel më datë 4 dhe do të zgjasë deri më 14 shtator.
Kjo ekspozitë u kurua nga Amber Creswell Bell, një emër i njohur në botën e kuratorëve, e cila shprehet se, piktori shqiptar është një nga më të talentuarit dhe përfaqësuesi më i spikatur i piktorëve bashkëkohorë shqiptarë.
"Adrian Çene është një nga piktorët më të talentuar dhe përfaqësues i piktorëve bashkëkohorë shqiptarë. Ai godet publikun me një stil imponues shumë personal, duke përdorur forma të theksuara, shprehëse dhe paleta ngjyrash. Duke mbetur në të njëjtën kohë optimist, Çene pikturon sikur dëshiron të japë zgjidhje për tranzicionin shumë të vështirë dhe agresiv shqiptar, pas rënies së komunizmit. Arti i tij ka efekt të drejtpërdrejtë në arritjen e suksesit dhe bindjes në dhënien e këtij mesazhi pozitiv, duke mos humbur kurrë qasjen e tij të fuqishme.",- shkruan kuratorja Amber Creswell Bell, informon dritare.net
Për ekspozitën dhe konceptin e saj ka shkruar edhe revista më e madhe e artit në Australi dhe Zelandën e Re "Art Collector".
Revista shkruan: "Genius Loci është një koncept latin, i cili përkthehet në "karakterin mbizotërues ose atmosferën e një vendi". Në një kontekst bashkëkohor, është një parim udhëheqës në arkitekturën dhe dizajnimin e kopshteve dhe për këtë shfaqje në grup kuruar nga Amber Creswell Bell, koncepti ekzaminohet nga artistë. Duke përdorur gjysmën e bojës, ky grup prej nëntë artistësh do të tërhiqet në magjinë dhe misterin e atmosferës, pasi lidhet me zhanrin e jetës, si dhe duke shtrirë pikëpamje në ambiente të brendshme dhe peizazhe.
Artistët që ekspozuan veprat e tyre janë: Adrian Çene, Dylan Jones, Jane-Frances Tannock, Lilli Stromland, Lucy Roleff, Nadja Kabriel, Sam Field, Stef Tarasov dhe Sue Tesoriero."
Ndërsa Çene vazhdon të punojë në Pogradec, sepse menjëherë pas kësaj paraqitjeje, erdhi kërkesa për një tjetër expo në Sidney, këtë herë personale./ dritare.net