Erseka, panairi dhe rrënjët e Artan Lames

Nga Dritan Hila

Rruga për në Ersekë ka mbetur ajo që është. Derisa mbarojnë fshatrat e Korçës është rruga e re, dhe më pas vazhdon ajo e vjetra që daton që në kohë të Italisë.

Fshatrat e vendosura në këmbët e Gramozit me një copë pyll mbi kokë ka secili një histori të vetën. Çdonjeri ka nxjerrë të paktën një emër që shqiptarët e njohin ose si rilindas ose shtetar të periudhës së pavarësisë. Dhe kjo vlen për të gjithë rrethin edhe nëse shkon në drejtim të Përmetit.

Torturën e rrugës me gropa e kompenson pamja e natyrës. Male dhe pllaja të mbushura nga gjelbërimi dhe rezervuarët natyrorë apo përrenjtë që bëjnë lumenj në dimër. Popullsia ka pësuar ndjeshëm rënie pas ‘90-ës. Një pjesë janë larguar dhe vendosur Greqi, kurse për të tjerët fqinji ka shërbyer si trampolinë për të shkuar edhe më larg. Të tillë janë edhe fëmijët e të zotit të shtëpisë ku bujtëm, Gest House Stena.

Djali i Refatit, kishte ikur në Angli që para 18 vitesh. Kishte marrë edhe motrën dhe të dy kishin krijuar familjet e tyre. Por nuk kishin harruar prindërit. Kishin nisur para dhe me ato kishin rregulluar shtëpinë, shtuar atë, dhe kthyer në hotel. Hotel i thënçin pasi luksi dhe pastërtia ishte me 5 yje. Pastaj mëngjesi ishte si tavolinë perëndish ku thyehej nga petullat, byreku, reçelrat, djathi, gjalpi, mjalti, vezët dhe gjithçka ishte me aromën e dikurshme.

Çmimi? Më mirë mos ta them. Ngjan se më shumë se për biznes, e kishin hapur hotelin që t’iu hynin e dilnin njerëz dhe nxirrnin mallin e dy mbesave dhe nipit, fotot e të cilëve të vështronin nga oxhaku.

Por jo vetëm në aromën e ushqimeve. Në Ersekë dukët se koha kam mbetur në vend në çdo aspekt. Pallatet ruajmë distancat. Pavarësisht se me shëmtinë e arkitekturës sovjetike, lulet në dritare e ballkone, mungesa e shtesave dhe lulishtet mes tyre; trotuaret e gjerë dhe pemët në rrugë, bashkë, japin idenë e një vendi klimaterik.

Kolonjarët ende qanin Arben Malon, kryetarin e ndjerë të bashkisë i cili u nda nga jeta më mënyrë të papritur para disa vitesh. Vepër e tij janë restaurimi i sheshit qendror. Por iku pa ja dalë të sjellë për ersekasit ujin. Qyteti mes ujërave vuan për një ujësjellës. Depozitë e votave të majta ku mund të vësh çdo idiot apo hajdute si kandidaturë të PS dhe fiton, rrethi nuk ka qenë kurrë prioritet i investimeve të majta. Shto këtu edhe konkurrencën e Korçës ku drejtuesit e fqinjit me emër e kanë bllokuar fluksin e turistëve drejt juglindjes klasike që është Erseka, Leskoviku dhe Përmeti.

Gjithsesi me heqjen e Niko Peleshit nga qeveria, presioni duket se ka rënë dhe kolonjarët kanë filluar dhe prekin turizmin. Këtë e pamë edhe tek hotelet që ishin shtuar. Nëse dikur ishte vetëm Hotel Inxhujo (i vetmi që kishte standardet për hotel), tashmë ishin bërë disa.

Ky fluks turistësh na bëri që mos flinim tek mikesha jonë e vjetër, Luli, pronare e Inxhujos, dhe të zbulonim hotelet e tjera.

Për më shumë Luli ishte e zënë me përgatitjet e panairit ku u prezantoi gatimet e saj e veshur me kostum popullor.

Panairi ishte risia e Ersekës. Me gamë prodhimesh gjithë shije dhe aromë, juglindja shqiptare është rezervati i fundit i shijes. Prodhimet e agroturizmit Sofra Kolonjare, bulmetrat e baxhos së Radanjit, pijet e kantinës “Ludhi Miçi”, ende vijë aromë premodernizëm.

Erion Isai, kryetar i ri i bashkisë dhe ish-aktor i varietesë humoristike “ Portokalli” në TCH shkaktoi debate dhe të qeshura kur u caktua si kandidat nga Rama. Sigurisht që kandidatura e tij do të fitonte jo vetëm për faktin si i zhvilluan zgjedhjet e 30 qershorit, por edhe sepse Erseka është i vetmi rreth që ka votuar historikisht majtas.

Skepticizmi ndaj tij është ende i justifikuar. Por lëvizja e tij duke organizuar për herë të parë Panairin e Ersekës është një goditje rezultative për të marketuar prodhimin vendas.

E natyrshme që pjesëmarrja ishte modeste, por kurioziteti ishte i madh. Investimi i tij kishte bërë që të shkonin disa TV dhe emra të pushtetit dhe medias.

LEXO DHE :  Grida Duma: Duhen protesta radikale dhe konstruktive!

Panairi ishte një eveniment për vendasit por dhe një rast për tu njohur me një qytet i cili nuk fillon me komunizmin. Këtë ta tregonte muzeumi. Fotot e Sali Butkës, Spiro Ballkamenit, Themistokli Gërmenjit të shikonin dhe tregonin se kjo zonë ka nxjerrë burra të pushkës; por edhe të penës si Papa Kristo Negovani, Jani Vreto dhe arritur tek Fan Noli. Fatkeqësisht mungonin ato të Petrit Dumes, Muhamet Prodanit, komandantë të formacioneve të mëdha partizane, djep i të cilave ishte krahina, apo figura të rangut të dytë që kjo zonë i ka pasur me shumicë.

Dhe historia në foto ishte dokumentuar falë një Marubi vendas. Quhej Dhimitër Vangjeli

Fotoja e tij të shikonte nga hyrja e muzeut të Ersekës.

Dhimitri nuk ishte vetëm fotograf. Në një vend të vogël edhe sot e kësaj dite, ky profesion nuk të mban me bukë. Por kishte mësuar për pastiçier në Greqi, nga ku ishte kthyer për të hapur dyqanin në Ersekë dhe njëkohësisht për të ushtruar hobin e tij i cili natyrisht që ka qenë me humbje. Por mesa duket ky është një ves i kësaj treve që fillon në Qafën e Qarrit dhe mbaron tek Ura e Leklit, pasi edhe Artan Lame e ushtron atë të koleksionistit, meqë muzeumet tona mjaftohen duke ekspozuar reliket që kanë në magazina.

Falë fotove të Vangjelit shikon portretet e kolonjarëve të hershëm, të oficerëve të mbretërisë së Zogut apo të italianëve që kishin vendosur edhe shërbimin urban Gërmenj-Jorgucat.

Kolonja ka filluar të marrë frymë. Hoteli ku bujtëm ishte prenotuar nga një japonez që do rrinte një muaj.

Hoteli Inxhujo ishte plot me turistë që shijonin natyrën me biçikleta. 70-80 vjeçarë nordikë i gëzoheshin diellit mesdhetar të shtatorit të vonë që ende ngroh Kolonjën. “Sofra Kolonjare” ishte plot dhe dialekti shkodran ishte i pranishëm mes klientëve krahas atij tiranas që është si i shtëpisë aty. Por vendasit qanin rrugën. Vetëm nëse bëhet rruga, ne kemi shpresë më tha njeriu i fundit që takova para se të ikja. Ishte 80 vjeç dhe kishte një plantacion me mollë në këmbët e fshatit nga e kanë origjinën vëllezërit Nazarko që ende nuk kanë shkruar dy rreshta për të promovuar krahinën e tyre por merren me politikën e madhe të Tiranës.

Pasi ndalova makinën i thashë burrit që po priste të shiste me qese prodhimin e një plantacioni, nëse mund t’i vilja vetë mollët që do blija.

Më lejoj me shumë dëshirë dhe bashkë me time bijë provuam kënaqësinë e shëtitjes mes barit të shkurtër e pemëve që po iu thyheshin degët nga prodhimi i varieteteve Starking dhe Golden.

Pasi mbushëm qeset, mollët që shiten me 120 lekë kilja në Tiranë, i paguam vetëm 30 lekë. Me shumicë i shes 15 lekë, më tha, por nuk vjen njeri të mi marrë. Do rri deri në dhjetor këtu anës rrugës, dhe pastaj shumica do kalben, më tha. Duke e mbyllur me psherëtimën që nëse nuk bëhej rruga, këtu çdo investim do ishte i kotë. Doja t’i thosha se duhet edhe investim inteligjent në fabrika përpunimi pasi aq mollë nuk i konsumonte dot as Ballkani; se duheshin kredi afatgjata pa interes nga shteti për biznesmenë që duan të përpunojnë frutat dhe perimet e kësaj zone; se duheshin politika fiskale për të frenuar importuesit e mëdhenj që na dyndin me kimikate në kuti kartoni; se duhej marketing që fëmijët tanë në vend të surrogatove në kanaçe, të pinë lëngjet e pemëve vendase që kalben në degë. Por nuk ja thashë pasi ajo nuk ishte puna e tij. Ai e kishte bërë të vetën. Ne nuk bëjmë tonën.

Gjithsesi, kush ka kohë, mund të  shkojë një fundjave në Ersekë. Është gjithçka bio:natyra dhe ushqimet, por mbi të gjitha njerëzit dhe mirësjellja deri në naivitet e tyre, do iu mbushin ditën./dritare.net



2 KOMENTET

  1. I dashur Dritan, sinqerisht te falenderojme per ndihmen tende per ta bere diten te paharueshme per prindrit tane dhe per ne. Faleminderit qe bujtet ne shtepine tone. E vleresojme, dhe jemi te nderuar qe ju patem miq. Bota eshte me e mire nese eshte dikush aty per ti ndihmuar te tjeret, me veprimet ose me fjalen e tyre. “Faleminderit”!
    Eljon Sade & Klodi Sade

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.