Zbulimi i statuteve të Shkodrës! Flet Pëllumb Xhufi
Dritare.net

Historia juridike e Shqipërisë ndahet në dy shtyllat kryesore, e drejta zakonore, e cila rregullonte jetën e komuniteteve primitive, dhe e drejta pozitive ose ligji i shkruar i shtetit. Kjo e fundit ka gjurmë të hershme që nga periudha romake dhe ajo e Justinianit në shekullin e VI-të, legjislacioni i të cilit shërbeu si bazë për Perandorinë Bizantine për dhjetë shekuj me radhë.
Në territorin shqiptar, provat e ekzistencës së ligjeve të shkruara datojnë që në shekujt XII-XIII, duke kulmuar me periudhën e artë të qyteteve-shtete autonome si Shkodra, Durrësi dhe Tivari në shekullin e XIV-të.
Një nga zbulimet në historinë e kulturës shqiptare të dekadave të fundit është gjetja e Statuteve të Shkodrës nga profesoresha Lucia Nadin në Venecia rreth vitit 2000, rrëfeu historiani Pëllumb Xhufi në Dritare TV. Ky dokument, i cili i përket periudhës para vitit 1347, është një dëshmi e gjallë e qytetërimit urban shqiptar.
Statutet rregullonin çdo aspekt të jetës nga ekonomia dhe politika tek jeta sociale dhe fetare. Ajo që spikat më shumë është neni i parë i këtyre statuteve, i cili sanksionon një parim të përparuar evropian të kohës, lirinë qytetare.
Sipas këtij neni, çdo bujkrob apo banor i zonave rurale që arratisej nga pronat e feudalit dhe arrinte të hynte në qytet, fitonte automatikisht statusin e qytetarit të lirë. Ky ligj ishte aq i fuqishëm saqë as mbreti nuk kishte të drejtë ta prekte apo ta kthente mbrapsht atë person.
Kjo tregon se qytetet mesjetare shqiptare, si Shkodra, ishin oaze lirie dhe autonomie, të cilat mbroheshin me fanatizëm nga qytetarët e tyre, duke krijuar një kontrast të fortë me sistemin feudal mbizotërues./dritare.net