Psikologu: Çiftet më të lumtura flasin për këto 5 gjëra çdo ditë, që shumica i injorojnë
Dritare.net

Psikologu i marrëdhënieve, Mark Travers, shpjegon pse komunikimi i përditshëm është çelësi i dashurisë afatgjatë dhe cilat tema shumica e çifteve i neglizhojnë
Një nga mitet më të përhapura për marrëdhëniet afatgjata është se me kalimin e viteve, çiftet s'kanë më çfarë të flasin me njëri-tjetrin. Rutina, puna dhe përgjegjësitë e përditshme shpesh e shndërrojnë komunikimin në një listë detyrash dhe jo në një lidhje emocionale. Por sipas psikologut të njohur të marrëdhënieve, Mark Travers, kjo nuk është e vërtetë për çiftet më të lumtura.
Travers, i cili është i specializuar në studimin e çifteve dhe është vetë i martuar prej vitesh, thekson se partnerët në marrëdhënie të shëndetshme flasin çdo ditë për gjëra që kanë rëndësi për ta. Kjo i ndihmon të qëndrojnë të lidhur, të përditësojnë njohjen për njëri-tjetrin dhe të mbajnë gjallë afrimitetin.
Sipas tij, çiftet e lumtura nuk harrojnë asnjëherë të kontrollojnë “pulsin” e marrëdhënies. Ata pyesin njëri-tjetrin nëse ndihen mirë. Këto kontrolla të vogla ditore parandalojnë grumbullimin e pakënaqësive.
Një tjetër zakon i rëndësishëm është ndarja e interesave aktuale. Edhe nëse bëhet fjalë për një këngë të re, një serial, një podcast apo një hobi të ri, kur partnerët tregojnë çfarë i entuziazmon, ata mbeten të përfshirë në botën e njëri-tjetrit.
Po ashtu, ata flasin shpesh për të ardhmen. Planet për udhëtime, familje, projekte apo edhe ide të largëta “ëndërrimtare” krijojnë një vizion të përbashkët dhe forcojnë ndjenjën e ekipit.
Në listë bëjnë pjesë edhe frikërat, pasiguritë dhe streset e përditshme. Në një marrëdhënie të fortë, partneri është streha ku mund të shprehësh gjithçka pa frikë nga gjykimi. Kjo transparencë emocionale krijon siguri dhe besim afatgjatë.
Së fundi, Travers thekson rëndësinë e ndarjes së mendimeve të rastësishme dhe spontane.
Sipas tij, suksesi i një marrëdhënieje nuk vjen nga biseda të mëdha e të rralla, por nga komunikimi i përditshëm, dhe i sinqertë./L.F-dritare.net