Na ndiqni edhe në

Emisionet

Nga aktivist i PD në i burgosur për drogë, Bajram Mustafa: Dënimi im politik

Nga aktivist i PD në i burgosur për drogë, Bajram Mustafa:

Për Bajram Mustafën, i ftuar në emisionin Deklaog me Roland Qafokun në Dritare TV, vitet pas ngjarjeve të bujshme të '97-'98 do të sillnin një tjetër kalvar të vështirë: një arrestim dhe një dënim me 8 vjet burg për trafik droge, të cilin ai e përshkruan si një kurth të mirëfilltë politik.

Në rrëfimin e tij, ai tregon se si një komplot i thurur me detaje e vendosi pas hekurave. Gjithçka filloi me një telefonatë nga një shofer, i cili i kërkoi të merrte një zarf të vogël për një mik të përbashkët. Pasi e mori zarfin, Mustafa u ndalua menjëherë nga policia. 'Këtu ka kokainë,' i thanë oficerët, duke hapur zarfin ku ndodhej një sasi e vogël lënde narkotike. 'Unë as nuk e di si duket hashashi,' thotë Mustafa, duke këmbëngulur në pafajësinë e tij.

Pavarësisht mungesës së provave, si shenjat e gishtave, dhe trillimeve të mëvonshme se ai kishte hedhur një qese tjetër me drogë para komisariatit, gjykata e dënoi me 8 vjet burg.

Fjalët e avokatit të tij, Bujar Hoti, ishin therëse: 'Ti do të dënohesh 8 vjet, s'kam ç'të bëj. Ty të ka dënuar tjetër kush'. Mustafa kreu 5 vjet e 4 muaj burg, para se të lirohej me kusht dhe të merrte rrugën e emigrimit drejt Francës, duke lënë pas një histori të hidhur persekutimi që, sipas tij, ishte hakmarrje për dëshmitë dhe rolin e tij në ngjarjet politike të kohës./M.K-dritare.net