Çfarë i bënë Kadri Hazbiut në burg! Flet ish i dënuari!
Dritare.net
Më 15 tetor të vitit 1982, organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, nxorën urdhrin e arrestimit të Kadri Hazbiut, ish-ministër i Mbrojtjes Popullore dhe anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, në atë kohë. Kadri Hazbiu u çua në burgun e sigurisë së lartë, te 313-ta në Tiranë, që ndryshe quhej burgu i Kaushit. Në këtë burg asokohe vuante dënimin Bajram Mustafaj, që erdhi në Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV për të treguar ato që pa për shumë vite të ndodhnin me të burgosurit, kryesisht ish-qeveritarët. Zoti Mustafaj tregon se si e torturonte Hekuran Isai, Kadri Hazbiun në dhomat e izolimit, para se ai të pushkatohej më 9 shtator 1983.
“Unë kam qenë në burgun e Kaushit në Tiranë pra 313 kur sollën Kadri Hazbiun. E çuan te dhomat e hetuesisë speciale. E sollën të lidhur, me një pallto ushtarake krahëve dhe një kapele ushtarake.
Ne e dinim që do arrestohej dikush i rangut të larët, sepse më kërkuan që të gjeja dy marangozë dhe bashkë bëmë dy dhoma izolimi me pambuk, që mos dëgjohej zhurmat. Pas një jave sollën Kadri Hazbiun. Ne dëgjonim çfarë bëhej në ato qeli, si i rrihnin me shkelma të burgosurit, kryesisht ish-ministrat, ish-qeveritarët që fusnin aty.
Ishte Hekuran Isai ai që e merrte në pyetje Kadri Hazbiun dhe të tjerë ish-qeveritarë. Një herë e morën Kadri Hazbiun edhe ai i tha: “Unë jam lab, nuk jam plehrë si ju. Unë nuk jam tradhtar.””, tregon zoti Mustafaj në DritareTV./K.C/dritare.net