Si donin ta eliminonin në burg, hetuesin e vetvrasjes së Mehmet Shehut!
Dritare.net
Bajram Mustafaj i rrëfeu sot për herë të parë në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV, një histori që i kishte ndodhur në burg, rreth viteve 1982-1983. Protagonist i kësaj historie të rrëfyer nga zoti Mustafaj ishte Elham Gjika, hetues , i cili u arrestua në 1982-shin, u çua në burgun 313, ku iu bë edhe një tentativë për vrasje. Zoti Mustafaj rrëfen takimin me ministrin e asaj kohe Hekuran Isai, që e kërcënoi të mos shoqërohej me Gjikën, që partia e kishte shpallur armik. Pas këtij takimi, ndodhi edhe tentativa për ta vrarë Gjikën në ajrim.
“Pasi u arrestua, Elham Gjika u soll në burgun 313. Ai ishte një burrë intelektual, inteligjent. Atë e sollën në dhomën time dhe meqë unë isha përgjegjës i Kaushit, Vullnet Thanasi më kërkoi ta mbroja dhe mbaja larg telasheve. Disa ditë më pas mua më çojnë në kat të dytë. Më çuan në një zyrë ku ishte Hekuran Isai, asokohe ministër.
Ai më pyeti se çfarë më lidhte me Elham Gjikën. I thashë që nuk kam pasur asnjë lidhje me të. Më tha: “Ai është armik i popullit. Prandaj ti nuk duhet të rrish me të, nuk duhet ta shoqërosh, nuk duhet ta mbash afër. Partia e toleroi për momentin. Nga ky moment ti nuk do t’i flasësh dhe nuk ke lidhje fare me të. Ne po të japim urdhër. Nëse do ta shohësh shtëpinë tënde, nuk duhet të kesh punë me Elham Gjikën.”
Pasi mbaroi takimi me Hekuranin, takova Elhamin, nuk i thashë çfarë ndodhi me Hekuran Isain, por veç e paralajmërova: “Tako Vullnetin dhe thuaji të të transferojë.” Unë dyshoja se atij do t’i ndodhte diçka. Një ditë pas takimit me Hekuran Isain ne dolëm jashtë për ajrim. Ato ditë kishin sjellë nga burgu i Spaçit dy të burgosur politikë. Bashkë me të burgosur të tjerë ata morën çelësat nga gardianët, edhe hapën derën e ajrimit. Ishin përgatitur me thika dhe hekura për t’i rënë Elhamit. Unë i pashë edhe u afrova, Elhami u vu mbas meje. Unë kisha 5 miq besnikë dhe ne kishim thika të bëra me mjete rrethanore për të mbrojtur veten. Pasi u futën të burgosurit e tjerë, erdhën e shanë Elhamin. Ne u bllokuam rrugën që mos shkonim tek Elhami. “Kush vjen të prekë Elham Gjikën, unë e mbroj me jetën time.” U afruan tek unë, ne i rrahëm. Dy prej tyre u plagosën. Pasi ikën ata, ne i fshehëm thikat dhe në fund asnjë nga grupi ynë nuk u dënua.
Pas kësaj ngjarjeje Elhamin e mori Vullneti dhe çoi në burgun 325, atje nuk ishte më i rrezikuar. Unë nuk e di përse donin ta vrisnin Elham Gjikën. Nuk mund të aludoj për arsye. Ai nuk fliste, por më pas mësova që kishte qene ai hetuesi i vetëvrasjes së Mehmet Shehut. Unë jam dëshmitar i faktit që ishte Hekuran Isai që e kërkonte atë atentat. Nuk kam folur kurrë për këtë histori. Unë e përmbusha amanetin e Vullnet Thanasit. Ama nuk i thashë kurrë Elhamit se kush donte ta eliminonte, edhe pse ai e pati kuptuar.
Unë po flas sot për herë të parë sepse njeriut kur i vjen fundi ka qejf që atë që di t’ia thotë dikujt. Ndaj vendosa të rrëfehem në DritareTv.”, tregon zoti Mustafaj në DritareTV./K.C/dritare.net