
Rrëfimi tronditës i Bajram Mustafajt: Si u vra Isuf Haluci me rrobat e Azem Hajdarit
Dritare.net
Në një intervistë ekskluzive për Dritare TV, Bajram Mustafaj ka rrëfyer për herë të parë detaje të panjohura rreth vrasjes së Isuf Halucit.
Ngjarja ka ngjallur reagime të shumta, sidomos për dyshimet se objektivi mund të ketë qenë Azem Hajdari, një prej figurave më të rëndësishme të pluralizmit në Shqipëri. Rrethanat e vrasjes së Halucit mbeten të paqarta dhe ky rrëfim ngre pyetje të reja mbi të kaluarën politike dhe tragjeditë e saj.
“Djali i xhaxhait të Azem Hajdarit kishte bërë një aksident. Më merr Azem Hajdari në telefon dhe më kërkon që të çoj makinën në Tiranë përmes tragetit për t’u rregulluar. I thotë Isuf Halucit, që ta çojë makinën në Tiranë, ndërsa mua më kërkoi ndihmë për të gjetur benzinë. Benzinën e donin për fugonin që do shkonte për të shoqëruar makinën e Azem Hajdarit për në Tiranë.
Te benzinata vjen edhe Azem Hajdari me një tjetër veturë. Na përshëndet dhe I thotë Isufit, hiqe këtë xhaketën mëshinë të zezë dhe vish pardesynë time sepse të duket automatiku. Kështu ndërrojnë rrobat.
Në këtë kohë vjen edhe Sali Lusha me dikë tjetër, dhe i thotë Isufit ta gëzosh dukesh si deputet.
Azemi u nis për në fshatin Bujan, por më tha: Bajram, mos shko tek trageti. Më tha që Arben Imami, i cili do të vinte nga Tirana për të marrë pjesë në mitingun që do të mbahej pasdite, nuk kishte ardhur nga Qafa e Malit dhe po pushonte tek Turizmi. Do të takoheshim pasdite. Kështu secili shkoi në punën e vet. Mora vesh më vonë që në traget ishte qëlluar Haluca. Më thanë ishte në spital dhe u nisa për në spital, por rrugës më thanë se ai kishte vdekur, kështu që shkova drejt e në shtëpinë e tij. Aty pashë që kishte nisur vaji.
Unë e lava trupin e tij së bashku me dikë tjetër. Pashë që ishte qëlluar nga pas drejt e në zemër. Kështu u vra Isuf Haluci.
A e kanë ngatërruar me Azem Hajdarin? Këtë nuk e di, por e di që ai mbante veshur rrobat e Azem Hajdarit!”, u shpreh Mustafaj në Dritare TV./L.F-dritare.net

















