Na ndiqni edhe në

Emisionet

Ekskluzive/Si i shpëtuan shqiptarët 25 mijë italianë gjatë luftës! Flet ministri italian i Mbrojtjes

Ekskluzive/Si i shpëtuan shqiptarët 25 mijë italianë

Ministri italian i Mbrojtjes Guido Crosetto flet për herë të parë për një nga faqet më pak të njohura të Luftës së Dytë Botërore: shqiptarët që strehuan dhe mbrojtën ushtarët italianë pas armëpushimit me Gjermaninë naziste.

Për herë të parë, një funksionar kaq i lartë i shtetit italian flet publikisht dhe në mënyrë kaq të drejtpërdrejtë për rolin e shqiptarëve në shpëtimin e mijëra ushtarëve italianë pas 8 shtatorit 1943. Në një intervistë ekskluzive për Dritare TV, ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, pranon se shumë ushtarë italianë, të mbetur pa shtet dhe të ndjekur nga nazistët pas armëpushimit të Cassibile-s, u strehuan, u mbrojtën dhe u shpëtuan nga familje shqiptare.

“Shumë prej tyre u ndihmuan dhe u shpëtuan nga po ata njerëz ndaj të cilëve, deri një ditë më parë, kishin qenë pushtues”, thotë Crosetto, duke e cilësuar këtë histori si një faqe ende pak të njohur, por shumë të rëndësishme për kohët që jetojmë sot.

Intervista është pjesë e dokumentarit që po realizon Rudina Xhunga mbi historinë e kolonelit Goffredo Zignani dhe marrëdhënien e pazakontë njerëzore që lindi mes shqiptarëve dhe ushtarëve italianë gjatë një prej periudhave më dramatike të Luftës së Dytë Botërore.

Intervista e plotë!

Rudina Xhunga: Pas 8 shtatorit 1943, mijëra ushtarë italianë në Shqipëri u mbrojtën, u fshehën dhe u ndihmuan nga familjet shqiptare. Mendoni se kjo është një faqe historie ende pak e njohur dhe ndoshta jo e vlerësuar si duhet?

Ministri i Mbrojtjes i Italisë, Guido Crosetto: Po, absolutisht. Gjithçka që ndodhi pas armëpushimit të Cassibiles, i cili u bë publik më 8 shtator, megjithëse ishte nënshkruar më 3 shtator, ishte dramatike. Dhjetëra mijëra ushtarakë italianë ndodheshin jashtë vendit dhe u gjendën menjëherë të sulmuar nga nazistët, me të cilët kishin qenë aleatë deri një ditë më parë. E njëjta gjë ndodhi edhe në Shqipëri, ku ndodheshin dhjetëra mijëra ushtarë italianë. Flitet për rreth 25 mijë. Në atë moment, shumë prej tyre vendosën të luftonin kundër nazistëve dhe iu bashkuan rezistencës, si në rastin e Zignanit, për shembull, në Shqipëri. Disa e paguan me jetën e tyre, ndërsa shumë të tjerë u ndihmuan dhe u shpëtuan nga po ata njerëz për të cilët, deri një ditë më parë, kishin qenë pushtues. Sigurisht, ky është një fakt që shumë pak njerëz e njohin, por që duhet ta njohin, sepse do të ishte shumë i dobishëm edhe në kohë si këto që po jetojmë.

Rudina Xhunga: Pikërisht për këtë po e realizojmë këtë dokumentar: për të kuptuar të ardhmen, jo vetëm për të shpjeguar të kaluarën. Pra, mund të themi se, në atë moment tragjik të luftës, shqiptarët shpëtuan edhe një pjesë të humanizmit italian.

Ministri Guido Crosetto: Absolutisht po. Mijëra ushtarë gjetën strehim jo në pallate të pasura, por në shtëpitë e fshatarëve shqiptarë, të cilët, në një periudhë dramatike si ajo, në një luftë totale dhe në një vend të pushtuar, ndanë atë pak që kishin me njerëz që, po e përsëris, deri një ditë më parë ishin armiq, ndërsa të nesërmen u bënë miqtë dhe vëllezërit e tyre. Dhe ata u shpëtuan falë sakrificës së shqiptarëve.

Rudina Xhunga: Shumë italianë, siç thatë edhe ju, që erdhën në Shqipëri si pushtues, e lanë Shqipërinë në besën e shqiptarëve. Për ditët e sotme, çfarë vlere ka kjo kujtesë në marrëdhëniet mes dy vendeve tona, Italisë dhe Shqipërisë?

Ministri Guido Crosetto: Po, me të drejtë përmendët Besën, pra një kod nderi dhe një kod vlerash. Ne jetojmë në kohë kur shkelet e drejta ndërkombëtare dhe shkelen vlerat. Dikur ekzistonte një etikë edhe në luftë. Nuk sulmoheshin kurrë spitale apo fëmijë; luftohej mes ushtarakësh. Kishte një lloj kodi nderi edhe gjatë luftërave më të ashpra.

Besa, ajo mënyrë për të nderuar edhe armikun, është pikërisht ajo që sot do të mundësonte një qasje të duhur për të pajtuar kombe që nuk po arrijnë të pajtohen pas dekadash luftërash, duke shkatërruar veten dhe popujt e tyre. Duhet të mësojmë shumë nga ajo që ndodhi në ato vite dhe në ato vende.

Rudina Xhunga: A mendoni se histori si ajo e Goffredo Zignanit, personazhit kryesor të dokumentarit që po realizon Dritare TV, mund të përfaqësojnë jo vetëm një ngjarje ushtarake, por edhe një simbol njerëzor dhe moral të miqësisë mes Italisë dhe Shqipërisë?

Ministri Guido Crosetto: Po. Zignani vdiq si hero. Ai u pushkatua pasi i rezistoi torturave pa treguar se ku ndodhej rezistenca shqiptare. Nuk foli. Ai dhe koloneli Raucci gjetën të dy vdekjen për shkak të rezistencës së tyre. Për këtë arsye, ai mori Medaljen e Artë të Trimërisë Ushtarake në Itali, por edhe dekoratën më të lartë shqiptare, dhe për këtë ne jemi mirënjohës.

Këto episode, kjo mënyrë veprimi dhe ky vlerësim i dyfishtë, Shqiponja e Artë shqiptare dhe Medalja e Artë italiane për Trimëri Ushtarake, janë shembulli i një njeriu që u sakrifikua për dy kombe të ndryshme dhe, në këtë mënyrë, i bashkoi ato.

Rudina Xhunga: Në një Europë që po përballet sërish me luftën, sa të rëndësishme janë sot marrëdhëniet mes Italisë dhe Shqipërisë, të ndërtuara edhe mbi një kujtesë të tillë të përbashkët solidariteti?

Ministri Guido Crosetto: Ne kemi marrëdhënie shumë të lashta, që ekzistonin shumë përpara luftërave që na ndanë dhe që, në episode si këto, gjejnë momente bashkimi. Siç kujton shpesh kryeministri Edi Rama kur takohet me kryeministren Meloni, ne jemi më shumë se dy kombe mike. Lidhja jonë është shumë e fortë, edhe për shkak të komuniteteve arbëreshe në Itali që ende flasin gjuhën shqipe.

Dhe unë mendoj se Shqipëria në Europë është një hap më shumë drejt një Europe më të fortë dhe më gjithëpërfshirëse. Prej kohësh ankohem për ngadalësinë burokratike europiane për të futur vende si Shqipëria brenda saj. Europa nuk duhet të jetë si klubet e vjetra aristokratike angleze, ku duhej të prisje vite për t’u pranuar. Sidomos sepse aristokratët zakonisht përfundojnë keq kur koha ecën përpara, siç na mëson Revolucioni Francez.

Në kohë të shpejta si këto, duhej ta kishim përshpejtuar shumë hyrjen e disa vendeve, si Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit, sepse vetëm kështu forcojmë Europën dhe mbrojtjen europiane.

Rudina Xhunga: Në kohë tensionesh të reja ndërkombëtare, Italia dhe Shqipëria mund të jenë shembull se si dy popuj, dikur të ndarë nga lufta, kanë ndërtuar miqësi, besim dhe bashkëpunim?

Ministri Guido Crosetto: Absolutisht po. Dëshmi për këtë është edhe ajo që kemi bërë në fushën e mbrojtjes vitet e fundit, si në aviacion ashtu edhe tani në marinë. Jemi dy vende që shohim të njëjtin det dhe siguria e atij deti është siguria e të dy kombeve. Por jemi edhe dy kombe të lidhura mes tyre, edhe pse të ndara nga deti, që mund të gjejnë tek njëri-tjetri mënyra për t’u forcuar. Unë besoj shumë te marrëdhënia me Shqipërinë; gjithashtu edhe kryeministrja Meloni beson shumë në të, prandaj po e forcojmë gjithnjë e më shumë.

Rudina Xhunga: Mund të thoni diçka më shumë për marrëveshjen me Fincantierin?

Guido Crosetto: Unë mendoj se mund të krijojmë kushtet që Shqipëria të ketë një rol brenda mbrojtjes europiane dhe NATO-s, me kapacitete detare që sot nuk i ka dhe me një prani të rëndësishme detare. Por gjithashtu mund të ketë edhe një rol tregtar, duke ndërtuar fillimisht një rrugë detare e më pas tokësore, që mund të sjellë shumë pasuri për Shqipërinë dhe ta lidhë edhe më shumë me Italinë.

Rudina Xhunga: A keni plane për të vazhduar bashkëpunimin me Shqipërinë edhe në rikuperimin apo riaktivizimin e ish-fabrikave ushtarake dhe industrisë së mbrojtjes?

Ministri Guido Crosetto: Po studiojmë gjithçka. Kemi një bashkëpunim 360 gradë. Ka disa sektorë prodhimi ku Shqipëria mund të ndihmojë si Italinë ashtu edhe Europën. Ju keni një traditë të gjatë, për shembull, në prodhimin e municioneve, që është një nga mungesat më të mëdha sot në Europë. Prandaj mendoj se, edhe brenda disa programeve europiane dhe nevojave italiane, mund të zhvillohet një bashkëpunim edhe më i madh.

Rudina Xhunga:
Faleminderit shumë, ministër.

Ministri Guido Crosetto:
Faleminderit juve./dritare.net