Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ekskluzive/ Zgjedhjet në Dibër: Luftë për një votë më shumë

Ekskluzive/ Zgjedhjet në Dibër: Luftë për një votë
Dritare.net sjell këtë reportazh të zgjeruar të betejës elektorale për Dibrën, si dhe një historik të zgjedhjeve lokale që nga viti 2003. E veçanta e zgjedhjeve 2016 është roli i hyrjes më të re në politikën lokale, PDIU, gjë që po nxjerr nga loja LSI-në në Dibër. Pra, duket se ndërsa Sherefedin Shehu i PD-së po sheshon konfliktet brenda partisë së tij, Muharrem Rama i PS-së ka sjellë ngrirjen e koalicionit PS-LSI.

Ndërkaq, përsa i përket betejës së programeve, nuk duket që PS dhe PD të kenë programe. Ato kanë slogane. Programi i tyre real është kush merr më shumë vota nga kundërshtari.

Shumë detaje të tjera interesante, nëpërmjet një analize realizuar nga terreni, vijnë në këtë shkrim përgatitur ekskluzivisht për dritare.net

 Nga Bujar Karoshi

Tofik Kurti, një militant i vjetër i Partisë Socialiste në Fushë Çidhën, iu gëzua vetëm 18 ditë detyrës së tij si administrator lokal, pasi e hoqën. Dik Spata, një ish veprimtar i PD në këtë zonë, e kishte marrë detyrën e administratorit nga Shukri Xhelili si “shpërblim” për rrjedhjen e votave nga e djathta në zgjedhjet lokale të vitit 2015. Spata kandidoi nën siglën e PBDNJ, duke marrë 550 vota në një zonë tradicionalisht të djathtë, të cilat mjaftuan që Xhelili ta fitonte bashkinë e Dibrës. Pas shkarkimit të Xhelilit, nënkryetari i bashkisë Ethem Fida emëroi Kurtin si administrator. Spata nxiti disa protesta në fund të korrikut dhe me kërcënimet se votat e mbështetësve të tij nuk do të shkonin më për qeverinë, arriti të rikthehej sërish në postin e administratorit në fillim të gushtit, ndërsa Kurti të kthehej në shtëpi.

Kur e pyeta Tofik Kurtin se “çfarë ndodhi që i pati ditët e numëruara si administrator”, ai tha se përgjigjen për këtë e mori nga koordinatori i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri: Na duhen votat e Spatës për ta rifituar edhe njëherë bashkinë.

Zgjedhjet në Dibër po dalin jashtë fushës lokale dhe po ngjallin një interesim në qendër. PD e shikon fitoren e kësaj bashkie si një “dritë shprese” për zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të mbahen vitin tjetër, ndërsa PS nuk do ta humbasë bashkinë, jo vetëm se atë e fitoi me shumë mundim një vit më parë, por edhe për t’i prerë rrugën çdo lloj mesazhi politik që përcjell në vend.

PD, Sherefedin Shehu sheshon konfliktet brenda partisë

Partia Demokratike në Dibër ka më shumë se një vit që nuk po gjen “unitetin” brenda radhëve të saj. Rrahim Kaleci, një ish deputet i PD në vitet 2005-2009, së fundi ish kryetari i PD lokale, i pezulluar nga qendra, u akuzua për marrjen e një ryshfeti prej 200 mijë eurosh për të favorizuar PS në zgjedhje, por ai e kundërshtoi menjëherë këtë informacion, madje kërcënoi edhe me gjyq median online “syri.net”, që e botoi e para lajmin.

“Kaleci nuk është aq i pastër në këtë çështje”, - tha një burim pranë PD. Në zgjedhjet e kaluara ai është akuzuar nga grupe brenda PD, se ka ndihmuar Xhelilin të shpallej kryetar. Në lagjen e tij në qytet PD ka humbur zgjedhjet, ndërsa nuk përjashtohet edhe mundësia që kandidatët e pavarur të zgjedhjeve të kaluara të kenë marrë një “miratim” të heshtur të tij. Kaleci dhe Xhelili kanë edhe një lidhje miqësie mes tyre.

“Të gjithë anëtarët e këshillit bashkiak të PD, - thotë Astrit Ademi, këshilltar i pavarur në bashkinë e Dibrës, zgjedhur me 1695 vota, kanë votuar gjithmonë  për vendimet që merrte kryetari i bashkisë, me përjashtim të Naim Gazidedes”.

Gazidede, një ish-drejtues i PD në rreth, kryetar qarku për një periudhë të gjatë në Dibër, udhëheq një grupim brenda PD që nuk ka marrëdhënie të mira me mbështetësit e Kalecit. Gazidede njihet në Peshkopi si njëri prej atyre që ka ushqyer “luftën moderne të klasave” në këtë qark. Qindra qytetarë që nuk e kishin teseren e PD kanë humbur vendet e punës me urdhërin e tij dhe janë zëvendësuar me militantë. Në Peshkopi flitet se në kohën e artë të qeverisjes së PD, askush nga drejtuesit lokalë nuk vendoste në punën e tij pa miratimin e Gazidedes. Madje, edhe lektorët e filialit të universitetit “Aleksandër Moisiu” në Peshkopi, tashmë i mbyllur, nuk fillonin punë pa emërimin e tij.

Në këto kushte, Partia Demokratike në qendër e ka parë të arsyeshme se kandidatura e Sherefedin Shehut për Bashkinë e Dibrës, deputet për dy legjislatura rresht në këtë qark, është lëvizja e duhur, jo vetëm për të sheshuar mosmarrëveshjet brenda grupimeve në PD, por edhe e ka ngritur lart profilin e një drejtuesi lokal. Shehu mban titullin Profesor i Asociuar, është shkolluar në SHBA dhe ka një përvojë të gjatë në fushën akademike dhe financiare. Ai është njëri nga ish deputetët e PD të përfshirë në ndarjen e re administrative dhe ka qenë kritik ndaj saj, sidomos për sa i përket raportit të investimeve në bashkitë e reja mes qendrës dhe periferive.

PS shkon në zgjedhje e çoroditur

PS kishte projektuar si kandidat të saj Dionis Ymerajn, drejtorin e tatimeve në Dibër, një njeri që shihej shpesh me deputetin Ulsi Manja dhe ish kryetarin Shukri Xhelili. Mediat e Tiranës e cilësuan një kandidat të sigurtë. Më parë ishte folur se PS do t’i krijonte hapësirë një kandidati të PDIU ose LSI.

Por, ndërkohë që pritej zyrtarizimi i kandidaturës së tij, në skenë doli Muharem Rama, kryetar i organizatës së PS në qytet. Rama është kirurg pranë spitalit rajonal të Peshkopisë dhe mendohet se profesioni i tij si mjek do ta ndihmojë të marrë votat për t’u bërë kryetar bashkie. Rama nuk ka qenë ndër personat e preferuar të grupit brenda PS që mbështesnin deputetin Manja.

Kandidatura e tij u shpall si “e konsultuar” me bazën e PS, por në fakt një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Organizatat e PS nuk funksionojnë prej vitesh, - thotë një anëtar i PS. Konsultat mund të jenë zhvilluar – siç ndodh rëndom, me kryetarët e seksioneve bazë ose drejtorët rajonalë, apo edhe këshilltarë lokalë të partive të djathta, si Ballit Kombëtar dhe partive të tjera aleate”.

Të takosh njerëz që duan të identifikohen dhe të flasin për profilin e kandidatëve është e vështirë këtë fund gushti në Dibër. Frika nga humbja e vendit të punës ose shpresa se me fitoren e  partisë së tyre një vend pune për ta mund të projektohej, i bën njerëzit të heshtur.

PS lokale ende nuk e ka marrë veten nga video skandali i ish kryetarit të bashkisë. Shukri Xhelili u zgjodh me veton e deputetit Ulsi Manja dhe baza e partisë nuk u konsultua farë për kandidaturat një vit më parë. Socialistëve të Dibrës iu imponua figura e tij dhe tani, pasi skandali doli në media, ata nuk kanë kryer asnjë analizë se pse kjo ndodhi.

“PS nuk ka arritur të ristrukturohet në Dibër”, thotë një anëtar i saj. Që prej vido skandalit nuk është zhvilluar asnjë analizë në anëtarësinë socialiste. Të vetmet “analiza” kanë qenë ato të të deleguarit të PS, Gjiknuri me drejtorët dhe kryetarin e ndonjë organizate.

PS lokale ka mbetur e dobët dhe pa mbështetje. Shumë poste politike në qark, në rang drejtorësh ose më ulët u janë dhënë njerëzve që kanë qenë pranë PD ose partive të tjera aleate. Militantët socialistë në qytet janë të pakënaqur me mënyrën se si PS e ka administruar pushtetin lokal dhe qendror në këtë qark.

Qyteti ka marrë një zhvillim kaotik dhe është kthyer në një kaos urbanistik. Disa investime që nuk janë dukur prej vitesh po fillojnë të bëhen. Punimet për shëtitoren e re në qytet që nisën në mbrëmjen e 20 gushtit si dhe disa tendera të shpallur për rehabilitimin e rrugës së llixhave dhe asaj të parkut, janë shumë pak për të rritur imazhin e qeverisë në qytet. Punimet e nisura tre ditë para se kryeministri Rama, së bashku me deputetët dibranë të parlamentit shqiptar të niste zyrtarisht fushatën elektorale, duket se janë një mënyrë e gabuar për të rritur imazhin e qeverisë dhe PS në Dibër. Sepse Peshkopia, përpara shëtitores ka nevojë për disa investime më të rëndësishme që do ta ndihmonin Peshkopinë të çlirohej nga “mbytja” me ndërtime pa kriter. Banorët mendojnë se unaza e qytetit do të ishte më dobiprurëse për qytetin.

“Peshkopia nuk ka nevojë për një shëtitore ku të shëtisin të papunët, por ka nevojë për investime në bujqësi,  blegtori dhe infrastrukturë”, - thotë një drejtues i një shoqate joqeveritare në Peshkopi.

Në Dibër çdo vit fermerët groposin mijëra ton patate dhe perime të tjera, pa pasur mundësi t’u gjejnë treg. Ndërsa mungesa e një unaze dhe tregu të rregullt e ka kthyer qytetin në një të pangjashëm me asnjë qytet në vend. Rruga e Arbërit, ajo për të cilët njerëzit besojnë se mund të rikthejë gjallërinë e krahinës, po rezulton në një gënjeshtër të radhës. Fotot e një kanali vaditës që nuk dallohen në janë investime të reja apo kanale të vjetra, botuar në profilin e Kryeministrit nën logon “Rilindje Urbane”, duket më tepër një shaka se e vërtetë.

LSI dhe PS kanë “ngrirë” bashkëpunimin

Zgjerimi i PDIU ka zvogëluar shumë shpejt edhe rolin e LSI. Me sa duket, kur LSI ndjeu se PDIU po zgjerohej duke marrë anëtarësinë e demokratëve dhe socialistëve të pakënaqur, bëri një tentativë për të hapur kanalet e bisedimeve mes LSI dhe PS lokale, por ish kryetari i bashkisë nuk i hapte as telefonin deputetit Përparim Spahiu. Ky i fundit botoi një shkrim në media, ku paralajmëronte se “kryetari i Bashkisë së Dibrës po punonte kundër interesave të aleancës për Shqipërinë Evropiane”.

“Dega e LSI lokale nuk është pyetur për kandidaturën. Pas skandalit me ish-kryebashkiakun, LSI dhe PS lokale e kanë ftohur marrëdhënien mes tyre, e cila edhe më parë nuk ka qenë e ngrohtë”, thotë një anëtar i LSI, i cili nuk dëshiron të citohet.

“Në qoftë se PS do të kishte mbajtur të hapur kanalet e komunikimit me LSI, ndoshta nuk do të kishte ndodhur skandali”, thotë ai.

 A është Rama një kandidat i PDIU?!

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet duket se është ajo që po luan rolin kryesor në zgjedhjet për bashkiake në Dibër. Selia e saj, një vilë pranë Pallatit të Sportit në periferi të qytetit,është e zbukuruar me flamuj dhe banderola, sa krijohet edhe përshtypja se ajo është në zgjedhje kundër PD.  Aty e piu kafen pas mitingut të 21 gushtit edhe Kryetari i PS dhe Kryeministri Rama, së bashku me Aqif Rakipin, deputetin e PDIU ardhur nga Elbasani.

“Muharem Rama nuk është kandidat i PS, thotë një anëtar i Partisë Socialiste në qytet. Kandidatura e tij është një propozim i PDIU dhe PS nuk pati kohë të gjente arsye për ta refuzuar, për shkak të pozicionit të tij si kryetar i PS në qytet. Ai gëzon respekt te qytetarët për shkak të profesionit të tij, por nuk është parë t’i mbrojë publikisht socialistët e dhunuar e të nëpërkëmbur.”.

PDIU po e udhëheq këtë fushatë elektorale, por ajo ka në synim zgjerimin e bazës së saj, duke punësuar dhe afruar aktivistë pranë saj, me qëllim që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të marrë një deputet nga qarku i Dibrës. Vendet e lira të punës në Bashkinë e Dibrës gjatë këtyre tre muajve janë zënë nga veprimtarë të PDIU, ndërsa PS dhe LSI humbën terren në qeverisjen lokale.

Astrit Ademi, këshilltar i pavarur, thotë se Partia Socialiste do ta fitojë bashkinë e Peshkopisë. Ai mendon se kjo do të behët falë ndihmës së PDIU, e cila kohët e fundit e ka zgjeruar shumë mbështetjen e saj.

Deputetët kujtohen për Dibrën

PD po angazhon gjithë strukturat e saj me qëllim që ta fitojë patjetër bashkinë e Dibrës. Në strukturat e saj janë angazhuar një numër i madh deputetësh, jo vetëm të Dibrës, por edhe struktura të tjera të saj. Më shumë se gjysma e grupit parlamentar janë parë bulevardit të Peshkopisë këtë muaj.

“Bashkësia Dibrane” që drejtohet nga artisti Bujar Kapexhiu shfrytëzoi një prezantim të librave dhe karikaturave të tij në Dibër për tu shfaqur në mbështetje të Shehut, po ashtu edhe kryetari i Komunës së Dibrës së Madhe, ish-myftiu Ruzhdi Lata apo edhe figura të tjera të mënjanuara nga PD si Besnik Mustafaj, Selami Xhepa etj.

Deputetët e majtë dibranë të zgjedhur në Tiranë dhe Dibër u shfaqën në mitingun prezantues të Ramës së Dibrës. Më parë, asnjëri prej tyre nuk kishte qenë në qytet. Në qytet qarkullonin thashetheme se Manja dhe Cani nuk do të shfaqeshin gjatë fushatës elektorale. I pari “mbante mbi supe” mëkatet e vënies së vetos në përzgjedhjen e kandidaturës së Xhelilit, ndërsa i dyti është parë edhe në të shkuarën rrallë në qytet.

Manja dhe Cani edhe gjatë fushatës së kaluar tre vjet më parë kanë pasur një ftohje mes tyre. Ndërsa Cani mori postin e Ministrit të Financave, Manja mori nën kontroll gjithë territorin e bashkisë së sotme të Dibrës. Të gjithë emërimet, drejtorët apo edhe rangje më të ulëta punësimi, si mësues etj, nuk bëheshin pa miratimin e tij. Disa militantë të PS, që kishin shfaqur më parë admirim për Canin, kur kërkonin një punë u thuhej se “për ju mendon Shkëlqimi”.

Një anëtar i PS që mendon se kandidatura e Muharem Ramës është e qëlluar për Bashkinë e Dibrës, mendon se ai nuk mban përgjegjësi për veprimet e Shukri Xhelilit dhe për këtë arsye, edhe deputeti Manja nuk do të shfaqet gjatë fushatës elektorale. Sipas tij, dr. Rama e ka shkëputur lidhjen  me të dhe nuk mban përgjegjësi për ato që kanë ndodhur më parë. Ai nuk u ka hapur telefonin as disa drejtoreve lokale, madje ka kërkuar prej tyre që të mos angazhohen në fushatë”.

Partia Socialiste ia ka besuar udhëheqjen e fushatës ministrit të Energjisë, Damian Gjiknuri, i cili ka një “problem” të hapur me banorët e Dibrës. Dy hidrocentralet e projektuara për tu ndërtuar mbi Drin, ai i Katundit të Ri dhe Skavicës, mund të zhvendosë nga shtëpitë e tyre mbi 10 mijë banorë dhe mund të prekë pronat dhe pasuritë e mbi 30 mijë të tjerëve. Por kjo është një çështje për të cilën nuk flitet as në këtë fushatë, së paku në prezantimet mediatike.

Sadri Abazi, ish deputet i Dibrës për dy legjislatura rresht (2005-2013), është rikthyer në Dibër gjatë kësaj fushate. Ai është parë në krah të Ramës dhe  Gjiknurit në disa fshatra në vendlindjen e tij. Sadri Abazi dhe Sherefedin Shehu janë nga i njëjti fshat.

Zgjedhjet lokale: PD në avantazh

Në zgjedhjet lokale PS e ka rezultatin më të mirë në vitin 2003, ku ka marrë në total 14343 vota ose 1554 vota më pak se PD. Nga 15 komuna të rrethit ajo fitoi katër, ndërsa humbi dy të tjera, Kalanë e Dodës dhe Melanin përkatësisht për 6 dhe 4 vota diferencë. Ndërsa në Peshkopi e humbi bashkinë për 36 vota.

Në vitin 2007, në zgjedhjet lokale, PS mori një goditje, duke marrë në gjithë rrethin, 11152 vota, ndërkohë që PD mori 18729 vota ose 7577 më shumë. PS mori vetëm dy komuna, Arras dhe Kala e Dodës. Për zgjedhjet e 2007 në qytet thuhet se PD e “bleu” kandidatin e një partie aleate me PS.

Në zgjedhjet e vitit 2011 PS pati një rritje të votave për kandidatët e saj, duke marrë në total 13238 vota dhe duke fituar 6 komuna. Por sërish ishte 4199 vota më pak se PD.

Surpriza e këtyre zgjedhjeve ishte se njërën nga komunat e vogla në qark e mori falë mënyrës se si votuesit u sollën me votën. Partia Socialiste nuk kishte kandidat, dhe kryetari i komunës i PD që kishte fituar në dy zgjedhjet e mëparshme, investoi që shoferi tij të kandidonte në emër të PS, por votuesit e ndëshkuan ish kryetarin e tyre, duke i dhënë votën shoferit. Kështu që PS fitoi me 6 vota më shumë.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2015, PS konsiderohej se ishte më e fuqishme dhe me imazhin më të mirë në Dibër në 15 vitet e fundit, edhe për shkak të premtimeve të Kryeministrit Rama në lidhje me ndërtimin e Rrugës së Arbrit, për të cilën bisedimet me Kompaninë Kineze thuhej se po ecnin shumë mirë dhe së shpejti pritej fillimi i punimeve.

Megjithatë, me sa duket, nga statistikat e zgjedhjeve të kaluara,  PS e bazoi fushatën në rrjedhjen e votave nga PD. Përveç kandidatit të PS Shukri Xhelili dhe atij të PD Ilir Krosi, për bashkinë e madhe të Dibrës kandiduan edhe një kandidat i pavarur, një nga partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe një tjetër nga Aleanca Popullore. Të tre kandidatët vinin nga një bashkëpunim i ngushtë me Partinë Demokratike. Të tre së bashku morën 1625 vota, duke e ndihmuar Xhelilin të dilte fitues. Xhelili, në aleancë me LSI dhe PDIU mori 15027 vota ose 439 vota më shumë se kandidati i PD.

Bazuar mbi këtë skemë duket se PS po punon edhe tani në fushatën për zgjedhjet e parakohshme.Por këtë herë duket se misioni i PS është më i vështirë. Pasi qeverisja e saj e ka braktisur krejtësisht Dibrën. Premtimet kanë rezultuar gënjeshtra dhe PD po e shfrytëzon këtë hapësirë, por edhe duke bërë përpjekje për bashkimin e grupeve brenda saj.

PS po zhvillon një fushatë emergjence, që e kërkon fitoren më shumë për t’ia treguar opinionit publik se mund të fitojë edhe kur nuk ka punuar mirë, sesa në të vërtetë kërkon ta fitojë.

PD duket se e do fitoren më shumë për të mbajtur elektoratin e vet të karikuar nga jugu në veri se qeveria Rama do të bjerë vitin tjetër.

Të dyja partitë duket se e kërkojnë bashkinë për mesazhet që burojnë nga qendra, jo për popullin e Dibrës. Më 12 shtator, kur kryetari do të zgjidhet, gjasat që dyert e bashkisë do të jenë të mbyllura për votuesit ka më shumë gjasa të ndodhë.

***

Në këtë fushatë në Peshkopi është e vështirë të dallosh të majtin nga i djathti, votuesin e Shehut apo të Ramës. Premtimet i kanë njëlloj dhe po njëlloj edhe taktikat: Shehu i PD bën fushatë me premtime sikur të kandidojë për deputet, ndërsa Rama i PS nën sloganin “Për Dibrën me dinjitet dhe krenari” ose“Shërbëtori i Dibrës”. Secili përpiqet të marrë vota nga kundërshtari, ndërsa votat e anëtarësisë dhe militantëve i konsiderojnë të garantuara.

Në qoftë se deri më 11 shtator, kur dibranët do të shkojnë pranë kutive të votimit, palët do të qëndrojnë në këto fronte, nuk është çudi që nëse PS do ta rifitojë bashkinë, Spata i PD do të vazhdojë të jetë administratori i Fushë Çidhnës. Në të kundërt, në qoftë se Shehu i PD do të jetë kryetari i ardhshëm, Kurti i PS të bëhet administrator. Sepse, nuk ka rëndësi bindja politike dhe as programet e partive, e rëndësishme është vota e fitores. Dhe atë votë e ka në dorë ose Spata ose Kurti.../dritare.net