
Ekskluzive/ Shqiptarët dhe frika nga vaksina e bebeve 1 vjeç
Dritare.net

Nga Dritare.net
Vaksinat janë shumë të rëndësishme për mbrojtjen e trupit tonë, pasi ato janë të projektuara për të nxitur sistemin imunitar në prodhimin e kundërtrupave. Në këtë mënyrë, kur fëmija preket nga bakteret, janë këto kundërtrupa të cilët aktivizohen për ta mbrojtur nga sëmundjet. Por pavarësisht se dihet botërisht rëndësia e vaksinimit, përsëri shumë prindër refuzojnë të vaksinojnë fëmijët e tyre.
Arsyeja është frika nga efekti që, sipas tyre, ka vaksinimi në ndalim të zhvillimit psikomotor. Pas zbulimit nga shkencëtarët se fëmijët e prekur nga sëmundja e autizmit kishin sasi të madhe mërkuri në trup, u hodhën hipoteza se vaksina që bëhet në moshën 1 vjeç, MMR, është një faktor indikues pasi ka përmbajtje mërkuri.
Në dritare.net kanë folur të gjithë duke dhënë një panoramë të plotë të frikës së prindërve dhe sidomos të informacionit të mjekëve për vaksinën e shumëpërfolur.
Entela, është bërë prind prej 10 muajsh tashmë, por nuk do t’ia bëjë vaksinën e moshës 1 vjeç vajzës së vet. Kanë qenë pikërisht ato çka ka lexuar në faqe të ndryshme të internetit që e kanë bërë të stepet.
“Unë jam një nënë e re, edhe pse e di që në internet çdokush mund të shkruajë e nuk duhet të merren për bazë të gjitha, por përsëri unë kam frikë ta bëj. Kam folur me gjenetisten dhe ajo më ka thënë që nuk ka asnjë problem e asgjë nuk është e vërtetë, por unë përsëri nuk do ia bëj. Do t’ia bëj kur të shkojë 2 vjeçe. Nuk dua të rrezikoj me jetën e vajzës sime.”
Edhe Albana është mami i një djali 2 vjeç dhe nuk ia ka bërë vaksinën kur ai ishte 1. Ajo është e shqetësuar nga informacioni që ka lexuar rreth kësaj vaksine dhe ka vendosur të mos ia bëjë djalit. Albana ka më shumë frikë nga pasojat që ka dëgjuar se prodhon kjo vaksinë, sesa nga mungesa e saj dhe qenia e pambrojtur ndaj sëmundjeve që mund të rrezikojnë djalin e saj të vogël, duke qenë se nuk ka bërë vaksinën.
Silva Bino, specialiste e Shëndetit Publik, i hedh poshtë këto frikëra nënash të informuara gabim ose të painformuara.
Sipas saj lidhja mes autizmit dhe vaksinës është e stisur për çështje biznesi nga faqe interneti të grupeve antivaksina, të cilat kanë interesat e tyre. Bino është shumë aktive në mbrojtjen e vaksinimit. Jo vetëm në media, por edhe në rrjete sociale, që tani janë vendet ku nënat e reja marrin info, më shumë se në TV apo mediet tradicionale.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Bino thotë: “…vaksinat nuk shkaktojnë autizëm dhe autizmi nuk ka lidhje me vaksinat, se po të ishte kjo gjë, do të ishte shumë e thjeshtë, i ndërprisnim vaksinat dhe zhduknim autizmin. Lidhja e vaksinave me autizmin u stis nga një mjek anglez dhe kjo u lidh me vaksinën ndaj Fruthit, Rubeolës dhe Parotitit, por që më pas u vërtetua se ai ishte paguar nga grupet anti-vaksinë.”
Florian Marku, i Florifarma, është edhe babi i një vajze 7 muajshe. Ai shprehet për dritare.net, se vaksinat, për njerëzit që i bëjnë, janë shërbimi më i mirë i mbrojtjes së sistemit imunitar.
“Unë vajzës sime patjetër që do t'ia bëj, pasi mendoni se çfarë do të ndodhte nëse nuk do bëheshin të gjitha vaksinat. Por edhe vaksinat për të rritur, si për Hepatitin B, kanë shumë rëndësi, pasi po shohim një rritje të komplikacioneve. Mënyra e vetme për t'i parandaluar është vaksinimi.”
Ndërsa mjekja tek e cila të drejtojnë të gjithë, nëse ke dilema për vaksinimin, është Gjeorgjina Kuli-Lito, pediatre. Për të askush nuk ka dilemë, fol me Doktoreshë Xhinën dhe s'ke nevojë për këshilla të tjera. E gjejmë profesoreshë Xhinën te Infektivi, ku ajo punon si pediatre. Dhe është ashtu siç thonë të gjithë kolegët e saj; shumë shumë bindëse. Doktoresha e mirënjohur shpjegon për dritare.net, procesin e vaksinimit duke hedhur poshtë çdo dyshim për autizmin nga vaksina MMR, ose thënë thjesht, vaksinën e moshës 1 vjeç.
Dritare.net- Si funksionon procesi i vaksinimit?
Gjeorgjina Kuli-Lito- Vaksinimi është një proces i provokuar nga ana mjekësore në lidhje me krijimin e imunitetit ndaj sëmundjeve të ndryshme ngjitëse, shumica prej tyre janë kërcënuese për jetën.
Kur aplikohet vaksina ne fusim një mikrob të zbutur, të ngordhur nga ana biologjike, por që ka ruajtur vetitë për të provokuar sintezën e antikorpeve nga trupi i njeriut. Ne fusim atë që quhet antigen, ai ngacmon aparatin imunitar dhe provokon sintezën e antitrupave. Sa më shumë antitrupa të kesh në gjak, aq më shumë je i mbrojtur nga një sëmundje e caktuar.
Dritare.net- Kush nuk duhet të vaksinohet?
Ka një kategori fëmijësh, që jo se nuk duhet t'i bëjnë vaksinat, por ata kanë një kalendar vaksinimi individual, për shembull fëmijët që vuajnë nga virusi i HIV-it, në këtë rast ata mund të bëjnë vaksina me antigen të ngordhur, por jo me viruse të gjalla sepse ka një dëmtim të imunitetit. Në këtë rast futja e një virusi, sado të zbutur që është, në një fëmijë që ka imunitet të dëmtuar mund të provokojë sëmundje. Gjithashtu fëmijët që bëjnë terapi me preparate që frenojnë imunitetin, si sëmundje Onkohematologjike apo sëmundje të veshkave renale, kur ato marrin kortizonik, nuk duhet ta bëjnë vaksinën, por e bëjnë më pas.
Dritare.net- A kanë të gjitha vaksinat mbrojtje të njëjtë apo disa prej tyre nuk kanë rezultate të larta?
Asnjë vaksinë nuk të mbron 100%, por ka vaksina të ndryshme, si ato për Difterinë e Tetanozin që kanë mbrojtje të plotë nëse kalendari i vaksinimit zbatohet me rigorozitet dhe nëse aparati imunitar i fëmijës është normal. Sepse ka raste kur fëmijët kanë difekte të imunitetit për arsye të ndryshme, në këto raste përgjigja imune ndoshta nuk është aq e mirë. Për shembull, vaksina e gripit nuk të mbron 100% nga gripi, por të mbron në një përqindje shumë të mirë nga komplikacionet dhe ul në minimum mortalitetin nga kjo sëmundje.
Dritare.net - Cila është lidhja mes autizmit dhe vaksinës MMR?
Vaksina e MMR është një vaksinë e përgatitur nga viruse të zbutura të fruthit, të parotitit dhe të rubeolës. Sigurisht që në përgatitjen e vaksinave, kjo e fundit kombinohet me një substancë tjetër e cila provokon shumë më tepër përgjigjen imunitare, kur bashkohen bashkë, sesa kur aplikohet më vete. Autizmi është një sëmundje së cilës ende nuk i dihet shkaku 100% se cili është, akuzohen metalet e rënda dhe këtu u bë i gjithë spekulimi dhe lidhja se thoshin që në përbërje kjo vaksinë ka mërkur. Por asnjë studim i kryer nga shkencëtarët nuk e provon këtë lidhje.
Dritare.net - Sa është refuzimi nga prindërit për ta bërë vaksinën e moshës 1 vjeç?
Ne mburreshim me performancën tonë që përpos kalendarit të kompletuar, por edhe me mirëkuptimin shumë të madh të prindërve në lidhje me aplikimin. Kohët e fundit është bërë një zhurmë dhe prindërit janë stepur disi.
Totalisht mohim nuk kemi pasur, por spostim në kohë kemi pasur nga prindërit, edhe pse nuk është masive, por është më e madhe nga çka ka qenë më parë. Nuk mendoj se përbën tendencë, janë raste sporadike, por përsëri ekzistojnë. Ne jemi munduar në të gjitha mënyrat t'u shpjegojmë prindërve që problemi nuk është kur e bëni këtë vaksinë, por kur nuk e bëni. Pasi fëmija mund të manifestojë komplikacione si encefalit, orchit (pasojë e shytave), rubeolë kongenitale, etj.
Në Shqipëri, mbulesën vaksinale ne e kemi shumë të mirë, në përgjithësi mbi 98% të popullatës që duhet të marrë vaksinën, e ka marrë. Për vaksinën e Fruth-Rubeolës (MMR) ka pasur një ulje së fundmi, pikërisht për shkaqet e përmendura më sipër. Dhe kjo urojmë të ndryshojë./dritare.net/

















