Na ndiqni edhe në

Arkiv

Ekskluzive/ Rrugëtimi ynë në Francë – Euro 2016

Ekskluzive/ Rrugëtimi ynë në Francë – Euro 2016
Nga Gerta Kodhelaj

Kur Shqipëria u kualifikua në Euro 2016, nuk kishte asnjë dyshim që ne të katërt do shkonim në Francë. Bisedat për aventurën tonë në Francë kishin filluar shumë muaj më parë, gjatë ndeshjeve të kualifikimit. Bashkëshorti im nuk ka munguar në asnjë ndeshje të Kombëtares shqiptare dhe ne këtë moment kaq të rëndësishëm donim të ishim bashkë. Ne donim ta mbështesnim Çimin, si atëherë kur ai shkoi në Serbi, ndërkohë që ne shikonim me ankth ngjarjet e tmerrshme që ndodhën në stadium. Atë ditë në Beograd, në stadium ishte bashkëshorti im, vëllai dhe kunati. Një ndeshje që ka lënë shije të hidhur në kujtesën time, por edhe atë tuajën!

Ne donim të ishim bashkë në Francë, të rikujtonim ndeshjen kundër Armenisë që vulosi hyrjen në Evropian, ndeshje ku bashkëshorti im edhe atë herë nuk mungoi. Donim që në këtë Evropian të përjetonim momentet e jashtëzakonshme që nuk do të harrohen kurrë për shumë shqiptarë.

Kur Uefa hapi zyrtarisht shortin për biletat, e bëmë aplikimin tonë 5 minuta mbas hapjes së sportelit online. Mark 6 vjeç dhe Ema 4 ½ mezi po prisnin datën 10 qershor, ditë kur do niseshim drejt Francës.

Shumë miq na panë shtrembër kur u thamë që do hiqnin fëmijët nga shkolla për një javë, por drejtoresha na mbështeti duke thënë se ky ishte një rast që nuk duhej humbur dhe ajo do të bënte të njëjtën gjë, nëse do ishte në vendin tonë.

1

9

Aventura jonë në Francë do niste me makinë nga Londra, aty ku ne jetojmë, për të vazhduar nëpër dhjetra qytete franceze.

Bluzat e Kombëtares u bënë gati. Do të mbanin mbiemrin tonë (apo më saktë gjysmën e mbiemrit). Secila nga ne do të mbante numrin sipas moshës dhe renditjes ne familje, nga 1 tek 4.

Pjesë e obsesionit me përgatitjen për Francë u bë edhe mbledhja e magneteve të frigoriferit. Donim të mbanim mend emrat e vendeve që do shikonim, në mënyrë që t’ua rikujtojmë aventurën fëmijëve kur të rriten!

Ishte Eurotunnel që na përballi me dyndjen e parë të shqiptarëve në Francë. Makina që valëvitnin flamurin shqiptar. Diku në një cep policët kishin marrë në pyetje një grup vajzash dhe djemsh që kishin veshur bluzat kuqezi. Më erdhi inat që policia angleze po i mbante aty dhe i kontrollonte sikur të ishin kriminelë. Por grupi i të rinjve dukej i pa shqetësuar dhe i përgjigjeshin pyetjeve pafund të policëve të kufirit me buzëqeshje. Ata ishin të lumtur! E çfarë rëndësie kishte vonesa prej disa minutash!

Kur mbërritëm në Lens, u përballëm me një lum kuqezi që kishte pushtuar rrugët e qytetit. Shqiptarë të ardhur nga të gjithë cepat e Europës, por edhe nga Amerika. Kudo dëgjoheshin këngë dhe njerëzit vallëzonin nëpër rrugë. Bashkë me ta bashkoheshin edhe tifozët zviceranë.

17

16

Në stadium, të gjithë ne që ishim aty, përjetuam emocione të papërsëritshme. 5 shqiptare (nga 7 në total) që luajnë për Zvicrën, u përballën me bashkatdhetarët e tyre. Përballja e vëllezërve Xhaka ishte ajo që kishe bërë bujë kudo nëpër gazetat europiane. Dueli mes tyre në fushë ishte shumë emocionues. Stadiumi ziente “O sa mirë me qenë shqiptar”! Ema dhe Mark kërcenin nën tingujt e daulleve që kishin mbrapa vendit ku ishim ulur.

3

202

Ndëshkimi me karton të kuq i Lorikut dhe humbja, na bëri të bërtisnim më shumë pas ndeshjes dhe të shpresonim për një rezultat më të mirë në ndeshjen tjetër.

Adrenalina e përballjes me Zvicrën ishte e madhe, por dy ndeshje të tjera na prisnin.

8

Rrugëtimi ynë drejt Marsejës kalonte nëpër zonën e Burgundy. Aty ndaluam për drekë në Troyes, një qytet shumë i bukur mesjetar, me ndërtesat tudoriane. U ulëm në restorantin e parë që shërbente ushqim në atë orë të vonë mbasditeje dhe u habitem kur goca që na shërbeu ishte shkodrane. Na tregoi se ngjitur aty pranë ishte një lokal shqiptar që quhej Vlora. Sa keq që nuk kishim kohë të qëndronim për darkë në këtë lokal butik dhe shumë të bukur, që ndodhej në qendër të qytetit.

5

14

Aventurat tona franceze përshkruan shumë qytete të tjera në Burgundy, në pritje të ndeshjes së radhës, Francë-Shqipëri.

Përleshjet në Marsejë mes tifozëve rusë dhe anglezë më shkaktuan një ngërç në zemër dhe mesazhet e miqve të mi, kujdes nga tifozët anglezë, më buçitnin në vesh. Mark pa skenat e dhunës në televizion, ndërsa shikonim lajmet dhe u frikësua. Marseja është një qytet i famshëm për korrupsionin dhe grupet mafioze. Hyrja në qytet na la një shije të hidhur, lypësa pafund, rrugë që ndërtoheshin. Por ndërsa parkuam makinën dhe dolëm afër portit të qytetit, gjithçka ndryshoi.

9

6

13

Tifozët tanë e kishin shndërruar portin gri në një kolazh kuqezi. Rrugët buçitnin nga këngët dhe thirrjet për fitore. Tifozët francezë bashkoheshin me grupet e tifozëve shqiptarë që kërcenin vallet tradicionale. Një grup fëmijësh të ulur në një tramvaj, këndonin Marsejezën. Mark dhe Ema i përshëndetën me dorë dhe u bërtisnin “Good luck tonight” (Paçi fat sot!). Nëpër lokale grupe shqiptarësh i prisnin me këngë kamarierët që mundoheshin të merrnin porositë: Bonjur Bonjur! Bonjur Bonjur Bonjur! Bonjur Bonjur Bonjur Bonjur Bonjur! hey hey…. E si të mos bashkoheshe edhe ti dhe të këndoje bashkë me ta. Si mund t’i rezistoje entuziazmit të shqiptarëve që mezi kishin pritur të bënin tifo për vendin e tyre në një eveniment kaq të rëndësishëm. Ikën ditët kur djemtë dhe vajzat shqiptare visheshin me fanellat italiane, gjermane, angleze. Sa krenar ndiheshin të gjithë me bluzat e reja të kuqe të Macron.

17 15

Nga porti shkuam drejt stadiumit ku do zhvillohej ndeshja. Sytë m’u mbushën me lot… Çfarë feste, çfarë gëzimi. Festonin në rrugë francezët bashkë me shqiptarët. Na ndalonin në rrugë të bënin foto me ne. Shiko si kanë ardhur të gjithë, bashkë si familje, sa bukur! Para kishim dy të rinj francezë që iu vërsulën Emës dhe Mark duke kënduar me sa kishin në kokë, Allez les bleus!! Alles les bleus!!! Ema për një sekondë u step, por kur djali i parë e përqafoi dhe i fërkoi kokën, të dy u relaksuan dhe filluan t’i këndojnë Shqipëri, Shqipëri!

2510

Një grup tjetër të rinjsh francezë iu buzëqeshën Mark dhe Emës, duke thënë “We love Cana! He is the best!” (e duam shumë Canën, është më i miri”)

Po përse e doni Canën, i pyeti i çuditur Mark, ai është shqiptar dhe ju do luani kundër Shqipërisë sot. Sepse ai ka qenë kapiteni ynë dhe është më i miri, u përgjigjën ata. E kishin fjalën për periudhën kur Cana ishte kapiteni i Marsejës…

Ndryshe nga Lens, në Marsejë kishte më shumë familjarë dhe fëmijë. Rrugës pamë edhe dy fëmijë pak më të vegjël se Mark dhe Ema, me kostume tradicionale shqiptare. Sa mirë që më në fund veshim rrobat tradicionale, qeleshe, dhe shpalosim flamurin nëpër rrugët e Europës me krenari dhe nuk u flasim fëmijëve nën zë në shqip, nga turpi apo frika që jemi shqiptarë.

Edhe pse ishim shumë në stadium, tifozët francezë mbizotëronin. Në fund të fundit kampionati po zhvillohej në shtëpinë e tyre. Prania e shumtë e francezëve në stadium na nxiti të këndonin e bërtisnim më fortë për Kombëtaren. Çfarë ndeshje! Çfarë emocionesh! Babi, kjo është ndeshja më e bukur që kam parë ndonjëherë, tha Mark i emocionuar, duke valëvitur shallin e kuq me emrin Shqipëri. Pas ndeshjes vërshuan një mori mesazhesh nga miqtë tanë në Londër. Sa pa fat! Sa mirë që luajtët në fushë, shkruanin ata. Na bënë të ndiheshim mirë dhe krenarë që miqtë tanë anglezë ndiqnin ndeshjen dhe mbështesnin skuadrën tonë. Shqipëria ishte bërë skuadra e dytë e shumë anglezëve.

2122

11

Por ndeshja me Francën nuk ishte fundi i udhëtimit të Kombëtares sonë. Në pritje të ndeshjes me Rumaninë, udhëtuam drejt St. Tropez dhe qëndruam në qytezat aty përreth. St Tropez, Nisë, Monako ishte mbushur me shqiptarë në pritje të ndeshjes në Lion. Sa shumë, sa shumë! Ndalonin sa dëgjonin shqip e na përshëndesnin. Buzëqeshnin kur shikonin që Mark dhe Ema flisnin pa pushim për ndeshjet e Shqipërisë dhe që mezi prisnin të shkonin në Lion.

Edhe pse për mua personalisht atmosfera në Marsejë ishte e jashtëzakonshme dhe e papërsëritshme, Lion ishte në kuptimin e fjalës, i mbushur me tifozët shqiptarë. Sa shumë kishin ardhur! Shumë prej tyre i kishin prerë biletat në minutën e fundit, të frymëzuar nga ndeshja me Francën, si edhe nga postimet nëpër rrjetet sociale apo nga komentet pozitive të gazetarëve europianë për tifozerinë shqiptare.

Aty vura re se bashkëshorti im ishte me të vërtetë i emocionuar. Ai e ka ndjekur Kombëtaren shqiptare në të gjitha ndeshjet jashtë vendit, që nga viti 1996. Ndeshja e tij e parë që mbështeste Kombëtaren jashtë vendit ishte në Belfast. Ishin vetëm 19 tifozë gjithsej. Në Lion, të dielën, ishim dëshmitarë të mbi 40 mijë tifozëve shqiptarë që kishin ardhur të mbështesnin Kombëtaren. Kishte kohë që nuk kishim parë flamurin tonë të valëvitej me aq shumë dashuri e krenari. Sa mirë që fëmijët e mi po rriten në një moment kur nuk kemi turp të jemi ata që jemi!

27 26

1219

Stadiumi ishte kuqezi. Vetëm një përqindje shumë e vogël e tifozëve rumunë kishin ardhur. Aty kishte shqiptarë nga të gjithë profesionet. Punëtorë me duar me kallo, studentë, djem të rinj që sapo kishin mbaruar universitetin, profesionistë, vajza të reja, familje si ne.

Në momentin kur Sadiku shënoi golin fitues, një tifoz mbrapa nesh rrëmbeu Emën dhe e ngriti në krahë duke festuar. Nëna brenda meje donte t’i bërtiste dhe t’i thoshte se kjo ishte shumë e rrezikshme, por me një buzëqeshje i thashë të kishte kujdes. I gjithë stadium ishte në festë. Njerëzit u çmendën nga kënaqësia, përqafoheshin, këndonin…

Rrugët e Lionit, si para dhe pas ndeshjes, gumëzhinin nga zhurmat e këngëve dhe thirrjeve shqip.

Për Shqipërinë, në çdo ndeshje, bënë tifo edhe të gjithë shokët e klasës së Markit bashkë me mësuesen. Detyra e tij për atë javë ishte të shkruante aventurat e tij në Euro 2016! Frigoriferi u mbush me dhjetra magnete. Obsesioni të gjenim me çdo kusht një magnet sa herë ndalonim në një qytet, na linte shpeshherë pa drekë. Francezët nuk shërbejnë ushqim pas orës 2.30! Na mungon magneti nga qyteti i parë, Lens, por do shkojmë prapë e do ta blejmë një!

Fituam ndeshjen, fituam praninë në Europian apo fituan identitetin e humbur? Francë 2016 tregoi se ne të gjithë ishim kaq shumë të etur për identitet! E çfarë rëndësie ka tani se kush fiton kampionatin. Për mua, për familjen time, për të gjithë ne që ishim në Francë, për të gjithë ata që e ndoqën Kombëtaren nga rrugët e Tiranës, Prishtinës apo nga shtëpia, ne fituam shumë më tepër se një prezencë në kampionat apo ca fjalë të mira nëpër gazeta. Ne fituam krenarinë dhe identitetin që na kishte munguar prej kaq shumë vitesh!/dritare.net

Francë, qershor 2016

24