Na ndiqni edhe në

Editorial

Veriorët-jugorët, shqiptarët-kosovarët

Veriorët-jugorët, shqiptarët-kosovarët

Nga Dritan Hila

Merr shkak ky shkrim nga lajmi i një portali i cili ishte rrëqethur sesi në ndeshjen e U19 të përfaqësuesve (kujdes, quhen përfaqësuese dhe jo kombëtare), mes Shqipërisë dhe Kosovës, futbollistët e Kosovës kishin kënduar himnin kombëtar shqiptar.

Kjo nuk ka asgjë për t’u çuditur pasi shqiptarët e atyshëm në shumicë dërrmuese e ndjejnë veten pjesë të Shqipërisë dhe janë edukuar me këtë fryme. Por është edhe praktike, pasi gazetari ndoshta nuk e di që himni shtetëror i Kosovës është vetëm muzikë, kështu që edhe të duan ta këndojnë, nuk munden, përveçse të vendosin që secili të imitojë veglat muzikore.

Përtej groteskut, nuk do zgjatesha në këtë fenomen i cili tregon se në nënndërgjegjen e disa shqiptarëve, qoftë edhe pa vetëdijshëm, ka zënë vend teza që jemi të ndryshëm

Në fakt të ndryshëm ne nuk jemi aspak. Në diferencë nga shumë popuj që merren si model i kombit, ne kemi një prejardhje unike nga ilirët të cilët dikur popullonin gadishullin me të njëjtin emër që sot e njohim si Ballkan, e për shkak të dyndjeve sllave dhe barbare për t’u tkurrur dhe mbledhur në trevat ku banojmë sot e dikur ishin albanët, me emrin e të cilëve njihemi në botë. Ne jemi edhe më homogjenë se gjermanët që janë një përzierje fisesh barbare, apo francezët që janë një përzierje gjermano-latine dhe kemi një udhëtim në unitet mes mijëvjeçarëve.

Gjuha, një tjetër element bashkues i yni, nuk ka ndryshime të mëdha as në skajet e saj, ku një mitrovicas kuptohet fare mirë nga një çam Konispoli. Konsakrimi i saj si standarde me mbizotërimin e dialektit jugor, ku edhe ky i fundit ka larminë e vet, mjaft të kujtojmë të folmen korçare me atë vlonjate, ka patjetër ndikim politik. Por çdo gjuhë standarde e një kombi modern është pasojë e një vendimi politik. U zgjodh si bazë gjuha e Naim Frashërit, meqë ai ishte poeti ynë kombëtar. Kujtoj që të tillë e cilësoi Ahmet Zogu dhe jo Hoxha, të cilit i dukej më tërheqës dialekti i Shqipërisë së Mesme. Sikurse gjuhën e toskanit Dante mbase nuk e donin sicilianët apo vetë piemontezët që ishin promotorët e bashkimit të Italisë. Por këto janë vogëlsira që harrohen me ikjen e dekadave. E vërteta është që veriorët e kanë të vështirë të flasin gjuhën standarde, por me kalimin e viteve dhe kryqëzimin e popullsive, kjo është një pengesë që tejkalohet dhe ne kemi sot veriorë që flasin pastër gjuhën standarde në publik dhe dialektin në familje. Sikurse i nënshkruari në shoqëri fliste dialektin shkodran dhe në shtëpi atë përmetar.

Por le të kthehemi te ndarja e popullsisë sipas trevave dhe krahinave.

Ka zëra sot në publik që e ndajnë kombin në kosovarë dhe shqiptarë. Kjo ka filluar dhe ndihet më shumë në Kosovë. Do isha naiv nëse do ta quaja këtë pasojë të një frustrimi të tyre personal.

Pastaj ka zëra që vetë Shqipërinë e ndajnë në toskë e gegë, verior e jugor, e pastaj kalohet në nënfisha të tjerë. Nëse kjo do të ishte lojë Facebook-u, edhe shtyhet. Por problemi është që nganjëherë këto teza marrin edhe gojë politikanësh, dhe kjo është e rrezikshme sidomos në kohët e sotme. Sot në botë vlejnë numrat. Sa më e madhe popullsia, aq më peshë ke në tavolinat e diplomacisë. Historia jonë është një dëshmi. Në vitin 1913 një ndër arsyet e copëtimit të shqiptarëve ishte numri i tyre i vogël. Kosova me 500 mijë banorë, qofshin këta edhe mospranues ndaj saj, mund t’i jepej kollaj Serbisë që kishte 4.7 milionë. Por në vitin 1999 nuk mund të lihej nën qeverisjen e Serbisë me 7 milionë një popullsi që ishte sa 1/3 e saj e për më shumë armiqësore.

Në vitin 1913 një milion e ca shqiptarë mund të copëtoheshin për të kënaqur orekset e sllavëve apo të grekëve. Kurse në vitin 2025 nuk mund të shpërfillësh kërkesat e një kombi si yni që numëron përafërsisht po aq popullsi sa Serbia, Greqia, apo Bullgaria, dhe shumë më tepër se Kroacia apo Maqedonia. Numrat, janë në botë sot faktor. Ndaj kush përpiqet për një fragmentarizim të numrave tanë, e pakta është idiot, normalja është të jetë i shitur. Mund të mos ta kesh qejf dikë, dhe për këtë i vesh petkun e krahinës. Kjo është sa primitive aq dhe e padëmshme kur bëhet në kafene. Kur merr zë publik, këtu fillon problemi politik. Shqiptarët janë pak dhe nuk duhet të bëhen shumë më pak. Veç e veç na hanë kollaj. Bashkë është e pamundur. Është ky një lloj imperializmi? Ashtu qoftë./dritare.net