Na ndiqni edhe në

Editorial

Shembja e Iranit dhe pasojat për Shqipërinë

Shembja e Iranit dhe pasojat për Shqipërinë

Nga Dritan Hila

Gati gjysmë shekulli pas përmbysjes së Shahut dhe vendosjes së republikës islamike, edhe kjo e fundit rrezikon përmbysjen e saj dhe një tronditje të thellë të gjithë Lindjes së Mesme.

Kur në vitin 1979 Ajatollah Khomeini përmbyste Shahun, Irani ishte 40 milionë banorë dhe prodhonte 6 milionë barila naftë. Menjëherë plasi lufta me Irakun dhe bota u përfshi nga terrorizmi i markës islame. 47 vite më vonë Irani ka gati 90 milionë banorë. Megjithëse prodhon gjysmën e sasisë së naftës, kapacitetet e tij nuk janë reduktuar aspak, përkundrazi filli ideologjik e ka bërë më të rrezikshëm.

Irani nuk është një shtet rudimentar i qeverisur nga një diktator dhe dyzet zagarë që vrasin e vjedhin në vend të tij. Përkundrazi, është një republikë teokratike me një sistem të ndërlikuar ku mpleksen rryma, interesa, etni, që e bëjnë jo të thjeshtë një ndërrim regjimi. Vetë sistemi i tij politik e tregon këtë.

Irani ka një parlament prej 290 anëtarësh, por kryesisht me funksione konsultative pasi ligjet e tij duhet t’i nënshtrohen aprovimit të Këshillit të Rojeve sikurse edhe në zgjedhje kandidatët duhet të miratohen nga ky këshill. Këshilli i Rojeve ka 12 anëtarë, ku 6 prej tyre i emëron Lideri Suprem dhe 6 të tjerët Urdhëri i Gjykatësve. Këta ngjasojnë me një byro politike të kohës së monizmit që mbështesin Liderin Suprem, por ja ku dalim te rasti i qenit që kafshon bishtin, pasi këta të 12 duhet të miratohen nga Parlamenti. Kur ka kontradikta, hyn në lojë Këshilli i Interesit Kombëtar, i cili bën rolin e ndërmjetësit, por edhe të këshilltarit të Liderit Suprem në fushën e politikës së jashtme. Kuptohet që në majë qëndron Lideri Suprem që merr vendimet përfundimtare, por ja që edhe ky ka një digë që është Asambleja e Ekspertëve me 86 anëtarë, që të gjithë klerikë, që zgjidhen çdo 8 vjet dhe kanë të drejtë të anulojnë urdhrat e Liderit Suprem. Por kandidatët që zgjidhen në këtë organ miratohen nga Këshilli i Rojeve.

I gjithë ky sistem është sajuar në mënyrë që të kufizojë pushtetin absolut të një njeriu dhe jo më kot quhet republikë teokratike.

Këtij kompleksi i shtohet Garda Revolucionare, një shtet brenda shtetit kjo.

Pastaj këtu shtohen mpleksjet e etnive. Për shembull azerët janë 20 milionë, dy herë më shumë se në Azerbajxhan. Presidenti i Iranit është azer.

Irani është një shtet me histori 2.500-vjeçare me ndikim jo vetëm demografik, por edhe historik e kulturor në rajon. Persët ishin ata që shtynin helenët për të hyrë në portat e Evropës. U ndeshëm më vonë me Aleksandrin e më pas me romakët. Pavarësisht tkurrjeve apo zgjerimeve, persishtja ishte gjuha e kulturës e Lindjes së Mesme. Në oborrin e sulltanëve otomanë, ajo ishte gjuha e oborrit.

Vetë Persia ishte qershia mbi tortë, e cila dikur quhej Gjysmëhëna e Artë nga ku vinte gruri, erëzat dhe jo pak herë zakonet e perandorive evropiane.

Ndaj një përmbysje e ajatollahëve nuk ka për të qenë një punë e thjeshtë dhe as me ndikim lokal sikurse Siria apo Libia. Irani është një vend që ka bërë luftëra dhe e njeh luftën. Natyrisht që nuk i ka kapacitetet e amerikanëve, por as janë të ngjashëm me shtetet e rajonit. Ushtria e tyre është një ushtri ideologjike. E mpleksur me zjarrin fetar, e bën të rrezikshme.

Vetë iranianët janë popull me ndjesi imperiale. E njohin historinë e tyre dhe janë krenarë për të. Për më tepër, duke qenë lider të botës shiite, ndikimi i tyre nuk mbyllet në kufijtë politikë të tij.

Iranianët kanë një shtet i cili ka punuar edhe në rekrutimin e asaj që quhet soft power. Intelektualë, gazetarë, njerëz me influencë të botës perëndimore, janë thirrur si vizitorë apo janë sponsorizuar që të bëjnë kolonën e pestë në vendet nga vijnë në mbështetje të interesave të Iranit apo më deklasifikimin e qeverive që janë armiqësore me Iranin. Shqipëria është një ndër vendet ku kanë investuar në gazetarë dhe intelektualë të kësaj prerjeje. Jo rastësisht të tillët janë armiqësorë sa herë qiraxhiu i bulevardit Dëshmorët e Kombit, i ka punët keq me mullahët e Teheranit.

Ndaj shembja e Iranit nuk ka për të qenë punë e lehtë. Por nëse ndodh, pasojat do të jenë të ngjashme me një lëvizje tektonike që do ndikojë për 50 vitet që vijnë./dritare.net