
Nga Dritan Hila
U bë një dosje tjetër që i hapet Berishës, e cila ka lidhje me 21 janarin. Është e dyta por jo e fundit.
Perëndimi i tij ngjan me atë të shumë udhëheqësve autoritarë apo diktatorialë, të cilët në moshën e shtyrë, kalojnë ditët e fundit dyerve të prokurorisë. Mjafton ky imazh për të kuptuar se kambana ka rënë tashmë për të. Ngjan me Pinoçetin, Kraksin, apo së fundmi me Berluskonin. Asnjëri prej tyre nuk i kaloi vitet e fundit në burg, por pleqëria e tyre ishte një kalvar dyerve të prokurorive e gjykatave, dhe emri i tyre i rrënuar. Secili prej tyre pati një karrierë më të ndritshme se ajo e Berishës dhe sjellje më dinjitoze përpara drejtësisë dhe historisë.
Kurse historia e Berishës e tejkalon çdo paraardhës për sa i takon frikës nga pasojat e veprimeve të tij dhe mungesës së dinjitetit për t’u përballuar me të shkuarën. Dhe ia tejkalon në bezdinë që kanë të tjerët të kujtojnë marrëdhëniet që kanë pasur me të.
Berisha është histori e mbyllur për amerikanët. Vizita e Fleming në Tiranë dhe shmangia e takimit me të, ishte asgjë më shumë sesa rikonfirmim i statusit “nongrata”. Status që tashmë edhe Rama mbase do që mos ta ketë Berisha, pasi i duhet një dordolec në opozitë, por që për amerikanët është histori e mbyllur. Edhe në ju heqtë formalisht, Berisha për ta është një rast i arkivuar. Mesa duket këtë e kuptoi La Civita dhe shoqëritë e lobimit që si për t’u tallur i morën edhe 8 milionë dollarë.
Më shumë se mospranimi amerikan, fati i Berishës është vulosur nga anglezët. Atë nuk ka para që e kthen pas. Njeriu i certifikuar edhe nga gjyqësori anglez si i lidhur me krimin dhe trafiqet, është një damkë që vetëm Noriega e pati. Le të lodhet sa të dojë Berisha dhe klakerët e tij duke e quajtur shtet trafikant narkotikësh, këtë medalje angleze tash për tash e ka vetëm Berisha.
Dhe si për të vërtetuar aksiomën që kur të vjen vdekja, shkon e përmjerr në derë të xhamisë, është sulmi që i bëhet ambasadorit të BE. Berisha nuk është se po mbyll një derë. Nuk ka asnjë logjikë ky sulm. Thjesht po tregon tërbimin e tij, për një mbyllje kaq të palavdishme të jetës së një politikani. Të një njeriu që si bosht të sjelljes së tij, pati vetëm pasurimin.
I vetmi që nuk i ka mbyllur derë Berishës është Edi Rama i cili nuk kuptohet nëse tallet apo si garanci se në rreshtimin e historisë do të jetë gjithmonë një radhë më përpara tij./dritare.net