
Nga Rudina Xhunga
Unë isha në Prishtinë më 1 gusht. Dhe nuk mund të kishte ditë më të mirë për të qenë atje. Fillimi i pushimeve. Fillimi i verës që na bashkon. Sepse nuk ka pushim të plotë pa njerëzit tanë. Dhe Kosova është e jona, siç jemi edhe ne të saj.
Shpesh, kur vijnë nga Kosova në Shqipëri për pushime, nuk i trajtojmë si turistë. Dhe kemi të drejtë. Sepse nuk janë. Janë vetja jonë. E ndjejmë që jemi një. Na është detyruar një ndarje artificiale, por zemra nuk ndahet me kufij. Zemra i njeh të vetët. Kosova është vetja jonë.
Shqipëria dhe Kosova ndajnë një det që i mungon njërës dhe e ofron tjetra. Ndajnë male, ndajnë histori, ndajnë plagë që nuk ia njohim, as ia ndjejmë siç do duhej, njëra-tjetrës.
Por mbi të gjitha, ndajnë të ardhmen. Dhe kjo e ardhme nuk mund të ndërtohet vetëm me kujtime lufte apo diktature. Kjo e ardhme ndërtohet me dashuri. Me afërsi. Me pushime të përbashkëta. Me ftesa që nuk bëhen për mirësjellje, por sepse na mungon njëri-tjetri.
Kosova ka ardhur në Shqipëri. Ka blerë shtëpi në bregdet. Ka zbuluar detin që dikur ia morën me forcë. Ka gjetur mikpritjen që i takon. Por tani është koha që edhe Shqipëria të shkojë në Kosovë. Sepse pushimet janë edhe një udhëtim drejt vetes. Dhe nëse Kosova është pjesë e vetes, nuk duhet të mungojë në itinerarin tonë.
Shumë pak shqiptarë nga Shqipëria e vizitojnë Kosovën. Prishtina është jetë, është kulturë urbane, është energji e mire. Peja është një magji në mes të verës, kur Tirana digjet nga vapa. Gjakova është kujtesë dhe krenari. Prizreni është kartolina më e bukur që mund të japim për të treguar çfarë jemi në të vërtetë: një komb, një histori, një zemër.
E kam thënë dhe do ta them sërish: Kur Kosova mungon në Shqipëri, është si të mungojë një dorë. Një gjymtyrë. Një mungese që nuk të lejon të ndihesh i plotë. Dhe kur Shqipëria mungon në Kosovë, ndjesia është e njëjtë. Bosh. Dhe ky boshllëk nuk mbushet me fjalë. Mbushja vjen me prani. Me kohë të kaluar bashkë. Me njohje të ndërsjellë.
Prandaj, kjo verë duhet të jetë një verë që na rikthen te njëri-tjetri. Në Shëngjin dhe në Prizren. Në Vlorë dhe në Pejë. Në Qeparo dhe në Gjakovë. Sepse vetëm kur jemi bashkë, vendi bëhet më i madh. Vetja jonë bëhet më e fortë. Dhe ëndrra shqiptare bëhet reale.
Le t’i kalojmë pushimet bashkë, në Shqipërinë tonë të madhe. Në Shqipërinë e shpirtit. Në Shqipërinë e pa ndarë.
Gëzuar gushtin!
Rudina/dritare.net

















