Na ndiqni edhe në

Editorial

Gushti im me libra dhe një ftesë për ty

Gushti im me libra dhe një ftesë për ty

Nga Rudina Xhunga

Për të bërë gati valixhen e pushimeve, nuk duhet të harroj diçka shumë të rëndësishme. Diçka që e dua shumë, që më jep mundësinë të shijoj pushimet, që më qetëson, më çliron, më frymëzon, më ndihmon të jem gati për shtatorin.

Dhe ky është: libri.

Sot kam ardhur në librarinë Babel për të marrë disa libra. Nuk janë të gjithë të rinj, por disa janë. Disa janë të fundit, disa janë të tillë që unë ende nuk i kam lexuar.

“Mustaqet” – një libër ndër më të fundit.

Alinda Dudaj, botuesja, më ka thënë disa herë:

“Lexoje patjetër!”

Unë do të doja shumë të lexoja çdo ditë, por nuk e bëj dot. Portali, televizioni online, rutina me lidhin para telefonit, gjë që më dhemb.

Dhe kur i them vajzës sime: “Lexo!”, dhe ajo është me celularin në dorë, pyes veten:

Pse duhet të lexojë ajo, nëse unë vetë nuk po lexoj?!

Për fat vjen gushti që mezi pres ta kaloj duke lexuar.

Librat më të fundit. Librat që kam zgjedhur vetë.

Mund të jesh thjesht në ballkonin e shtëpisë, por kur ke një libër të mirë në dorë, zhytesh në një botë tjetër.

Një botë që, edhe po të shkosh fizikisht atje, nuk mund ta shijosh e njohësh dot, siç e njeh dhe shijon kur lexon. Po, unë flas tani dhe mendoj me vete:

Për shembull, këto janë disa nga librat që kam marrë me vete këtë verë:

“Tre” – roman i ri nga shtëpia botuese Dudaj.

“Një ditë më parë” – nga Fabio Volo.

E kam ndjekur, më pëlqen. E kam intervistuar dhe më ka lënë mbresë.

Më kujtohet një detaj kur tha:

“Unë shpesh ndihem i dëshpëruar. Por pastaj shkoj në supermarket, shoh fytyrën e arkëtares dhe mendoj sa e mirë është jeta ime. Të paktën bëj punën që dua.”

Gushti im me libra dhe një ftesë për ty

Të them të drejtën, asnjëherë nuk e bëj me lehtësi çantën e pushimeve. Njëherë harroj rrobat e banjës, njëherë karikuesin, njëherë sandalet e darkës. Bezdisem. Them: “Sikur të m’i zgjidhte dikush, të m’i sillte, të më thoshte: ja ku janë, i ke gati.”

Por kur vjen puna te librat, nuk i largohem instinktit. Ai më udhëheq. Dhe më ndodh që kur marr librin në dorë, e ndjej menjëherë nëse është për mua apo jo. Ka një lidhje fizike, si një kontakt me diçka të gjallë. Dhe nëse ndodh të mos e përfundoj, nuk e quaj humbje, thjesht nuk ishte koha e duhur. Shpesh i kthehem më vonë dhe më flasin ndryshe. Ka edhe nga ata libra që u rikthehem çdo verë. Janë si miq të mirë që të japin jetë, që të kujtojnë kush je dhe ku je. Librat janë rrugë pa kthim, por janë edhe kthim në veten tënde. Ndaj për këtë verë, jam e sigurt që kam bërë zgjedhje të bukura.

Dhe jam gati: Për të lexuar. Për të pushuar. Për t’u rikthyer. Po ti, çfarë do lexosh këtë verë? / dritare.tv