
“E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!” ky slogan i 8 Dhjetorit nuk është thjesht një fjali historike. Është një betim që çdo brez e ka marrë në duar dhe ende po përpiqet ta çojë deri në fund.
Atëherë studentët dolën me frikë, por me shpresë. Sot ai brez eshte i lodhur, por me të njëjtën etje për dinjitet, drejtësi dhe jetë normale. Ata dolën kundër një diktature të hapur.
Tani nuk ka më frikë nga fjala, por nga heshtja. Frikë nga ikja. Nga boshatisja. Nga humbja e shpresës.
Evropa sot nuk është më vetëm një ëndërr politike. Është një masë krahasimi. Është pyetja që vret: pse atje jetohet me rregulla dhe këtu me përjashtime? Pse atje ligji mbron dhe këtu negocion?
Atëherë nuk donim të shkonim një nga një në Evropë. Por bashkë.
Se Evropa për ne është normaliteti.
8 Dhjetori ishte një shpërthim shprese. Sot është një thirrje ndërgjegjeje. Atëherë u rrëzua një mur. Sot duhet të rrëzojmë një mendësi: që ky vend nuk bëhet.
Shqipëria bëhet. Por jo pa ne. Jo nëse ikim secili në fatin tonë. Jo pa besuar që vetëm bashkë mundemi.
“S’e duam Shqipërinë si gjithë Europa. E duam në Europë.”
Sot ky slogan nuk është nostalgji. Është një kusht për të jetuar këtu./Dritaredigjitale