Na ndiqni edhe në

Editorial

Dekorimi i Ambasadorit Walker, më mirë vonë se kurrë!

Dekorimi i Ambasadorit Walker, më mirë vonë se kurrë!

Nga Dritan Hila

Masakra e Reçakut ishte ajo që ktheu fatin e luftës në Kosovë. Deri në atë moment Perëndimi i lodhur nga lufta e Bosnjës, bënte një sy qorr e një vesh shurdh për përpjekjet me armë mes forcave të UÇK-së dhe reparteve policore dhe ushtarake serbe. Propaganda serbe ishte në gjendje t’i paraqiste këto përplasje si pjesë e luftës kundër një grupi terrorist të vogël në numër, të cilët nuk kishin përkrahjen e masës së madhe të popullsisë dhe as të faktorëve politikë në Kosovë.

Më vitet 1998-1999, zona e Reçakut ishte një zonë e nxehtë nga ku UÇK zhvillonte inskursionet e saj me prita ose sulme ndaj postave të policisë. Në përgjigje të këtij aktiviteti, forcat serbe në janar rrethojnë zonën duke bërë bastisje në tapet.

Në 15 janar 1999 misioni i vëzhgimit i OSBE-së i kryesuar nga William Walker njoftohet për një masakër civilësh. Vetëm pasi thyejnë refuzimin serb për të inspektuar zonën, në datë 16 Walker dhe grupi i tij identifikon 40 trupa të shpërndarë në rrethinat e fshatit, mes tyre tre gra dhe një fëmijë 12 vjeç. Pesë trupa të tjerë ishin tërhequr nga familjarët.

Grupi i kriminalistikës serbo-bjelloruse, i çuar në vendngjarje nga autoritetet serbe, deklaron se kemi të bëjmë me terroristë. Por më vonë grupi i OSBE-së i kryesuar nga kriminologjia finlandeze Helene Ranta, konstaton se viktimat ishin thjesht civilë në duart e të cilëve nuk kishte shenja baruti, pra nuk kishin shkrepur armë, dhe plagët ngjanin me një ekzekutim të shkaktuar nga shtënie nga distancë e afërt.

Vetë Walker e përshkruan kështu impaktin e parë me të vrarët:

“Trupi i parë ishte e mbuluar me një batanije dhe kur e hoqën pashë se nuk kishte kokë - vetëm qafa e copëtuar. Dikush më tha se koka ishte në anën tjetër të grykës dhe më pyeti nëse doja ta shihja atë. I thashë: Jo, e kam të qartë këtë histori. U gjetën edhe tre trupa të tjerë. Ata dukeshin si burra të moshuar, me flokë të thinjur. Kishin plagë në kokë dhe gjak në rrobat e tyre. Pastaj një grumbull më i madh trupash. Nuk i numërova. Shikova që kishin shumë vrima në kokë - në ballë dhe në pjesën e pasme të kokës. Një çift kishte plagë plumbash që i kishin nxjerrë sytë. Më thanë se kishte trupa të tjerë më lart dhe mbi kreshtën e kodrës dhe u pyeta nga gazetarët dhe inspektorët nëse do të ngjitesha dhe do të shihja pjesën tjetër. Thashë: “Kam parë mjaftueshëm”.

Raporti i Walker ishte një shkundje për perëndimin që nuk donte të shikonte se Srebrenica po fillonte të përsëritej dhe Millosheviçi nuk korrigjohej.

Më pas ishte ndërhyrja e presidentit Klinton që hoqi siguresën e NATO-s për të filluar sulmin mbi Serbinë.

Sot, kur ka kaluar gati një çerek shekulli, Serbia por edhe gazetarë filoserbë të majtë, që dashuria për ish-Jugosllavinë e vetë administrimit nuk iu është shuar, kanë hedhur teorinë që masakra e Reçakut ishte një masakër e inskenuar nga UÇK për të fajësuar serbët. Nuk kanë asnjë fakt për këtë, por në një botë ku teoritë komplotiste kanë marrë superxhiro, ka filluar zë vend edhe kjo gënjeshtër. E ndërkohë historia ka dëshmuar se krejt e kundërta ka ndodhur shpesh. Siç është masakra e “Bar Panda” në Pejë në 15 dhjetor 1998, ku dy persona të armatosur hapën zjarr duke vrarë 6 dhe plagosur 15 serbë që frekuentonin kafenenë. Për këtë u akuzua UÇK-ja, por më vonë vetë qeveria serbe pranoi që ishte e organizuar nga shërbimi sekret serb.

Kontributi i ambasadorit William Walker ishte vendimtar për çlirimin e Kosovës. Dekorimi i tij është një mirënjohje pak e vonuar, por më mirë vonë se kurrë. Të paktën ia dhamë sa është ende gjallë dhe nuk ndoqëm zakonin tonë që qokat i bëjmë vetëm me të vdekurit./dritare.net