
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka uruar Kryeministrin shqiptar Edi Rama për fitoren në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, ku Partia Socialiste siguroi një fitore të thellë, duke i dhënë Ramës mandatin e katërt radhazi si kryeministër.
Në mesazhin e saj, Meloni shprehu urimet më të përzemërta për rizgjedhjen e Ramës dhe theksoi miqësinë e thellë dhe bashkëpunimin strategjik mes Italisë dhe Shqipërisë. Ajo vuri në dukje se këto marrëdhënie janë forcuar më tej falë nismave të përbashkëta, rezultat i një dialogu konstruktiv dhe dëshire së përbashkët për të përballuar sfidat globale me zgjidhje inovative. Meloni shtoi se do të vazhdojnë të punojnë për të forcuar më tej lidhjen midis dy qeverive dhe për të arritur objektiva të përbashkëta, duke përfshirë forcimin e stabilitetit në Ballkan dhe avancimin e rrugës evropiane të Shqipërisë.
“Do të doja t’i shprehja urimet e mia të përzemërta kryeministrit Edi Rama për rikonfirmimin e tij si kreu i qeverisë shqiptare.
Miqësia e thellë dhe bashkëpunimi strategjik që lidh dy kombet tona është forcuar më tej falë nismave të përbashkëta, rezultat i dialogut konstruktiv dhe një dëshire të përbashkët për t'iu përgjigjur sfidave globale me zgjidhje inovative. Ne do të vazhdojmë të punojmë për të forcuar më tej lidhjen midis dy qeverive tona dhe për të arritur objektiva të përbashkëta, duke përfshirë forcimin e stabilitetit në Ballkan dhe avancimin e rrugës evropiane të Shqipërisë.”, thuhet në urimin e Melonit.
Kjo deklaratë vjen në një moment kur Shqipëria synon të avancojë në procesin e integrimit evropian, dhe mbështetja e Italisë, një prej partnerëve më të ngushtë të Shqipërisë në BE, është e një rëndësie të veçantë./K.C/dritare.net

















