Na ndiqni edhe në

Editorial

Arrestimi i Metës si një çlirim për Berishën dhe fund për PL!

Arrestimi i Metës si një çlirim për Berishën dhe fund

Nga Dritan Hila

Me lënien në burg të Ilir Metës, periudhë që nuk ka për të qenë e shkurtër, PD-së i krijohet mundësia të merret me hallet e veta. Natyrisht që nuk do mungojë të citojë në deklaratat e saj Metën si pjesë e opozitës së burgosur por kjo vetëm si garniturë në funksion të Berishës. Tashmë PL nuk i hyn më në punë.

Kjo është një fazë e re ku PD do të përqendrohet në problematikën që ka me liderin e saj dhe zënien e terrenit që ka humbur nga kriza tre vjeçare dhe mbushjen e asaj që lë bosh PL.

Ndalimi i Metës, i jep mundësi reale PD-së që të refuzojë dhënien për PL të disa pozicioneve të sigurta në listën e deputetëve. Me një Metë të lirë dhe një PL që ende nuk ishte provuar në fushatë për qeverisjen qendrore, Meta do ta mbante stekën shumë lart. Zgjedhjet e fundit bashkiake ku PL i mori gjithë këshilltarët bashkiakë PD, tregoi se ka pak dashuri e shumë llogari mes tyre. E për më tepër mes dy anëtarësive nuk ka pasur kurrë dashuri. Tani çfarë do t’i jepet nga PD, nëse i jepet, ka për të qenë vetëm sadaka.

Vështirë të mendohet që përveç halleve që ka , PD do të mbajë edhe hallin e PL.

Sa i takon fatit të PL, me spastrimin e fundit që bëri Meta duke larguar emra që thoshin diçka dhe zëvendësuar me anonimë, ai siguroi mbretërimin në parti por realizoi edhe kioskëzimin e saj, të ngjashme me miriadën e partive që figurojnë vetëm në listën e KQZ. Është rasti tipik kur prish gjymat për të bërë kanaçe. Me ndarjen Meta-Kryemadhi si çift, sido që të jetë, fake apo reale, Kryemadhi do ta ketë të vështirë drejtimin e PL edhe për faktin se bie strategjia që mund të kenë menduar të mbrohen në gjyq.

Tashëm PL ka mbetur në dorë të Tedi Blushit, një gazetari të papunë që Meta e bëri sekretar të përgjithshëm për të treguar që pranonte këtej e tutje vetëm papagaj pa tru. Tashmë ajo parti është zero nga kapacitetet intelektuale.

Me nxjerrjen nga qarkullimi të Metës, partia humbet burimet e financimit. Dhe ky aspekt është shumë i rëndësishëm për një parti, sidomos të tipit të PL e cila ka funksionuar si zyrë punësimi dhe tenderash. Ca më tepër me akuzën e korrupsionit që ka kryetari i saj, pakkush nga bizneset do ketë guximin t’i afrohet arkave të PL.

Historia e LSI ishte një histori që nisi si iniciativë për një pol të tretë por përfundoi në një sipërmarrje familjare. Dhe historia e këtyre lloj sipërmarrjeve nuk zgjat më shumë sesa dy dekada dhe jeta aktive e pronarit të saj. Pas kësaj ne do të shohim shuarjen e saj e cila në ndryshim nga simotrat që ikën në heshtje, si muzikë funebre do të ketë deklaratat e ca guhakëve që Ilir Meta la si mëkëmbës të tij. Do të jetë ndër ato raste kur vakitë të bëjnë më shumë për të qeshur se për të qarë./dritare.net