Himni i parë i flamurit u regjistrua në New York në 1918! Roli i Spiridon Ilos
Dritare.net

Në një rrëfim të jashtëzakonshëm për historinë e simboleve kombëtare, drejtori i Muzeut të Forcave të Armatosura, Niko Kotherja, zbuloi detaje të panjohura më parë rreth regjistrimit të parë audio të Himnit të Flamurit. Gjatë intervistës në emisionin 'Dekalog', Kotherja shpjegoi se ky regjistrim nuk është bërë në Shqipëri, por në New York, më 28 mars të vitit 1918.
Protagonistët e kësaj ngjarjeje historike ishin tenori Giuseppe Mauro dhe Spiridon Ilo, një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë.
Sipas Kotheres, Mauro, i cili kishte pasur kontakte me komunitetin shqiptar të Bukureshtit dhe më pas të Amerikës, realizoi disa disqe gramafoni, përfshirë edhe variantin e parë të himnit. Ky version vjen në disa forma, si solo nga Mauro, me orkestër, por edhe si duet me Spiridon Ilon, i cili mbante zërin e dytë. Ky zbulim hedh poshtë shumë teza mbi dokumentimin e hershëm të muzikës patriotike shqiptare.
Një tjetër fakt interesant që doli nga biseda është se Spiridon Ilo nuk ishte thjesht një firmëtar apo patriot, por edhe një sipërmarrës kulturor. Në vitin 1923, ai themeloi shtëpinë e parë diskografike shqiptare në New York, të quajtur 'Albanian Phonograph Records'.
Kjo iniciativë tregon vizionin e diasporës për të ruajtur dhe dokumentuar zërin dhe muzikën shqiptare në një kohë kur teknologjia ishte luks. Kotherja theksoi se këto regjistrime janë thesare të muzeut dhe dëshmi e qartë se patriotizmi shprehej jo vetëm me armë, por edhe me art dhe kulturë./dritare.net
