Bletari: Mjalti Manuka, abuzimi më i madh në treg. Zelanda e Re s’furnizon dot botën; ajo që shitet këtu është mashtrim
Dritare.net

Në emisionin “Shqip" të Rudina Xhungës në DritareTv, apiterapeuti dhe bletari me 55 vite eksperiencë, Bedri Statovci, ngriti një nga alarmet më të forta për konsumatorët: mjalti Manuka që shitet në tregjet shqiptare dhe kosovare është mashtrimi më i madh ushqimor.
“Është turpi i botës të shitet Manuka në Prishtinë e Tiranë”, tha ai.
Statovci foli hapur:
“Nuk ka shans mjalti Manuka të vijë këtu. Zelanda e Re nuk e furnizon dot as tregun e vet, jo më gjithë botën. Ajo që shitet këtu është absurdi i absurdeve.”
Ai e konsideroi këtë fenomen si manipulim të konsumatorëve dhe një treg të mbushur me produkte të dyshimta.
Pse Manuka nuk është ajo që na shitet?
Sipas Statovcit:
• Prodhimi i saj është shumë i kufizuar.
• Zona e Manukës në Zelandë të Re është e vogël.
• Kërkesa globale është qindra herë më e madhe se prodhimi real.
• Nuk ka mundësi logjistike që mjalti origjinal të mbërrijë në Ballkan në sasi të mëdha.
“Ajo që shitet këtu si Manuka, të paktën 99%, nuk ka lidhje me bletën. Është produkt tregu, jo natyre.”
“Analfabetët dhe të sëmurët e ngritën Manukën në qiell”
Statovci shpjegoi se kultin e Manukës e krijuan:
• njerëz me probleme shëndetësore
• marketingu agresiv
• padija dhe mungesa e analizave profesionale
Dhe theksoi:
“Mjalti Manuka dominon vetëm me një element, një lloj antibiotiku. Por mjaltit i duhen shumë më tepër elemente për të qenë shërues.”
Mjalti vendas është më i vlefshëm se Manuka
I pyetur nga Rudina Xhunga, Statovci e pohoi fort:
“Mirë bëni që qëndroni te mjalti i vendit. Mjalti ynë, shumëngjyrësh, ka shumë më shumë vlera se Manuka.”
Ai theksoi se vlerat e Manukës janë të ekzagjeruara, ndërsa vlerat e mjaltit të rajonit tonë janë të pavëna në dukje, por shumë të mëdha shkencërisht.
Thirrja për konsumatorët
Statovci paralajmëroi:
• Mos blini Manuka në tregun shqiptar!
• Mos besoni çfarë shkruhet në kavanoza pa analizë!
• Ruani paratë dhe shëndetin tuaj!/K.C/dritare.net
