Bletari nga Kosova: Ka mjaltë që është helm! Ja si ta dalloni!
Dritare.net

Bedri Statovci, një bletar dhe apiterapeut me 55 vite eksperiencë, ngriti sot në “Shqip” nga Rudina Xhunga në DritareTV një alarm të madh për konsumatorët: Nuk është rreziku te sheqeri që u shtohet disa mjaltërave, por te helmi që mbetet brenda tyre nga trajtimet e gabuara të bletëve.
“Rreziku më i madh nuk është sheqeri. Rreziku vjen nga helmi që mbetet në mjaltë kur bleta trajtohet me preparate të ndaluara. Ajo kalon në mjaltë dhe është e rrezikshme për shëndetin e njeriut”, tha Statovci.
Ai shpjegoi se shumë bletarë, nga padija ose nga mosrespektimi i rregullave, përdorin preparate si amitrazha, të ndaluara në standardet evropiane. Këto substanca mbeten në mjaltë dhe nuk duken me sy, as me shije, por janë të dëmshme për trupin.
“Edhe pas 55 vjetësh, mashtrohem. Vetëm analiza laboratorike e tregon të vërtetën”
Statovci e pranoi se:
“Edhe unë, pas 55 vjetësh me bletën, mashtrohem. Vetëm analiza laboratorike e bën dallimin e vërtetë, po këtu te ne nuk ka institute të specializuara.”
Sipas tij, as Shqipëria dhe as Kosova nuk kanë laboratorë të dedikuar të bletarisë, që të japin analizën e plotë të mjaltit.
Si ta zgjedhësh një mjaltë të sigurt?
Statovci theksoi se konsumatori duhet të:
• Blejë vetëm nga bletarë të besuar dhe profesionistë
• Të shmangë mjaltin e tregut pa etiketë
• Të kërkojë informacion mbi trajtimet që bletari i bën bletëve
• Të mos mashtrohet me çmimin, mjalti i lirë zakonisht fsheh probleme të mëdha
Ai theksoi:
“Mjalti që trajtohet keq mund të jetë helm. Mjalti që trajtohet drejt është shëndet.”
Dritarja e sigurisë ushqimore!
Rudina Xhunga në mbyllje paralajmëroi se biseda me profesionistë si Statovci është vetëm fillimi i një serie ndërhyrjesh mediatike për sigurinë ushqimore, “sepse çdo gjë nis tek ushqimi”/dritare.net