E reja u vetëvra, vetëdorëzohet në policinë e Lezhës ish-bashkëshorti i Xhuana Nikollit
Dritare.net

Është arrestuar Eraldo Fizi, i shpallur në kërkim që prej muajit mars të këtij viti, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj ish-partneres së tij, Xhuana Nikollaj, e cila më pas konsumoi medikamente dhe ndërroi jetë në spital.
Sipas informacioneve paraprake, arrestimi i tij u bë pas bashkëpunimit mes Komisariatit Nr. 2 në Tiranë dhe Komisariatit të Lezhës, si dhe pas kontakteve me familjarët dhe avokatin e tij, të cilët kanë bërë të mundur dorëzimin e tij. Aktualisht, Eraldo Fizi ndodhet në Lezhë, ndërsa pritet të transferohet drejt Tiranës, ku do të vijojnë procedurat përkatëse.
Xhuana Nikollaj dhe Eraldo Fizi ishin martuar në qershor të vitit 2025 në Lezhë, por martesa zgjati vetëm rreth tre muaj. Pas ndarjes, 25-vjeçarja ishte zhvendosur në Tiranë për të jetuar me motrat e saj. Fizi ishte kthyer nga jashtë vendit më 9 mars dhe dyshohet se ka shkuar në banesën e ish-bashkëshortes në Tiranë, ku mund të ketë pasur një përplasje mes tyre. Një ditë më pas, në orët e para të mëngjesit të 10 marsit, 25-vjeçarja konsumoi fostoksinë.
Sipas hetimeve, në trupin e saj janë konstatuar edhe shenja dhune në kokë, fytyrë dhe në njërin krah, ndërsa në banesë është gjetur edhe një letër që e reja u kishte lënë prindërve./L.F-dritare.net