Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Do të shpëtosh planetin? Ndrysho këto 5 zakone!

Do të shpëtosh planetin? Ndrysho këto 5 zakone!
Nga Xheni Hatillari

Që ta dini ky artikull, ka pasur këtë javë një audiencë para jush: miqtë e mi që siç duket të 20-tat i kanë gjetur më të ndërgjegjshëm për shëndetin e tyre dhe bie muhabeti më pyesin për këtë zgjedhje apo këtë tjetrën. Jo se unë jam njeriu më i shëndetshëm në botë (këtu mendoj fytyrat e miqve të mi teksa lexojnë këtë artikull e kujtojnë të gjitha herët që unë konsumoj ëmbëlsira e produkte fare, po fare të pashëndetshme), por ndonjë gjë edhe e kam mësuar nga ajo e uruar shkollë! Po kishim edhe Ditën e Tokës këtë javë kështu që te këshillat e mia kanë ardhur bashkë: shëndeti yt dhe i planetit tonë!

Sa fjalë të mëdha janë këto: “ndotja e planetit”, “jo po plastika”, “oqeani po mbushet me mbetje”! Jam e sigurt që në mendjet tuaja si dhe në timen të mbash një çantë cope në vend të qeseve është cool, gjithashtu mbajnë të gjithë hipsterat vërdallë fundja. Ose të dalësh me termosin çdo mëngjes nga shtëpia, duket si një proces që mund t'ju marrë kohë njësoj sa hekurosja e pantallonave me vijë në mes (ky është makth, ju betohem!) Por në fakt, rëndësia e kësaj rutine është thelbësore dhe me siguri po të kërkoni në internet ose minimalisht të lexoni për fushatën e aktivizimit të Greta Thunberg do të mësoni ca më shumë sesa po t'ju ligjëroj unë mes rreshtave! Në fakt, ajo që doja të bënim sot (ju dhe unë bashkë) është t'ia nisnim nga vetja, nga gjëra minimale të rutinës sonë (çantën e copës blijeni ore, është e rëndësishme dhe ajo) që sadopak të bëjmë më të mirë cilësisht jetën tonë pastaj atë të planetit!

1. Bli një furçë dhëmbësh prej bambuje!

Ju nuk e dini (dhe jam shumë e sigurt për këtë!) që më shumë se gjysma e popullsisë shqiptare në zona rurale s'përdor fare furçë dhëmbësh, lëre më të orvatet të flas për higjienë orale e kësisoj problematikash thelbësore. Po për ju që merrni erë nga kjo punë, sot hidheni furçën tuaj bazike të dhëmbëve! Bli një furçë dhëmbësh prej bambuje! Dhe po, ka në Shqipëri! Me një hulumtim të shpejtë në 2-3 vende, çmimi nuk shkon më shumë se 500 lekë të rinj.

Jo vetëm që shpërbërja e tyre në natyrë, pasi ta hidhni kërkon shumë më pak kohë për shkak të përbërjes, por duke qenë se një furçë plastike do minimalisht 450 vjet për t'u shpërbërë dhe ne përdorim minimalisht 4 të tilla në vit, duket si një zgjidhje e zgjuar! Krahas kësaj, nëse s'mendoni për planetin mendoni për higjienën tuaj: një furçë bambuje ka aftësi mikrobakteriale për shkak të përbërjes që do të thotë sipërfaqja e dhëmbëve tuaj do të qëndrojë për më gjatë e pastër! E mira është që bambuja është një ndër bimët që rritet më shpejt mbi sipërfaqen e tokës kështu oburra, bli dhe mos ia kurse vetes!

2. Hiq dorë nga pecetat apo tamponët menstrualë!

Kushedi sa dramë shkakton kjo frazë në titull. "Ç'do të na thuash tani, t'i rikthehemi napave të sterilizuara të gjysheve?!". Në fakt, duke parë gjithë dëmin që i shkaktojmë vetes duke përdorur produkte komerciale si pecetat menstruale apo të njohura rëndom si "lines", në ditët tuaja të ciklit. E di, këto ndryshime në rutinën tuaj mund të jenë frustruese dhe nuk është e thënë t’i bëni të gjitha përnjëherë. Ç'ka është me rëndësi të dini është që shumica e pecetave apo tamponëve përpara se të vijnë te ju, kalojnë procese të tëra fabrikimi e ndërmjet tyre trajtohen me kimikate të ndryshme për të qenë më efikase në përdorim. Por kjo është fiks, një thikë me dy presa. Të gjitha këto kimikate mund të përthithen nga mukoza e mureve vaginale duke depërtuar kështu në organizmin tuaj. Thënë kjo, shkurt po dëmtoni organizmin avash-avash. Në të tilla raste me çfarë ta zëvendësojmë do të thoni ju? Epo, me peceta apo tampon të cilëve, taksirat duhet t’' lexoni përbërjen (sigurohuni mos të kenë kimikate si Stireni, Klorometani, Kloroetani dhe Kloroformi, të cilat janë kancerogjene. Në rastin që jeni vërtetë gati për të shpëtuar shëndetin tuaj dhe të planetit, zgjidhni “kupat mestruale” (menstrual cups), që janë dhe zgjidhja/zgjedhja ime. Përpos faktit që janë disapërdorimshme (disa vjeçare) dhe ju zvogëloni ndotjen në mjedis deri në 2400 peceta menstruale më pak të depozituara në mjedis, ndryshimi higjienik për organizmin tuaj do të vihet re menjëherë në rastet që personat kanë predispozitë krijojnë alergji apo irritime. Ah, nuk e kam hasur ende në farmaci apo drugstore në Shqipëri shitjen e tyre, por sigurohuni që këtë blerjen ta bëni në udhëtimin tuaj të radhës. Vlera e tyre shkon në varësi të firmës nga 10-26 euro. Më falënderoni më vonë, vajza!

  1. Tani e tutje vetëm trajtime të bëra në shtëpi!

Të gjitha ju që mendoni se maskat që blihen të gatshme: skrab, maska rigjeneruese apo produkte të ngjashme janë më të lehta dhe më efektive, ky është momenti të ndryshoni mendim. Përpos qëndrimit tim skeptik dhe gjithnjë dyshues ndaj efektshmërisë së tyre për shkak të përbërjeve me parabene apo kimikate të ngjashme që dëmtojnë drejtpërsëdrejti organizmin tuaj, këto produkte përmbajnë në brendësi të tyre mikrombetje solide të fabrikuara të cilat filtrohen lehtësisht në proceset e pastrimit të ujit duke përfunduar në det apo oqean, lehtësisht i konsumueshëm nga peshqit dhe gjallesat e detit. Krahas kësaj studiuesit kanë gjetur në 90% të kripës që sërviret në restorante mbetje të këtyre mikrombetjeve. Ndaj që sot, zëvendësojeni këtë produkt me të tjera të ngjashme që ju gjenden në shtëpi dhe janë tërësisht organike!

  1. “Një pipë përgjithmonë ose asgjë!”

Kujtoni herën e parë që porositët diçka për të pirë dhe pipën që iu sollën së bashku më të! Me siguri, pak herë kanë qenë kur nuk ua kanë sjellë me një pipë shoqëruar. E di që mund të mendoni që diçka kaq e vogël s’mund të bëjë një ndryshim kaq të madh, por mbani vesh: VETËM PIPAT E PËRDORURA PËR NJË DITË mjafton për t’i rënë Ekuatorit DY HERË E GJYSËM! 100,000 mijë specie detare vdesin në vit nga ndotja plastike në oqean ku bëjnë pjesë dhe pipëzat aq të dashura. E nëse ende këto shifra nuk ju kanë trembur si mua dhe ende s’mendoni se mund t’ia dilni pa pipëza në jetë, ka zgjidhje dhe për ju: pipëza disapërdorimshme prej druri apo materiale më pak të dëmshme se plastika. I gjeni lehtësisht dhe në Shqipëri me një kosto minimale prej 200 lekë të rinj. Rrufitje të këndshme në vijim!

  1. Depilimi është një çështje ndërkombëtare dhe nuk bëj shaka!

Mund të mendoni që kjo është një shaka dhe sesi depilimi juaj mund të ketë një impakt në planetin tonë por në fakt, po! Për të gjitha herët që keni përdorur një brisk, çdo vit 2 bilionë brisqe depozitohen në mjedis! Por jo vetëm kjo, depilimi apo rruajtja me brisk konsiston në harxhim të ujit, një aspekt tjetër ku harxhohet 76 litra mesatarisht në muaj ujë! Ambientalistët sugjerojnë metoda më pak të kushtueshme dhe më pak të dëmshme për mjedisin si depilimi me makineri disapërdorimshme apo depilimin permanent. Ky është një muhabet tjetër, por besoj e kuptuat që rruga më e shkurtër na hap më shumë punë: qime më të shpeshta dhe mjedis më të ndotur! Katastrofë!/dritare.net