Djali që u arratis nga Vlora në komunizëm, sot bankier në Amerikë

Nga Dritare.net

Ishte vetëm 24 vjeç kur u largua nga Shqipëria në ‘87, për tu nisur drejt një udhëtimi të gjatë nga Jugosllavia për në Itali. Me vete kishte vetëm një çantë me pak ndërresa dhe siç thotë për Dritare.net, kishte veç rininë dhe shpresën.

Ky është rrëfimi i Shpëtim Shakaj, 55 vjeçarit nga Vlora, i cili sot jeton në Amerikë, por rruga deri atje ngjason me filmat e Hollywood.

Mamaja e tij punonte në fabrikën e peshkut dhe kur ishte në muajin e tetë të shtatzënisë, pësoi një aksident në punë. Si pasojë bëri lindje të parakohshme, pasi nuk po jepte shenja jete në bark. Edhe pse ishte me shëndet të mirë, ai u prek nga një autizëm i lehtë, i cili ekziston edhe sot. Thotë për Dritare.net, se ishte gjyshja e cila i vuri emrin Shpëtim, simbolikë e shansit të dytë. 55 vjeçari ka dhe një emër të dytë, Vito, shkurtim i Vittorio, që në shqip përkthehet si Fitimtar. Emër të cilin ia vendosën italianët, gjatë kohës që ishte atje.

“Kanë qenë prindërit e mi të cilët më kanë mësuar qëkur isha fëmijë të vlerësoja jetën dhe njerëzit që më rrethonin. Kjo ndikuar edhe nga eksperienca e tyre dhe vështirësitë për të qenë bashkë. Të dy janë me origjinë nga Smokthina magjepse e Vlorës dhe në atë kohë familja patriciane e babait tim, ishte në gjak me familjen e nënës sime. Prej dekadash të tëra ata vrisnin njëri-tjetrin për çështje hasmërie. Kanuni i Labërisë ishte tepër rigoroz dhe i patolerurshëm, nga ku sherret fillonin për hiç gjë. Por, mes shumë peripecive ata martohen bashkë dhe hasmëria u ndërpre.

Ne vitin 1964 im atë transferohet në Tiranë familjarisht për të mbaruar studimet në Akademinë Ushtarake, ku punoi edhe si pedagog deri në 1979.

Babai mundohej shumë të mos na mungonte asnjë gjë mua, motrave dhe vëllait tim. Por, si gjithë fëmijët në ato kohë, ne më tepër argëtoheshim duke krijuar vetë. Ose duke ndihmuar mamanë në kuzhinën tonë modeste.

Në 1983 mbarova studimet e shkollës së mesme të ndërtimit Karl Gega në Shkozet. Më pas nisa ushtrinë. Shërbimi ushtarak jo vetëm që më kaliti duke më dhënë një disiplinë të hekurt, por deti më dha edhe një farë interesi dhe pasioni të ri për t’u bërë kapiten anije.

Pas ushtrisë punova në flotën tregtare për dy vjet, për të vazhduar më tutje studimet e larta detare në Vlorë. Nga fundi i vitit 1986 inkuadrohem si radist i anijes tregtare 500 tonësh  ‘Lezha’”, thotë për Dritare.net Shpëtimi.

LEXO DHE :  Produktet ushqimore po shkaktojnë qindra viktima në botë. Ja pse!

Vështirësitë e mëdha ekonomike dhe kushtet e këqija, e detyruan që në prill të vitit 1987, të arratisej në Rijeka të Jugosllavisë, më pas shkon në Itali. Synimi i tij ishte i qartë, të prekte Amerikën. Ndaj çdo vend tjetër që shkelte, ishte veçse një urë drejt “tokës së ëndrrave”.

“Në qershor të 1988 emigrova në Chicago, ambientimi në Amerikë ishte tepër i vështirë. Që nga momenti i arratisjes në Rijeka e deri në shpërnguljen për Amerikë ishte një udhëtim i mbushur me peripeci nga më të ndryshmet. Ndonjëherë edhe të kërcënueshëm për jetën. Nuk njihja asnjeri, isha krejt i vetëm. Kisha me vete vetëm rininë, besimin në Zot dhe optimizmin.

Kam punuar shumë punë të ndryshme, teksa vazhdoja studimet për turizëm, industrinë e pasurive të patundshme, si dhe pengjeve financiare. Sot jetoj me familjen time në Orlando, Florida dhe punoj në firmën investuese Fusiller Relaty Group, si agjent marketingu (broker).

Edhe pse kam kaluar shumë peripeci në jetë, jam mirënjohës për gjithë gjërat e bukura që më kanë ndodhur dhe ato që kam sot.”

Duke u kthyer pas në kohë Shpëtimi thotë për Dritare.net, se një prej kujtimeve më të shtrenjta, ka kohët e vegjëlisë, kur çdo të diel shkonin në kinema Dajti për të parë filma apo shfaqje teatrale me kukulla. Që në fëmijëri e tërhiqte shumë arti, kultura, aq saqë donte të bëhej aktor ose shkrimtar. Kjo edhe pse babai i tij i krijonte shpesh përralla. Ndaj edhe i lindi ideja për të shkruar librin e tij të parë, ‘Një miqësi e veçantë’, i cili do të botohet së shpejti edhe në gjuhë të tjera.

“Ideja e shkrimit të novelës për fëmijë lindi në mënyrë spontane. Ngjason me një përrallë që im atë sajoi kur unë isha fëmijë dhe ma tregonte çdo natë. Ndërkohë mesazhi i tij është unik dhe pozitiv për të gjitha moshat.”

Shpëtimi thotë për Dritare.net se gjithë kujtimet e tij janë duke u hedhur në një roman biografik nga autori Mina Qirici me titullin Saga Vito. Ndërkohë në vitin që sapo hymë, do të jetë producent i filmit “Varri i të dashuruarave”, një ngjarje e bazuar në romanin “Nata e syrit të gjelbër”, nga Qirici./Dritare.net

1 Koment

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.