Dita e 14-të e protestës/ Çfarë po ndodh para Kryeministrisë!
Dritare.net

Protestuesit janë zhvendosur drejt Kryeministrisë me rënien e mbrëmjes, pas grumbullimit që nisi rreth orës 14:00 para Ministrisë së Arsimit, ku qëndruan për disa orë.
Para godinës së Kryeministrisë, protestuesit vendosën në të ashtuquajturën “sofra e dialogut” fotografi të kryeministrit Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç, të cilave më pas u vunë flakën.
Në ditën e 14-të të protestës, situata paraqitet e qetë dhe deri në këto momente nuk raportohet për incidente. Megjithatë, si edhe në ditët e mëparshme, mes protestuesve vijon të ketë persona të maskuar.
Një ditë më parë, protesta u shoqërua me tensione dhe akte dhune. Fillimisht, protestuesit hodhën gurë para Ministrisë së Arsimit, ndërsa më pas u zhvendosën në bulevardin para Kryeministrisë.
Gjatë tubimit, ata hodhën gurë, molotovë dhe fishekzjarrë në drejtim të godinës së Kryesisë së Kuvendit dhe efektivëve të policisë. Po ashtu, u thyen dritare dhe ndriçues në godinën e Kryeministrisë, ndërsa sulme pati edhe ndaj disa bizneseve dhe bankave të nivelit të dytë pranë Kullave Binjake.
Ndërhyrja e policisë me ujë, gaz lotsjellës dhe spray me piper bëri që protestuesit të shpërndaheshin rreth orës 19:30./dritare.net