
Dita Botërore kundër Duhanit, Manastirliu: Subjektet e gjobitura mbi 3 herë, do të mbyllen
Dritare.net

“Vetëm në muajt e parë të këtij viti, u realizuan 15.761 kontrolle nga inspektorët e shëndetësisë, aq sa janë kryer gjatë gjithë vitit 2017. Janë marrë 134 masa administrative, çka tregon për një zbatueshmëri të mirë të ligjit anti-duhan”, tha Manastirliu.
Qeveria shqiptare, në paketën e re fiskale rriti akcizën për duhanin me 117 lekë/paketë në krahasim me 110 lekë/paketë që ishte në më pare, si një masë për të frenuar duhanpirjen.
Sipas Manastirliut do të propozohen edhe ndryshime të reja ligjore për përmirësimin e ligjit për pirjen e duhanit në ambiente publike dhe janë bërë projeket konkrete për ta bërë më efikas ligjin si për shembull cigaret elektronike apo shisha-barit.
Gjithashtu, ajo tha se do të propozohet që ato subjekte që gjobiten mbi 3 herë për një periudhë të shkurtër kohore, do të bëhet mbyllja e aktivitetit.
Një pjesë e rëndësishme e parandalimit të konsumit të duhanit është edhe imazhi fotografik në paketat e duhanit, në Shqipëri.
Brenda muajit qershor, do të miratohen imazhet e “sëmundjeve të tmerrshme” që do të vendosen në paketat e duhanit dhe brenda vitit nga miratimi, edhe në Shqipëri, si në vendet e BE, imazhet e sëmundjeve të tmerrshme që shkakton duhanpirja do të jenë në çdo paketë që konsumohet në vendin tonë.
Dita Botërore Kundër Duhanit, është një ditë për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për dëmet e pamatshme që shkakton duhanpirja, që i merr jetën 7 milion njerëzve në Botë çdo vit.
Në Shqipëri tre faktorët e rrezikut të vlerësuar si më të rëndësishëm që kanë ndikimin më të madh në barrën e sëmundjeve janë dieta e pashëndetshme, presioni i lartë i gjakut dhe duhanpirja. Vetëm duhanpirja është përgjegjëse për rreth 1 në 4 vdekje nga sëmundjet kronike./E.B-dritare.net

















