Na ndiqni edhe në

Arkiv

Dhimitër Anagnosti sjell librin që ti bën mirë ta blesh, sot!

Regjisori i madh shqiptar, Dhimitër Anagnosti ka shkruar një libër që duhet ta kesh me doemos në shtëpi. Libri është botuar nga " Toena" dhe është dhurata më e mirë që mund t'i bësh vetes, duke e  blerë, lexuar dhe shijuar, për të thënë në fund "Faleminderit Mjeshtër!" Dritare.net po sjell në këtë përmbledhje, hyrjen e librit dhe pjesë nga pasthënia e tij, për të tjerat, nuk kemi dyshim se do të mendoni vetë, sapo ta mbaroni këtë shkrim. /dritare.net

Parathënie e "Ulliri, pema e dhimbjes"!

Në vend të parathënies

- monolog -

Fizikisht ndihem mirë. Xhirimet e filmit, “Gjoleka, djali i Abazit”, qenë një provë e rëndë, të cilën e përballova aq mirë, sa shumica u befasuan.

Nuk e di nga më erdhi ajo energji?! Besoj se dy kanë qenë arsyet: frymëzimi, dëshira për të bërë edhe një film, pas një heshtjeje tepër të gjatë, dhe kujdesi i gjithëllojshëm i Rozës...

Jam në prag të të shtatëdhjetave, në janar të vitit 2006 i mbush. Dikur, diku, kam bërë një shënim të tillë: “Në pleqëri, njeriut i dobësohet shikimi, sepse nis të ‘shohë’ më tepër brenda vetes, se jashtë saj...”.

Ndonëse ndihem mjaft mirë fizikisht, nuk ka vend për optimizëm të tepruar: jetëgjatësia e meshkujve të familjes sime, në dyqind vjetët e fundit, nuk e ka kaluar shifrën 70: im atë, gjyshi, stërgjyshi e stër-stërgjyshi... vdiqën në këtë moshë.

A duhet të trishtohem?

E kam shkruar edhe diku tjetër, se biologjikisht jam i pavdekshëm, sepse ADN-ja ime udhëton në përjetësi, përmes brezave në vijim.

Përse i shkruaj këto rreshta?! Që të “bisedoj” me fëmijët e mi e me fëmijët e tyre e më tej e më tej në breza për të kuptuar çfarë i jep jetës nxitje, energji, kuptim. Si të jetohet ajo më mirë, në kuptimin material, intelektual, moral dhe emocional.

Njeriu nuk është vetmitar, jeton brenda një bashkësie të vogël, që është familja, dhe një bashkësie të madhe, që është shoqëria, në nivel lokal, kontinental apo global, e ndoshta universal.

Ajo që e “mundon” më shumë njeriun është përkoh-shmëria e tij brenda përjetësisë universale, ndaj njerëzit përpiqen të “jetojnë” tej vdekjes fizike, duke vazhduar të “jetojnë” në memorien kolektive të brezave që vijojnë, përmes kontributit të tyre në thesarin kulturor, shkencor, artistik etj., të njerëzimit...

Njerëzit e zakonshëm “gënjejnë” veten duke u “përjetësuar” me daljen në fotografi e duke iu lënë pasardhësve shëmbëlltyrën e tyre, kjo kushton fare pak dhe bëhet lehtë.

Të fuqishmit e kësaj bote, ndërtojnë piramida, mauzole, skulptura, piktura etj.

Unë mendoj se jetova një jetë të plotë, në të gjitha parametrat e saj dhe i sigurova ADN-së sime një rrugëtim të sigurt: po kjo nuk mjafton.

Po iu lë disa porosi vajzave të mia, që të bëjnë kujdes në ndërtimin e jetës së tyre: ta ngrenë hera-herës kokën nga problemet e përditshme dhe të shikojnë nga “Ylli Polar”, për të mos humbur drejtimin e rrugëtimit.

Në atë vend, në atë truall ku brezat kanë derdhur energjitë fizike, intelektuale, morale e shpirtërore, atje ku ata kanë vdekur e janë varrosur, rrezatohet një energji misterioze e shumëllojshme, që ta bën jetën më të lehtë, më të plotë, më me kuptim... energjia e memories historike.

Njeriu është një qenie shpirtërore, që vjen nga misteri dhe shkon prapë drejt tij. Në këtë rrugëtim misterioz të ADN-së, vdekja i jep energji e frymëzim jetës, asaj jete brenda së cilës udhëton ADN-ja e të vdekurit.

Brezat, që në krye të herës, janë munduar të ndriçojnë “misterin e jetës e të vdekjes...”, dhe nëse arrijnë një ditë ta bëjnë këtë, atëherë do të fillojë kaosi, pra, do të kthehemi atje nga jemi nisur. Po kjo s’ka për të ndodhur.

Flemë e zgjohemi, flemë e zgjohemi... “Mos kini frikë”, ka thënë i mençuri Sokrat, “do të ikim nga kjo jetë, njësoj siç na zë gjumi, me të vetmin ndryshim, që nuk do të zgjohemi”.

Le të zbresim në tokë: meqë jemi të përkohshëm, për të zgjatur këtë kohë ka dy mënyra: e para, përdorimi racional i kohës, pra koha të jetohet në mënyrë intensive me veprimtari gjithfarëshe në dobi të familjes e shoqërisë dhe, e dyta, është jetëgjatësia, që, gjithsesi, ka limitin e vet.

Kryesorja, që jeta të jetohet në mënyrë intensive, duhet që njeriu të bëjë një punë shoqërisht të dobishme, e cila të jep edhe kënaqësi emocionale dhe të bën të lumtur.

Kjo jetë bëhet atje ku është gjithë energjia e fisit tënd dhe veçanërisht e prindërve.

Le të jemi bashkë me fëmijët tanë, kur të vijë caku i mbramë! Një ditë do të ndodhë, e di si vdekja!

 Dhimitër Anagnosti, 3 janar 2005

Veprat filmike dhe letrare të Dhimitër Anagnostit!

Veprat filmike:

- Gjoleka, djali i Abazit (2006)

(skenarist, regjisor)

- Kthimi i ushtrisë së vdekur (1989)

(skenarist, regjisor)

- Përrallë nga e kaluara (1987)

(skenarist, regjisor)

- Gurët e shtëpisë sime (1985)

(skenarist, regjisor)

- Kujtime nga Gjirokastra (1983)

(film dokumentar, skenarist, regjisor)

- Fraktura (1983) - skenarist

- Besa e kuqe (1982) - skenarist

- Vëllezër dhe shokë (1982)

(skenarist, regjisor)

- Në shtëpinë tonë (1979) - regjisor

- Monumenti (1977) - skenarist, regjisor

- Lulëkuqet mbi mure (1976)

(skenarist, regjisor)

- Kur hiqen maskat (1975) - regjisor

- Cuca e maleve (1974)

(skenarist, regjisor)

- Përjetësi - poemë filmike (1974)

(skenarist, regjisor, operator)

- Motive nga dita e diel (1973)

(film dokumentar, skenarist,

regjisor, operator)

- Malet me blerim mbuluar (1971)

(skenarist, regjisor)

- Parafabrikatet (1970)

(film dokumentar, skenarist,

regjisor, operator)

- Plagë të vjetra (1968)

(skenarist, regjisor)

- Duel i heshtur (1967) - regjisor

- Gjirokastra  (1962)

(film dokumentar, skenarist, regjisor,

operator)

- Gurët dekorativë (1962)

(film dokumentar, skenarist,

regjisor, operator)

- Komisari i dritës (1966)

(regjisor, operator)

- Toka jonë (1964) - operator

- Njeriu kurrë nuk vdes (1961)

(film me metrazh të shkurtër)

Botime letrare:

- Përrallë nga e kaluara; Gjoleka, djali i

Abazit - dy skenarë letrarë (2009)

- Nata e trokitjeve në xhama - drama  (2009)

- Koburja nga Europa - roman (2014)

Pasthënie nga Prof. dr. Shaban Sinani 

Ulliri, pema e dhimbjes i Dhimitër Anagnostit është libri i një Mjeshtri. Kjo ishte e para gjë që mendova pasi kisha përfunduar leximin e parë. Në një moshë të caktuar, është shumë e vështirë që leximi apo format e tjera të komunikimit me artet fisnike të të emocionojnë deri në atë shkallë sa të të pengojnë për të menduar si përftues kritik.

Dhimitër Anagnosti është, njëherësh, i papërsëritshmi në rrëfim: shkruan shkurt, por me një shqipe dinjitare; rrëfen shpejt, si në dritë të vetëtimës, por duke krijuar karaktere; është dëshmitar ngjarjesh, por vepra e tij nuk mund të merret si letërsi dëshmuese, sepse e tejkalon cilësisht regjistrin e rrëfimtarit dëshmues, duke e lartësuar veten te krijuesi i karaktereve. Pas Migjenit, zor se mund të gjendet ndonjë autor tjetër që me minimumin e mjeteve të shprehjes t’i ketë dhuruar lexuesit maksimumin e gjendjeve, situatave dhe të njerëzve, si Anagnosti.

Ky libër është një tjetër provë se Shqipëria letrare është më e bukura nga të gjitha Shqipëritë: politike, ideologjike, ekonomike, historike. Dhe ky është misioni fisnikërues i letërsisë. Siç shkroi Dritëro Agolli për Naimin: Punove mirë, usta!