Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Çfarë pashë 5 ditë në Beograd!

Çfarë pashë 5 ditë në Beograd!
Nga Isa Myzyraj 

Ajo çfarë dimë për marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë e Kosovës, është se janë në pikën më të acaruar që pas luftës së fundit në 1999, pas vendosjes së taksës 100% nga Prishtina për Serbinë, dhe pas dështimit të një marrëveshje që thuhet të ishte afër nënshkrimit.

Shqiptarët dhe serbët janë parë gjithmonë si dy popuj armiq mes tyre, dhe kjo është provuar herë pas here edhe me tensione të shumta , përgjatë dy dekadave të fundit.

Por, një vizitë 5 ditore në Beograd, më tregoi se populli serb dhe ai shqiptar kanë më pak probleme mes tyre, sesa duket e thuhet dhe atmosfera e nderë dhe mungesa e komunikimit iu intereson vetëm politikaneve, këtej e përtej kufirit.

Ndihet që problemet janë thellësisht politike, të prodhuar nga politikanë herë të paaftë, herë pa vullnet, e herë –herë pa dëshirë që të arrijnë një paqe afatgjate.

[caption id="attachment_611498" align="alignnone" width="1280"]Shkrim ne nje mur ne Beograd Shkrim ne nje mur ne Beograd[/caption]

Në mes të Beogradit, mund të flisje shqip, madje edhe të bëje shqiponjën, simbolin tonë kombëtar që është parë në shumicën e rasteve si provokim dhe skandal nga mediat serbe, të cilat kanë ushqyer akoma më shumë këto ndjenja ndasie mes dy popujve.

5 ditë konferenca, takime me organizata serbe, takime me qytetarë të thjeshtë, dhe asnjë provokim nga asnjëra palë, përkundrazi, serbët e thoshin pothuajse të gjithë, të paktën ata qindra që takuam ne, se problemet janë veçse politike dhe ne nuk kemi asgjë me shqiptarët.

“Shqiptarët janë vëllezërit tanë”-ishte një parullë në paradën LGBT, që u mbajt të dielën në Beograd, dhe që tërhoqi vëmendjen e të gjitha mediave në Serbi, por që u shfaq edhe përballë kryeministres serbe Ana Brnabiç.

Parulla ishte përgatitur nga organizatorët serbë dhe padyshim që ishte një mesazh i menduar mirë, për të treguar se problemet nuk janë reale, sic tregohen shpesh herë, nga media dhe veçanërisht nga politika.

Por jo vetëm kaq, në një mbrëmje me këngëtarë të njohur serbë, në mes të Beogradit u këndua shqip.

Kur prezantuesja e mbrëmjes prezantoi këngën e Tanias, dhe dy Drag-Queen, nga Kosova që do të performonin, për një moment ra një heshtje e frikshme , por pas disa sekondash, turma shpërtheu në të bërtitura, dhe qindra të pranishëm kërcyen në një ndër parqet e Beogradit, nën tingujt e këngës shqip.

Një shqiptare që prej disa muajsh jeton në Beograd, gjatë dhe pas, performancës nuk i mbajti lotët, nga emocionet, jo sepse ne provokuam serbët, dhe ‘ia dolëm”, jo pse i bëmë serbët të kërcejnë shqip, por sepse gjithçka ishte dakordësuar me organizatorët serb, dhe askush nuk u ndje as i fyer e as i provokuar nga kjo këngë. Ajo qau sepse gjithçka ishte normale.

Në qytet askush nuk të paragjykonte se ishe shqiptar, se për të të ofenduar e sulmuar as që bëhet fjalë.

Shitësi i suvenireve në Beograd, pasi e kuptoi që jemi shqiptarë, filloi duke lavdëruar Shëngjinin, Lezhën e Shkodrën, Vlorën dhe Himarën si vende të mrekullueshme, me njerëz të mrekullueshëm.

Por, problemet e vërteta shfaqeshin në Kufirin Kosovë-Serbi.

Në vend që rrugën nga Tirana-Prishtina-Mitrovicë-Beograd ta bënim për 7-8 orë, ne shtetasit me pasaporta shqiptare duhet të bënim një intinerar 15-16 orë, nga Tirana-Prishtinë-Maqedoni e Veriut-Serbi, vetëm pse politika ka dështuar në arritjen e marrëveshjeve, për lehtësimin e kalimit. Politika dështon të na afrojë kufijtë, mbetet qe ne të mos hezitojmë të afrohemi në komunikim./dritare.net