
Disa analistë argumentojnë se lufta e Vladimir Putinit në Ukrainë nuk buron vetëm nga ambicie territoriale apo frikë strategjike, por nga humbja e respektit ndërkombëtar të Rusisë. Dikur një nga dy superfuqitë globale, Rusia sot shihet si një fuqi në rënie — një realitet i theksuar edhe nga ish-presidenti amerikan Barack Obama, i cili e quajti Rusinë thjesht një “fuqi rajonale”.
Sipas kësaj qasjeje, lufta në Ukrainë është përpjekja e Moskës për të rikthyer statusin e humbur. Nëse Rusia nuk mund të fitojë respekt apo admirim, ajo synon të paktën të krijojë frikë. Në një rend ndërkombëtar ku një shtet ndihet i nënvlerësuar, sjellja shkatërruese dhe destabilizuese bëhet një mjet ndikimi.
Në mënyrë befasuese, kritikët vërejnë se edhe përplasja e Donald Trump me Europën ka motive të ngjashme. Administrata Trump, sipas kësaj analize, e percepton rendin liberal perëndimor si një sistem që e trajton atë dhe botëkuptimin e saj me përçmim. Ndërsa Trump gjen respekt te liderë autoritarë dhe monarkë, ai e di se shumë udhëheqës të demokracive europiane e shohin me skepticizëm dhe mosbesim.
Në këtë kontekst, Shtetet e Bashkuara nën Trump shfaqen si një aktor i vendosur të shkatërrojë hierarkinë ekzistuese të respektit global dhe ta zëvendësojë atë me një rend të bazuar te forca, bindja dhe interesat kombëtare. Europa, me theksin e saj te shteti ligjor, multilateralizmi dhe demokracia liberale, shihet si pengesa kryesore ndaj kësaj vizioni.
Ironia historike është se vetë SHBA-ja e ndërtoi rendin që tani duket e vendosur ta rrënojë. Pas Luftës së Dytë Botërore, Uashingtoni promovoi demokracinë, sundimin e ligjit dhe bashkëpunimin ndërkombëtar si baza të një bote më të qëndrueshme — vlera që u shndërruan në burimin kryesor të “fuqisë së butë” amerikane.
Europa moderne ishte një nga sukseset më të mëdha të këtij projekti. Bashkimi Europian lindi pjesërisht nga strukturat e krijuara për shpërndarjen e ndihmës së Planit Marshall dhe u zhvillua si një sistem bashkëpunimi ndërkombëtar, i ndërtuar mbi parime demokratike. Në shumë aspekte, BE-ja mishëroi idealet e rendit liberal amerikan më fort se vetë SHBA-ja.
Sot, megjithatë, strategjia e sigurisë kombëtare e administratës Trump synon të minojë këtë rend. Ndërsa deklaron se dëshiron të ruajë “fuqinë e butë” amerikane, ajo e lidh këtë ambicie me idenë e “madhështisë së lindur” të Amerikës dhe jo me vlerat universale.
Sipas kritikëve, kjo qasje ka çuar në rënien e ndikimit amerikan te demokracitë perëndimore, ndërsa retorika kundër Europës është bërë gjithnjë e më agresive. Administrata Trump akuzohet se mbështet forcat e djathta ekstreme në Europë, duke synuar dobësimin e Bashkimit Europian dhe kthimin e kontinentit në shtete të izoluara, thellësisht nacionaliste.
Analistët vlerësojnë se sfida kryesore për këtë strategji është mungesa e kapacitetit dhe e legjitimitetit ndërkombëtar për ta realizuar atë. Ndërkohë, përplasja mes vizionit liberal europian dhe qasjes “Maga America” mbetet një nga tensionet kryesore të politikës globale./L.F-dritare.net