Protesta e PD/ 4 në pranga! Nis hetimi për 7 të tjerë
Dritare.net

Një ditë pas protestës së organizuar nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha para Kryeministrisë, Policia ka njoftuar se ka arrestuar katër persona, teksa në gjendje të lirë do të hetohen 7 persona mes tyre sekretari organizativ i PD Ervin Minarolli dhe një i mitur (16 vjeç).
Në fund të fjalimit të Berishës, protestuesit hodhën bomba molotov në drejtim të derës së Kryeministrisë duke ndezur ambientet e jashtme të godinës.
Nga shpërthimi i molotovit 3 punonjës të Policisë u lënduan, por edhe një simpatizant i opozitës u përfshi nga flakët e lëndës ndezëse.
Njoftimi i policisë:
Më datë 22.12.2025, rreth orës 18:00, subjekti politik Partia Demokratike zhvilloi një tubim në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë. Gjatë zhvillimit të tubimit, disa prej pjesëmarrësve kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë së Shtetit që ishin të planëzuar me shërbim për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe kanë hedhur drejt tyre lëndë djegëse (molotovë).
Si rezultat i veprimeve hetimore, u identifikuan 11 shtetas që kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit. Në vijim:
-u arrestuan në flagrancë shtetasit: A. K., 39 vjeç, E. S., 36 vjeç, Xh. D., 38 vjeç dhe A. H., 38 vjeç;
-nisi procedimi penal për shtetasit: B. F., E. M., M. M., Sh. D., K. P., R. B. dhe një 16-vjeçar.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin E. M., me detyrë sekretar organizativ i subjektit politik Partia Demokratike, pasi në cilësinë e përfaqësuesit organizativ të këtij subjekti, nuk ka zbatuar detyrimet për identifikimin e personave përgjegjës për mbarëvajtjen e tubimit, në bazë të ligjit Nr. 8773, “Për tubimet”, neni 10.
3 punonjësit e Policisë që mbetën të dëmtuar gjatë tubimit morën mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund te kënë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të zhvilluar dje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme./L.F-dritare.net