Paqja fiskale, Rama takim me bizneset: Nisma rrit formalizimin dhe ul tatimin
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një takim me komunitetin e biznesit ku është zhvilluar një dialog i hapur lidhur me “paqen fiskale”. Kryeministri sqaroi se ky premtim tashmë i kthyer në ligj, është një nismë që do të shërbejë si një urë besimi mes sipërmarrësve dhe qeverisë. Zbatimi i 'paqes fiskale' do të nisë nga janari i vitit të ardhshëm dhe se nuk cënon integritetin ligjor, tha kryeministri.
“Paqja fiskale është një zotim i yni i fushatës elektorale dhe sot është ligj. Pavarësisht disa debateve, të cilat nuk arritën ta adresojnë thelbin e kësaj nisme, sot jemi në kushtet që, duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm, ta zbatojmë atë. Është një nismë për të ndërtuar një urë të re besimi dhe ndërveprimi të shëndetshëm mes administratës tatimore dhe sipërmarrjes. Nuk është shpikje e jona; vetë togfjalëshi “paqe fiskale” ka lindur në Romën e vjetër dhe është një instrument i përdorur prej mijëra vitesh.
Së dyti, është një instrument për t’u dhënë mundësi të gjitha sipërmarrjeve që nuk janë në konflikt me ligjin dhe që figurojnë në regjistrat e shtetit si kontributorë legjitimë, të rishikojnë pasqyrat e tyre fiskale. Ky rishikim u jep mundësi sipërmarrjeve të korrigjohen duke ribërë deklarimet e viteve të shkuara dhe duke pasur si motivim një tatim shumë më të ulët mbi fitimin sesa tatimi që paguhet rregullisht. Për çdo pasqyrë të korrigjuar, fitimi tatohet vetëm 5%. Kjo rrit formalizimin, nuk cenon integritetin ligjor të të gjithë ndërveprimit dhe ndihmon një proces ku sipërmarrja fokusohet më shumë te puna dhe te sfidat e veta, pa pasur barrën e të metave të së shkuarës.
Kjo shkon paralelisht me një adresim të përgjithshëm të gjobave, të cilat, sipas periudhave dhe vjetërsisë, variojnë nga fshirja totale deri te pagesa përmes disa kësteve, sërish me lehtësira. Në themel, paqja fiskale ka marrëveshjen me sipërmarrjen mbi përcaktimin e tavanit të ri të fitimit. Bazuar në një projeksion shkencor të fitimit, mbi fitimin e viteve të shkuara, mbi rritjen ekonomike dhe mbi propozimin për të pranuar si fitim të vitit një shifër të caktuar, administrata dhe sipërmarrja bien dakord dhe nuk ka më asnjë lloj inspektimi, kontrolli apo problematike që të rëndojë më shumë sesa barra fiskale”, tha Edi Rama./dritare.net