Ditët e para të Kamala Harris si zëvendëspresidente do të mbeten në histori!
Dritare.net
Që në orët e para pas përurimit të saj historik, imazhi i Kamala Harris ishte në çdo televizion të mundshëm në të gjithë vendin duke folur për herë të parë si zëvendëspresidente. Ajo ishte pak hapa përtej statujës së Abraham Lincoln dhe kishte një distancë të shkurtër me vendin ku Dr. Martin Luther King Jr mbajti fjalimin që frymëzoi shumë breza.
"Edhe në kohët më të errëta, ne jo vetëm ëndërrojmë, por edhe i bëjmë realitet. Ne jo vetëm shohim se çfarë ka qenë, por shohim edhe se çfarë mund të jetë," tha ajo. "Kjo është aspirata amerikane." Ishte e dukshme që ajo ra tepër shumë në sy për një Zëvëndëspresidente kur pranë kishte dhe Presidentin e ri.
Vendimi për ta bërë Kamalan të binte kaq shumë në sy ishte marrë që më përpara, tha një burim që kishte lidhje me planifikimin e evenimentit. Kjo u bë sepse ajo është e para zëvendëspresidente femër me ngjyrë dhe nga Azia Jugore. E gjitha u bë që të shfrytëzohej popullariteti në rritje i Harris, të tregohej përparim dhe të projektohej rëndësia e saj si mbështetëse e zellshme e Presidentit Joe Biden.
Rëndësia që ju dha në Inaugurim ishte një shembull i rolit të madh që Harris ka të ngjarë të ketë si partnere në qeverisjen e Biden. Ky ishte një kontrast i fortë me ish Presidentin Donald Trump, i cili kërkonte të ishte në qendër të vëmendjes dhe vendoste Zëvendëspresidentin e tij për të pastruar rrëmujat që bënte.
Harris ka qenë strategjikisht e dukshme si krahu i djathtë i Biden deri më tani. Ajo ishte në krah të tij ndërkohë që ai nënshkruante disa urdhra ekzekutiv në Dhomën e Shtetit. Ajo u ul së bashku me Biden në Zyrën Ovale, gjë e cila ndodhte vetëm me raste për paraardhësit e tyre, por diçka e shpeshtë kur Biden shërbeu si zëvendëspresident me Presidentin Barack Obama.
Presidenti dhe numri 2 i SH.B.A-së drekuan të premten dhe Biden shkroi në Facebook, "një administratë e re do të thotë një partner i ri dreke". Është një traditë që Shtëpia e Bardhë thotë se do ta vazhdojë dhe ishte një traditë që Biden e vlerësonte shumë në vitet e tij të shërbimit krah Obamës.
Zhvillimi i kësaj marrëdhënie do të jetë thelbësore ndërkohë qëtë dy ata do të qeverisin për katër vitet e ardhshme. Ndërsa Biden kaloi më shumë se katër dekada në sallat e Kongresit dhe Shtëpisë së Bardhë, Harris e cila shërbeu në Senat për katër vjet, është një e porsaardhur në korridoret e Uashingtonit.
Ata që janë pranë zëvendëspresidentes që bëri histori thonë se ajo po lundron në këtë realitet të ri, duke u familjarizuar me ritmin e qeverisë ekzekutive, e etur për të ndihmuar në zgjidhjen e krizave të shumta të vendit.
"Ajo nuk po bënte shaka kur tha se është koha për të shkuar në punë," tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë për CNN.
Në ditën e saj të parë të plotë në Shtëpinë e Bardhë të enjten, Harris u ul në zyrën e saj në mes të mëngjesit për të lexuar letrën e lënë pas nga ish Zëvendës Presidenti Mike Pence. Ndihmësit e saj nuk pranuan të jepnin detaje për përmbajtjen e letrës, duke e cilesuar atë private. Por Harris dhe paraardhësi i saj kanë pasur një marrëdhënie pak më të përzemërt sesa Biden dhe Trump.
Harris dhe Pence folën në telefon një javë para inaugurimit dhe përsëri në shkallët e Kapitolit të mërkurën pas transferimit paqësor të pushtetit. Të dy e kanë lënë të hapur mundësinë për të folur në të ardhmen, tha një zyrtar i administratës, ngjashëm me bisedat që Biden bëri me Pence kur Pence mori për herë të parë rolin e zëvëndëspresidentit.
Por ata që janë afër Harris thonë se ajo do të mbështetet tek Biden për mënyrën se si duhet të kryejë punët e rolit të saj.
"Kjo nuk është e vështirë për Presidentin Biden sepse ai ka qenë vetë në atë rol dhe ai e di vlerën e tij. Ai e di se ai i dha vlera Presidentit Obama dhe ai dëshiron të njëjtën gjë nga zëvendëspresidentja Harris," tha Jay Carney, i cili dikur shërbeu si Zëvendës i marrëdhënieve me publikun i Biden.
Deri më tani, Harris ka kaluar pjesën më të madhe të kohës duke punuar jashtë zyrës së saj. Ndërsa Zyra Ovale e Biden është zbukuruar plotësisht, zyrtarët thonë se zyra e Harris është ende në proces sepse ajo dëshiron të vendosë shumë sende personale.
Ish-prokurorja Harris po mundohet t'i përshtatet kësaj jete të re. Në vend që të zhvendoseshin në rezidencën e zëvendëspresidentit në Observatorin Detar, Harris dhe burri i saj Doug Emhoff u transferuan përkohësisht në Shtëpinë Blair që është përtej rrugës nga Shtëpia e Bardhë. Është më afër Shtëpisë së Bardhë, por përfitimi kryesor i qëndrimit aty është siguria e lartë.
Zyrtarët dhe personat më të afërt me Harris pretendojnë se mënyra se si ajo do ta përcaktojë veten me kalimin e kohës është e lidhur drejtpërdrejt me krizën pandemike dhe ekonomike me të cilën po përballet administrata e Biden. Dyshja po punon se cilat çështjeve duhet t'u japë përparësi.
"Ajo është shumë e përqendruar në mënyrën se si zyra e saj mund të mbështesë dhe të amplifikojë axhendën e administratës," tha Symone Sanders, një këshilltare e lartë dhe zëdhënëse e lartë për Harris.
Harris ka ndërmarrë disa lëvizje e vetme, përfshirë komunikimin me aleatët e huaj dhe të brendshëm. Të premten, ajo foli në një takim me bordin ekzekutiv të SEIU, sipas një burimi. Një ditë më parë, ajo foli me Drejtorin e Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Shëndetësisë Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, një telefonatë që konfirmoi se ajo është e etur për të forcuar përvojën e saj me politikën e jashtme.
Në ditët përpara se Biden të prezantonte paketën e tij masive të ndihmës prej 1.9 trilionë dollarësh për krizën ekonomike, Harris vendosi të thërriste kryetarët e bashkive në të gjithë vendin për të parë legjislacionin.
"Tani për tani, Presidenti ka parashtruar katër sfida të mëdha që kërkojnë që të gjithë të japin mendimin e tyre më të mirë dhe ajo i është përkushtuar të qenurit partneri më i mirë i mundshëm për Presidentin," tha Minyon Moore, personi që menaxhoi tranzicionin e Harris.
Ndërkohë që Shtëpia e Bardhë lundron në ndërlikimet e krijuara nga Covid-19, Harris nuk pritet të bëjë ndonjë udhëtim jashtë vendit brenda gjashtë muajve të parë të administratës së re, tha një zyrtar, por udhëtimet përbrenda shtetit mund të ndodhin më shpejt.
Kamala është shprehur se nuk dëshiron që ligjet në senat të kalojnë me 51 vota kundër 49. Ajo dëshiron që të ketë një kooperim dhe bashkpunim midis dy partive.
"Kjo nuk do e ndihmojë atë të bëjë miq afatgjatë. Nëse ajo po mendon që të konkurojë në 2024 ose 2028, ajo duhet të mendojë për senatorët që do të ketë nevojë", tha një zëdhënës. \S.F.-dritare.net