Na ndiqni edhe në

Bota

Administrata e Donald Trump publikon dokumente të reja mbi vrasjen e Martin Luther King

Administrata e Donald Trump publikon dokumente të reja mbi vrasjen e Martin

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka bërë publike një numër të madh dokumentesh lidhur me vrasjen e udhëheqësit të të drejtave civile, Martin Luther King Jr, përfshirë edhe dosje survejimi nga FBI mbi jetën dhe veprimtarinë e tij.

Dokumentet, që përfshijnë rreth 230,000 faqe, kanë qenë të bllokuara nga një urdhër gjykate që prej vitit 1977 dhe nuk ishin bërë kurrë më parë publike.

Familjarët e King janë shprehur kundër publikimit të këtyre materialeve. Dy fëmijët e tij të mbijetuar, Martin Luther King III dhe Bernice King, përmes një deklarate paralajmëruan për rrezikun që këto dokumente të përdoren për të dëmtuar trashëgiminë e të atit të tyre.

“Publikimi i këtyre dokumenteve duhet të shihet në kontekstin e plotë historik,” thuhet në deklaratë. “Gjatë jetës së tij, babai ynë u bë objekt i një fushate intensive dhe të tmerrshme survejimi e dezinformimi nga FBI-ja nën drejtimin e J. Edgar Hoover.”

Ata shtuan se kjo ndërhyrje qeveritare i kishte mohuar Martin Luther King Jr. dinjitetin dhe liritë themelore të një qytetari privat.

Në vitin 1999, një juri në një proces civil për vrasje të padrejtë vendosi se King nuk ishte vrarë nga një njeri i vetëm, por ishte viktimë e një komploti të gjerë.

Presidenti Trump, në janar, urdhëroi gjithashtu deklasifikimin e dokumenteve mbi vrasjet e Presidentit John F. Kennedy dhe të Senatorit Robert F. Kennedy, përveç atyre të King.

Sipas një deklarate të Zyrës së Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare (DNI), këto dosje përmbajnë memorandume të brendshme të FBI-së dhe dokumente të panjohura më parë të CIA-s mbi ndjekjen dhe hetimin e vrasësit të King.

Publikimi u koordinua me FBI-në, Departamentin e Drejtësisë, Arkivin Kombëtar dhe CIA-n.

“Populli amerikan meriton të dijë të vërtetën, dekada pas vrasjes së tmerrshme të një prej liderëve më të mëdhenj të kombit tonë,” deklaroi Prokurorja e Përgjithshme, Pamela Bondi.

Jo të gjithë anëtarët e familjes King ishin kundër publikimit. Alveda King, mbesa e Martin Luther King Jr., tha: “Jam mirënjohëse ndaj Presidentit Trump dhe DNI Gabbard për përmbushjen e premtimit për transparencë. Ky është një hap historik drejt së vërtetës.”

Megjithatë, kritikët e Trump vunë në dukje se publikimi ndodhi në një moment kur administrata e tij përballej me akuza për mungesë transparence lidhur me dosjet e Jeffrey Epstein, trafikantit të njohur të fëmijëve, që vdiq në burg në 2019.

Lideri i të drejtave civile, Al Sharpton, e quajti këtë publikim si një “përpjekje të dëshpëruar për të larguar vëmendjen” nga skandali rreth Epstein dhe çështjet që rëndojnë mbi vetë Trumpin.

Martin Luther King Jr. u vra në Memphis më 4 prill 1968, në moshën 39-vjeçare. James Earl Ray, një kriminel me precedentë të mëparshëm penalë, pranoi fajësinë dhe u dënua me 99 vite burg, por më vonë u përpoq të tërhiqte deklaratën e tij, duke pretenduar se ishte viktimë e një komploti. Ray vdiq në burg në vitin 1998./L.F-dritare.net