

Kohët e fundit për shkak të shumë statuseve të mija në facebook, shumë me të drejtë më shkruajnë se përse nuk fola për veprimet e fundit të biznesmenit gay, Elton Ilirjani, konkretisht, puthja në “Top Channel” me një anonim të maskuar dhe zhveshja e tij nudo, në rrjete sociale kinse si formë proteste për politikanët.
Ok, po them dy llafe.
E para, mendoj se Elton Ilirjani NUK përfaqëson komunitetin LGBTIQ+, në Shqipëri, të paktën atë që njoh unë, por përfaqëson veten e tij, madje do të guxoj të shkoj edhe më tej, duke thënë se “Biznesmeni gay” e bën për biznes të gjithë këtë show, sa në një studio në një tjetër, jo në mbrojtje të komunitetit LGBTIQ+.
Unë mendoj se Elton Ilirjani është një gay, që mund të përafrohet me homofobët, dhe këtë mendim e kam për shkak se ai ka deklaruar publikisht se është kundër martesave mes të njëjtës gjini, çka në vetvete është absurd që të artikulohet nga një anëtar i këtij komuniteti, të diskriminuar në vendin tonë.
Puthja e shumëdebatueshme tek Bieta Sulo, në “Top Channel” me një person anonim, të maskuar, pa identitet, nuk i shërben kauzës LGBTIQ+, por përkundrazi mendoj se e thellon akoma më tej diskriminimin për këtë komunitet, siç mund të shihet edhe nga komentet në FB të TCH.
Pastaj nuditeti që shfaq Eltoni në rrjete sociale, me një location njujorkez, është veçse një show, në shërbim të Eltonit dhe akujt tjetër.
Komuniteti LGBTIQ+, në Shqipëri ka 1001 halle të tjera, duke filluar nga diskriminimi në familje, në rrugën e lagjes, në shkollë, në punë, në kafe, në shoqëri, e gjithkund, e në këtë pikë, Eltoni, apo kushdo tjetër që merr mundimin të flasë për komunitetin LGBTIQ+, apo ata që marrin mundime të bëjnë emisione të tilla, duhet të ftojnë njerëz që flasin për edukim, për shkencë, për fakte dhe shifra diskriminimi, të flasin për problematikat e këtij komuniteti, dhe si mund të zgjidhen ato, dhe jo të përfitojnë personalisht, njëra palë për vete a për biznesin e tij, e tjera palë për audiencë./ Dritare.net

















