Art & the City/ 4 zonja dhe 1 bar-galeri

Nga Dritare.net

Ndërkohë që kafenetë në Tiranë janë shtuar si kërpudhat pas shiut, në një prej zonave më të frekuentuara të momentit, ndodhet një kafe shumë ndryshe nga të tjerat.

“Art and the City”, lokali më i ri në kryeqytet ndodhet në ambientet e Pazarit të Ri dhe administrohet nga katër artiste, të cilat siç thonë për dritare.net, janë mikesha prej tre dekadash.

Dhe nuk janë katër mikesha të zakonshme, por katër zonja të jashtëzakonshme; sopranoja Inva Mula, këngëtarja Marina Grabovari, pedagogia/violiniste  Besa Kaçinari dhe pianistja Etleva Turkeshi Minarolli, të cilat kanë vendosur të krijojnë një lokal në formën e galerisë.

Në lokal gjen gjithmonë një prej tyre, pavarësisht se kanë edhe angazhime të tjera. Dritare.net takoi Besën, të cilën tre mikeshat e tjera e quajnë financierja e “Art and the City”.

Edhe pse dy mendje janë vështirë për të rënë dakord, e aq më pak katër, shoqëria e gjatë e vajzave, ka bërë që edhe në ndryshime, të kenë të përbashkëta.

“Ne jemi katër mikesha shumë të mira, që kur ishim fëmijë nuk jemi ndarë asnjëherë. Fati na solli që të ishim përsëri të katërta edhe në fushën e artit.

Unë dhe Etleva, instrumentiste dhe Inva e Marina, këngëtare.  Ne jemi katër shoqe që shumë shpesh mendojmë njësoj, por edhe kur mendojmë ndryshe na pëlqen, sepse secila ka origjinalitetin e vet. Edhe në ndryshime ne kemi të përbashkëta.

Pasi vendosëm për hapjen e lokalit, mendimi i parë i përbashkët ishte të krijonim diçka të shëndetshme dhe me materialet që do të përdornim, të mbronim mjedisin. Të krijonim diçka sa më natyrale, e të mos kishte artifice. Edhe arkitektja jonë, Pezana Rexha, kishte të njëjtën ide me ne. Ajo punon me drurin e ricikluar, e askush më mirë se ajo nuk do ta bënte këtë arredim kaq të bukur. Ne kemi një mjedis shumë ndryshe nga të tjerët, pasi janë përdorur materiale tërësisht natyrale. Si myshku, i cili është marrë direkt nga malet.

Ishim të vendosura për të përcjellë jo vetëm artin e bukur, por edhe jetesën e shëndetshme. Këtë gjë e kemi pasqyruar edhe te menutë e ditës, të gjitha janë prodhime bio e të pastra. Me recetat  merremi të katërta, japim ide, por deri tani Marina është ajo që po dominon. Çdo ditë, vjen e na thotë, ‘vajza kam bërë një recetë të re e shumë të shijshme.’ Dhe klientët tanë i pëlqejnë shumë, veçanërisht të huajt, të cilët vlerësojnë së tepërmi origjinalitetin tonë dhe shijen e shëndetshme.”

“Art and the City” më shumë se një kafe, është një hapësirë kulturore, ku bashkohet kënaqësia e të pirit të një kafeje të mirë, ose shijimit të një ushqimi të shëndetshëm, me artin apo aktivitetet kulturore që ofrohen. Besa tregon për dritare.net, se fokusi i tyre është të sjellin artistë të shquar e të përcjellin artin e tyre. Por, edhe për artistët e rinj, te cilët kanë nevojë të promovohen “Art and the City” është vendi i duhur, që nga artet figurative, te muzika etj. Sipas Besës, kjo nismë e tyre, nuk ka aspak për qëllim të konkurrojë galeritë ekzistuese në Tiranë, por është një mundësi tjetër për të njohur artin e të bukurën.

LEXO DHE :  Basha njofton deklaratë të rëndësishme për media

“Artistët e rinj janë një sfidë edhe për ne, sepse vërtetë që ne duam të sjellim artistë të famshëm, që njihen në botë, e që kanë kryevepra në veprat e tyre. Por, të promovosh një artist të ri e t’i japësh atij një shtysë, kjo është një gjë shumë e madhe. Ndaj, edhe ne e kemi në planet tona, të nxjerrim sa më shumë emra të rinj. Pasi, siç na kanë përkrahur në fillimet tona, ashtu do të bëjmë edhe ne.

Synimi ynë nuk është t’i bëjmë konkurrencë galerive ekzistuese në kryeqytet. Gjithmonë kemi pasur për qëllim të ofrojmë diçka më shumë dhe që njerëzit të kenë një zgjedhje ndryshe për të kaluar disa orë gjatë ditës, ose mbrëmjes.”

Edhe pse lokali është inaguaruar së fundmi, në 27 qershor, klientët kanë qenë të shumtë. Disa janë shtyrë prej kuriozitet, disa të tjerë prej emrave të artisteve. Të gjithë, kush me një gotë verë në dorë, e kush me një lëng frutash shijojnë artin që transmetohet sapo hyn në lokal.

“Tani gjatë verës, më tepër janë të huajt ata që na vizitojnë, pasi vendasit kryesisht, janë larguar nga Tirana. Rikonstruksioni i Pazarit të Ri ndikoi shumë për vendndodhjen lokalit. Në këtë godinë ku tani është lokali, më parë shitej peshk dhe ishte në një gjendje të shkatërruar. Ne ndërtuam gjithçka nga fillimi. Atë që u bë mrekullisht jashtë nga Bashkia, ne e realizuam brenda ‘Art and the City, thotë për dritare.net Besa.

Një orë në “Art and the City”, nuk mjafton për të mësuar mjaftueshëm nga pikturat e artistes së famshme nga Kosova, Zake Prevalukaj, apo të pish një gotë në mbrëmje, teksa shijon tingujt e muzikës klasike, apo jazz që luan Etleva në piano.

Besa zbulon për dritare.net një surprizë që vajzat kanë menduar për të gjithë vizitorët, ku së shpejti pritet një ‘koncert’ i atyre të katërta bashkë.

Sepse nëse në LA katër mike u bënë bashkë në Sex and the City, nuk ka pse të mos bëhen bashkë katër artiste në Tiranë, në Art and the City./dritare.net

 



PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.