Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Anxhela, 22-vjeçarja shqiptare që dizajnon në Francë, automjetet e së nesërmes

Anxhela, 22-vjeçarja shqiptare që dizajnon në Francë,
Nga Alteo Hysi

Të rinj shqiptarë që shkëlqejnë kudo në botë ka shumë. Të shumtë janë ato emra që na bëjnë të besojmë se ç’potencial i madh paskësh qenë fshehur në këtë vend, i cili ka zgjedhur ta realizojë veten diku tjetër. Të rinj, që nga ky vend nuk ikin si dështakë, por si fitues! Një nga këta të rinj, që nuk kanë ikur jashtë të mbushur me mllefin që ushqehet përditë prej atyre që ankohen para se të guxojnë, por si fitimtarë, që duan ta shpien veten më larg, më lart, me një sens të fortë krenarie prej nga vijnë, është vështirë t’i takosh, sepse është vështirë t’i ndash nga bota e tyre e suksesit, që duket aq e pastër. Çdo botë e ushqyer nga ëndrrat, kështu është në fakt….

Një të tillë pata fatin, ta takoja këto ditë gushti në Berat. Anxhela Ferro, 22 vjeçe, vendosi që si një pjesë e bashkëmoshatarëve të saj të ndjekë studimet në Francë, por në një fushë të pazakontë. Studentja e degës “Transportation Design”, ka një ëndërr: Të jetë dizenjuese e automobilave, e mjeteve të transportit si makinat, autobusët, trenat, madje edhe jahtet, një model të parë të të cilëve, ajo ka qenë në gjendje ta realizojë.

Anxhela më tregon se në klasën e saj, janë vetëm tre vajza që studiojnë këtë fushë, por ajo nuk mendon se dizenjimi i automobilave është një fushë për djemtë. Madje, beson se vajzat mund të jenë më të favorizuara në tregun e punës dhe se gjithçka është e lidhur me imagjinatën që vendos në projekte të dizenjimit.

Pse vendosi të studiojë pikërisht në këtë fushë?

“U nisa nga qyteti im i vogël i Beratit që ka patur mangësi në transportin e njerëzve. Zgjodha këtë degë me dëshirën e madhe që në të ardhmen të bëj një projekt për Shqipërinë, që pse jo, njerëzit të mos kenë nevojën të marrin një autobus për të shkuar për 6 orë nga veriu në jug.  Ne si dizajnues e bëjmë këtë shkollë pikërisht për nevojat e njerëzve, studiojmë nevojat e tyre dhe dizajnojmë makinat e së nesërmes”, thotë Anxhela.

Me entuziasëm, por me një dozë të lartë modestie, ajo më tregon skicat dhe dizajnimet e saj të para në photoshop. Nga modelet e makinave më të njohura në botë, të cilave ajo i ka shtuar elementë sipas imagjinatës së saj, te një dizajn automjeti që është tërësisht produkt i imagjinatës së saj. Së bashku me tre studentë të tjerë, Anxhela ka konceptuar një makinë të posaçme, që i ndihmon njerëzit të bëjnë piknik më lehtë, e pajisur me mjetet dhe strukturën e posaçme për të të bërë piknik.

Ajo preferon ta quajë një makinë të së ardhmes, ashtu siç dëshiron që pas studimeve, në një të ardhme, të realizojë një projekt automobilistik në Shqipëri.

“Kam ikur për të krijuar diçka më të mirë, jo vetëm për veten. Do të doja të kthehem në Shqipëri dhe të krijoj një projekt të ri, një tren që të shkojë nga Saranda në Berat, ose nga aeroporti në qendrën e Tiranës, siç e ka gjithë bota”, më thotë.

Anxhelës nuk i pëlqen të theksoj që është e para, apo e vetmja vajzë shqiptare që studion dizajnin e automjeteve në Francë. Nuk është e sigurt nëse është realisht e para vajzë shqiptare, ama e sigurt është se ajo mbetet ndër të paktat, ndër të rrallat vajza shqiptare që të veçantën e ëndrrës së saj, e mban të lidhur me fort, me dashurinë e veçantë për vendin e saj, të cilit kërkon që herët a vonë, t’i japë sadopak nga talenti dhe imagjinata që tashmë i shpreh kaq bukur, mbi modelet e saj në photoshop./dritare.net