Andi, një histori shqiptare në Londër

Nga Rudina Xhunga

Andi Hoxhaj nuk është personazhi më i njohur, mes shqiptarëve të Britanisë së Madhe. Unë shkova ta intervistoj për edicionin ‘Shqiptarë të mrekullueshëm’, një podcast i mbeshtetur nga Abi Bank, pikërisht sepse është i tillë, modest, pozitiv, i angazhuar dhe sidomos shembull për kë nis shkollën këtë shtator.

Sepse dija nuk të lë kurrë në baltë. Është shoqëruesi më i mirë për kë do t’ia dalë, për kë nuk fajëson origjinën, familjen, qeverinë, sistemin, botën për dështimet e tij.

Unë e njoha Andin në rrjetet sociale, ndërsa ndante me miq fotot e një takimi me Hillari Klinton, që kishte shkuar të fliste në një takim në Warwick, universiteti anglez ku Andi jep mësim.

E takova në atë universitet, ku kishte studiuar drejtësi dhe më pas kishte vazhduar master e doktoraturë, ndërsa aktualisht emri i tij, ishte në një prej dyerve të fakultetit, krahas burrash e grash nga e gjithë bota, që përfaqësonin më të mirën në fushën e mësimdhënies në një universitet, që kur shtonte një godinë, vinte ta inauguronte kryeministri i radhës anglez, sepse nga aty dilnin kabinetet qeveritare dhe më të mirët e IT, biznesit,  financave, etj.

Andi kishte vënë fotografinë e prindërve në raftet që po thyheshin nga librat, krahas diplomave dhe çmimeve që zbukuronin atë zyrë të Warwick University.

Andi Hoxhaj e nisi nga Vlora. Prindërit e shtynë të vazhdojë dhe ai erdhi në Londër për të kryer kolegjin. Një jetë mes librave derisa erdhi këtu që për të nuk është ende destinacion. Ka kohë përpara, ka ëndrra dhe nuk dorëzohet, as ankohet, thjesht studion dhe angazhohet.

Nuk e bëri të madhe kur i dërgoi një letër Ministrisë së Jashtme shqiptare për t’u ofruar si këshillues për proceset e BE-së, të cilat ai i jepte lëndë në fakultet dhe nuk mori asnjë përgjigje.

Merr pjesë sa herë e kërkojnë në takimet e Home Office për të ndikuar që shqiptarëve t’u lehtësohen vizat për në Angli dhe sidomos për të dëshmuar se shqiptarët nuk janë ata për të cilët flitet aq shumë dhe aq keq në Londër.

Andi Hoxhaj nuk është në faqet e para të gazetave të skandaleve apo atyre serioze që flasin përditë për shqiptarë të krimit, drogës dhe botës së nëndheshme.

Por duhej të ishte në faqet e para të gazetave tona, sepse është një shqiptar i bërë vetë. Që jo vetëm nuk i ka kërkuar asgjë vendit të tij, por është i gatshëm çdo moment të ofrohet për t’i dhënë vëmendje, angazhim, shembull personal.

Djem e vajza si Andi ka të tjerë në Londër, që janë Shqipëria e mirë, ajo që duhet të na përfaqësojë, ajo që na nderon, Shqipëria që duam.

Por ata nuk bërtasin, as kërkojnë vëmendje, ata studiojnë, japin mësim, punojnë në banka, hapin restorante, shesin në dyqane, mirëmbajnë shtëpi, ata jetojnë Shqipërinë e tyre angleze.

Ata janë shumica e heshtur që meritojnë zërin tonë.

Ata nuk janë pakica që ulërin në lajmet e “Daily Mail”, për drogën dhe krimin.

Është në dorën tonë të zgjedhim me kë do të përfaqësohemi, çfarë historie do të zgjedhim të tregojmë.

LEXO DHE :  Një fëmijë të ndryshon jetën/Kush prej nënave e gjen veten te fjalët e moderatores?    

Mbase historia e Andit, thënë në gjuhën e portaleve, nuk shet sa historia e një vrasjeje në veri, kur djali që në shtëpi e dinin se punonte e bënte lekë mirë, në fakt shiste e konsumonte drogë. Kur e arrestuan dhe ndërprenë drogën ai kaloi në skizofreni. E kthyen në shtëpi dhe atje vrau prindërit. Ai ishte i sëmurë. Edhe historia e një vrasjeje të bujshme në Elbasan, apo një hajduti shtëpish të famshmish që vuan një dënim të ekzagjeruar në burgjet angleze, shet me shumë në lajmet tona.

Aq më tepër të tregosh për të dhënat që ka Home Office për kokainën e pastër që kanë vetëm shqiptarët në Londër, apo për faktin që shqiptarët mbulojnë 60% të tregut anglez me kokainë, një treg që mban vendin e parë të konsumit në BE.

Kjo drogë vjen nga Holanda dhe shqiptarët kanë marrë franciaise nga italianet për të mbizotëruar tregun, duke u kthyer në shqetësimin numër dy të policisë britanike, pas vietnamezëve që shpikën shtëpitë e kanabisit.

Ndërkaq fenomeni më i frikshëm që po ndodh është dërgimi i fëmijëve nga Shqipëria në Angli me dokumente false apo në maune. Cdo muaj shkojnë në Britaninë e Madhe, rreth 50 të mitur. Prindërit paguajnë 12 mijë e më shumë paund për t’i sjellë me shpresën e një jetë të mirë. Ata i mban shteti anglez deri në moshën 18-vjeçare, si një detyrim ndaj minorenëve dhe kur mbushin 18 i kthen në shtëpi, nëse i gjen. Sepse ndërkaq ata janë kthyer në pjesë të ushtrisë së krimit të organizuar, janë këmbësoria e ushtrisë shqiptare të kriminelëve në Britaninë e Madhe.

Janë pjesë e atyre 1000 të burgosurve shqiptarë, apo qindra të vrarëve që lajnë hesapet në Shqipëri.

Nuk ka prind që ta çojë me vetëdije fëmijën drejt vdekjes së sigurt, apo burgut. Të gjithë ata që tani po bëjnë gati 12 mijë paund për t’ia dhënë mashtruesit të radhës, presin me besim që fëmija e tyre do t’ia dalë.

Por nuk do t’ia dalë. Nuk është kjo rruga. E dashur nënë, që po merr para borxh, për ta nisur të voglin tënd ne Angli, ato para përdori për shkollën e tij. Vetëm dija nuk do ta lërë në baltë. Nuk do të ketë kurrë një mik më besnik se dija.

E di që çdo prind tani që nis shtatori nuk është si dikur kur hapja e shkollave ngjante si festë e madhe. Tani pakkush beson te dija. Ndaj unë zgjodha Andin këtë shtator, zgjodha të tregoj historinë e një djali nga Vlora që e nisi nga asgjëja dhe arriti diku, nga ku do të vazhdojë të studiojë, japë mësim, bëjë krenarë prindërit e tij dhe shqiptarë të tjerë si ai që e dinë vlerën e një jete me nder.

Të tregosh histori si e Andit, nuk merr klikime, por është një investim në optimizëm. Është kjo mungesë e madhe optimizmi që na e bën Shqipërinë të vogël./dritare.net

Për t’u bërë pjesë e grupit "Dritare.net" mjafton të klikoni: JOIN GROUP

2 KOMENTET

  1. Jam dakort per vlerat e tij dhe bravo qe leket e prinderve i harxhoi per shkolle (dije) dhe jo per droge. Po ai ka pasur nje fat te madh, qe prinderit e tij qene ne gjendje ta studionin ne Angli ku shkolla shkon 40 deri 60 000 paund ne nje vit.
    Shume qe per nje intelektual shqiptar jane molle e ndalume per rrogen qe merr.
    Prinderit qe po u ben thirrje Rudina paguajne 2 deri ne 5000 dollare per te kaluar ilegalisht femijet ne token e endrrave per te gjetur nje pune dhe t’i shpetojne nga varferia, uria, skamja ( leke qe shume i marrin borxh dhe i lajne femijet pas nje pune sfilitese). Po te kishin edhe ata 200 000 paund ( mesatarisht sa shkon nje shkollim 3- 4 vjecar ne Angli) te jesh e sigurt qe do ti kishin derguar per studime dhe jo ne nje rruge emigrimi ndoshta vdekjeprurese dhe ne nje pune rraskapitese. Ah Rudine sa larg realitetit qe je? Ti paske dhe sponsor per te shkuar ne Angli me vajzen per te bere nje reportazh per nje x studente qe ka patur rreth 300 000 paund per t’u studiuar !!!!!!!!
    Pse nuk shkruan kete shtator per shume nxenes ekselente qe nuk kane mundesi te vazhdojne shkollen se duhet te punojne per te ushqyer motren a vellain, per te paguar kimioterapine e nenes apo babait.
    Zbrit me kembe ne toke Rudine.

  2. Nje nga shqiptaret e mrekullueshem per te cilet duhet te beni nje emision eshte Gerta Cami. Nje farmaciste e lindur ne Diber te madhe, e diplomuar ne Tirane e cila me nje vullnet te hekurt ka arritur te beje nje pune kerkimore te shkelqyer ne universitetin e Bath-it ne Angli.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.