Na ndiqni edhe në

Arkiv

Albaner, Halbaner, shqiptar!

Albaner, Halbaner, shqiptar!
Nga Enver Robelli

Një javë e vrullshme po merr fund. Nuk është fjala këtu për përzënien e disa uzurpatorëve nga pronat publike apo private, që i shfrytëzonin prej vitesh anekënd Kosovës. As nuk është fjala për paralajmërimin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Fjala është, siç mund ta merrni me mend, për futbollin. Kosova është pranuar në UEFA, javën tjetër mbase – të shpresojmë! – do të pranohet edhe në FIFA. Kësisoj Republika e vogël ballkanike do të gjendet në Olimpin e Sportit. (Në Komitetin Olimpik ndërkombëtar Kosova tashmë është pranuar).

Depërtimi i Kosovës në fushën e blertë ndërkombëtare ka shkaktuar diku gëzim, diku hamendje. Të flasim për ata që janë hamendur, në fakt hutuar, sepse anëtarësimi i Kosovës në UEFA prek jo vetëm Kosovën, por edhe Zvicrën dhe Shqipërinë. Dy kombëtaret e fundit i dominojnë numerikisht ose me talent lojtarët shqiptarë nga Zvicra. Ata që kanë pasur talent më të madh janë rekrutuar nga Zvicra, të tjerët, pasi nuk kanë parë mundësi të angazhimit në ekipin e parë helvetik, janë përcaktuar për «shtetin mami». Ekipet sportive të Shqipërisë gjatë komunizmit kanë qenë të njohura për humbje spektakulare dhe për sportistë që pas çdo ndeshjeje jashtë vendit iknin nga hoteli dhe kërkonin azil. Tani një diasporë e vogël, që numëron rreth 200 mijë njerëz, i furnizon me mercenarë dy vende – Zvicrën dhe Shqipërinë. (Kësaj radhe fjala mercenar ka konotacion vetëm pozitiv).

Kush hutohet për pranimin e Kosovës në UEFA? Edhe pse nuk thuhet publikisht: edhe Shqipëria ka arsye të mendojë nëse ndonjëri nga lojtarët e Kombëtares do të shkojë në Kombëtaren tjetër, të Kosovës. Edhe nëse nuk shkon ndonjë, në të ardhmen lojtarët do të mendojnë dy herë nëse do të vendosin të luajnë në Tiranë apo në Prishtinë. (Edi Rama do të përpiqet t’i tërheq ata me stadiumin e ri, i cili gati nuk do të shihet nga kullat për banim, biznes dhe babëzi. I talentuari zoti Rama po mendon pak edhe për veten, boll punoi, u dogj dhe u përvëlua për Shqipërinë, tani që e rilindi, tani duhet një stadium, ore! Por, kushedi, mund t’i bie ndërmend edhe Shpend Ahmetit të ndërtojë stadium në Prishtinë, pa kulla të korrupsionit, dhe lojtarët do të vendosin për Kosovën, kushedi).

Të hutuar janë edhe zviceranët. Ata po thonë se votuan për anëtarësimin e Kosovës në UEFA, por disa shqiptarë nuk po u besojnë, andaj prej ditësh po qarkullojnë teori të mëdha konspiracioni, të cilat mbërrijnë deri aty, saqë fajtor e quajnë trajnerin e Zvicrës, ai ka emër e mbiemër sllav, është kroat nga Sarajeva, por kjo s’luan rol – futja një titull «Petkoviqi është fajtor» dhe turma do të vrapojë pas kësaj tullumbaceje.

Të hutuar janë edhe disa gazetarë të fletushkës bulevardeske të Zürichut «Blick». Ata kanë zhvilluar një fushatë kundër futbollistëve shqiptarë, duke iu bërë thirrje që – ose të tregojnë lojalitet maksimal ndaj Zvicrës, ose të shkojnë. «Blick» do të duhej të merrej seriozisht nëse nuk do të ishte ajo gazetë që me mish e me shpirt, me penë e me potere e ka mbrojtur sistemin e korruptuar të FIFA-s. Përse? Sepse shef i FIFA-s ishte një zviceran, Joseph Blatter, jo çfarëdo zvicerani, por një nga malet e Wallisit, ku flasin një dialekt marramendës. Atje pranverës i thonë «Üüstag» (jo Frühling).

Futbollistët shqiptarë kryesisht kanë heshtur pas pranimit të Kosovës në UEFA. Pas urimeve rutinore ata nuk janë përgjigjur në pyetjen kardinale se a do të luajnë për Kosovën. Valon Behrami, të cilin në ndeshjen mes Shqipërisë dhe Zvicrës në Luzern në vitin 2012 disa fansa shqiptarë e fyenin me ton racist «Valon magjupi», ka thënë se pas Kampionatit Europian të Futbollit secili futbollist do të vendosë individualisht nëse do të vazhdojë të luajë për Zvicrën apo për Kosovën (nëse një gjë të tillë e lejon FIFA). Xherdan Shaqiri, i cili në fakt do të duhej ta shkruante emrin si duhet (Gjerdan), e ka marrë me shaka krejt debatin, duke thënë se të shtunën do të luajë për Kosovën, të dielën për Zvicrën. Ish-trajneri i Zvicrës Ottmar Hitzfeld është i bindur se Gjerdan Shaqiri dhe Granit Xhaka do të vazhdojnë të luajnë për Zvicrën, përkundër presionit të madh nga të gjitha anët.

Meqenëse po kërkohet që lojtarët shqiptarë të tregojnë më bindshëm se e duan Zvicrën, kolumnisti i gazetës «Wochenzeitung» Etrit Hasler ka bërë disa propozime. Etriti e quan veten Halbaner, që domethënë gjysmë shqiptari (halb=gjysmë), sepse i ati i tij është shqiptar nga Kosova. Ai shkruan se futbollistët e Kombëtares së Zvicrës duhet të mësojnë himnin në të katër gjuhët e vendit – gjermanisht, frëngjisht, italisht dhe retoromanisht. Kështu Zvicra do të kishte së paku 11 njerëz që do e dinin himnin përmendsh. E njëjta vlen edhe sa i përket dashurisë ndaj flamurit. Duke qenë se shumica e futbollistëve në ditët e sotme diku bartin një tatuazh, përse të mos e vendosin diku edhe kryqin zviceran. Propozimi i radhës i Etrit Hasler është ndalimi i «bërjes së shqiponjës»; më së lehti kjo arrihet duke ua prerë gishtat futbollistëve. Albaner, Halbaner, shqiptar: pa marrë parasysh si ndjehesh, kur luan për Zvicrën duhet të jesh më zviceran se ata që i bien atij fyellit të gjatë alpin, se ata që merren me pehlivanllëk (Schwingen). Shaqiri e Xhaka duhet të mësojnë të luajnë edhe Hornussen, Steinstossen dhe Platzgen. Shpjegimi i këtyre lojërave do ta zgjaste panevojshëm këtë kolumne.

Në fund një pyetje: a ka folur ndokush me Blerim Xhemajlin, Admir Mehmedin dhe Shkodran Mustafin? Ndoshta edhe ata duan të luajnë për Kosovën.