
Apeli i Përgjithshëm ka liruar nga qelia ish-kryebashkiakun e Kukësit, Safet Gjici për shkak të arsyeve shëndetësore. Pjesën e mbetur të dënimit për korrupsion pasiv, Gjici do e shlyejë në arrest shtëpiak.
Safet Gjici, ish-kryetari i Bashkisë së Kukësit, u arrestua më 24 qershor 2023 me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), nën akuzën për korrupsion pasiv. Arrestimi erdhi pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, ku ai shfaqej duke kryer marrëdhënie seksuale në zyrën e tij me një grua, e cila më pas rezultoi të ishte Alma K. Në videon e plotë, pas aktit seksual, Gjici diskutonte me gruan për financimin e një projekti për sterilizimin e qenve të rrugës, duke i premtuar mbështetje nga Bashkia.
Pas publikimit të videos, Gjici dha dorëheqjen nga posti i kryebashkiakut dhe kërkoi ndjesë publike. Ai e cilësoi ngjarjen si një kurth të organizuar nga kundërshtarët e tij politikë.
Alma K., gruaja e përfshirë në video, u ndalua dhe u vendos në arrest shtëpie, nën akuzën për korrupsion aktiv.
Më vonë, në qershor 2024, Gjici u dënua përfundimisht me 4 vite e 6 muaj burg për aferën seksuale në zyrën e bashkisë./L.F-dritare,net

















