
5 arsye pse tatuazhet nuk janë ajo që ti kujton!
Dritare.net

Punëdhënësi im i mëparshëm, një zotëri i shkolluar e intelektual rreth të 60-ve, një ditë teksa i thoja që “trupi ishte altari im spiritual” rrudhosi buzët i mërzitur se nuk qëllova fort “vajzë e mirë” sipas normave tona shoqërore, andaj mëngjeseve kur vinte në punë më hidhte sytë në krah se mos befas brenda natës ato “të flamosura” tatuazhe ishin zhdukur.
Sikur ta dinte ai sa shumë do të thonë për mua këto të shkreta tatuazhe dhe që mua vetëm për të tilla më punon mendja.
Ok, përpos udhëtimeve, shumica e shoqeve të mia mendojnë për veshje të shtrenjta e kësisoj harxhimesh; unë ëndërroj tatuazhet! Aq shumë sa të fundit, e bëra 30 minuta pasi kisha zbritur nga avioni kur u ktheva nga një fellowship jashtë vendit. Ama në jetë do të takosh njerëz që do të kenë gjithnjë një mendim për faktin sesi një tatuazh do të të shkatërrojë jetën dhe këto janë 5 arsye pse ata IA FUSIN KOT:
1. Trupi im nuk është jetëshkrimi im
Epo, më mirë të themi që nuk është jetëshkrimi im profesional. Sepse për çdo gërmë a njollë që kam gdhendur përgjithnjë në trup, më kujtohet rrugëtimi e jeta ime vetëm 25 vjeçare. Ama, akoma më kujtohet shikimi i familjarëve të mi kur bëra tatuazhin e parë. Ime më (asokohe studioja mjekësi) kaloi një tronditje sesi mund të kuronte një mjeke me tatuazhe pacientët. Njësoj si gjithë kolegët e saj, ma!
Kur tatuazhet filluan të shtoheshin dhe në intervista pune sytë e atyre që më merrnin në intervistë shihni diçka, ose unë jam me fat ose gjeneratat vërtetë që po ndërrojnë. Shumica e punëdhënësve janë kuriozë vetëm, të tjerët shpesh më “mëshirojnë” sesi një vajzë e re, e aftë thonë shkon e ngjyhet kështu, të tjerë gjejnë një passion të përbashkët, ama deri më sot askush s’më ka refuzuar në një vend pune sepse tatuazhet e mia iu duken jo-etike. Aftësia sesi ti komunikon me klientë, kuron pacientët, sesi mban llogaritë e kompanisë apo menaxhon burimet njerëzore, nuk afektohet në jetën reale nga fakti që unë mund të pikturoj hapësirat e mia vetjake si të dua në të njëjtën mënyrë sesi dikush vesh një kostum a fund, sesi mbath atlete në një takim zyrtar apo nuk harron të veshë përparësen çdo ditë.
2. Miti i “Do të të mërzitet” dhe numrat çift
Tani të dyja këto mite më kanë përndjekur që nga tattoo i parë dhe unë sot kam 5. Dikush që s’ka tatuazh por sigurisht ka ekspertizën që të dijë efektet e tij, më mbajti dikur gati 1 orë e gjysmë duke më thënë që një tatuazh në kyçin e dorës ku do e shihja përditë, do të më mërzitej dhe do të pendohesha. Në fakt, unë aty e bëra.
Çdo person ka qasjen e tij dhe tatuazhet janë gjëja më personale në një botë ku kushdo fut hundët ku të dojë. Ndaj, nëse do një vend intim, shko për të. Eksperienca me tatuazhe më ka treguar që vendet më intime ose evitimi i hapësirave si qafa, gishtat apo duart nuk janë shumë komode sepse ndonjëherë në sytë e komuniteteve të ndryshme mund të perceptohen ndryshe. Ndaj në shenjë respekti mund ta bëni një sforco të tillë. Kurse të flasësh për numrin tek a çift të tatuazheve është si të flasësh për macen e zezë që të kalon përpara makinës dhe ti je në dilemë nëse do të presësh një orë sa të kalojë dikush apo jepi, 7 vjet ters s’janë asgjë.
Përtej shakave, ky mit duhet të jetë shpikur nga ndonjë biznes tatuazhesh ndryshe s’më bën kuptim pse viti im i fundit ka qenë një mrekulli edhe pse me 4 tatuazhe.
3. “Nuk do të dhurosh kurrë më gjak, mi mam, s’i dihet jetës, larg qoftë, ptu ptu!” dhe gojëdhëna dashakeqe si kjo
Ky besoj që është argumenti që mund të stepë këdo: “ S’bëj tattoo sepse s’mund të dhuroj gjak.”
Në fakt, kjo është krejtësisht e pavërtetë: sigurisht që mundeni! Sipas Kryqit të Kuq, ama varion koha pas kryerjes së një tatuazhi ajo që rekomandon ose jo dhurimin e gjakut. Zakonisht pas 4 muajve nga dita kur keni bërë një të tillë, mund të dhuroni lehtësisht gjak. Dhe jo, nuk merret HIV/AIDS nga tatuazhet ose të paktën nuk është raportuar asnjë rast flagrant i kësaj. Kjo ama nuk e përjashton mundësinë e kësaj ndodhie përsa kohë që kujdesi ndaj përzgjedhjes së tatuatorit/es duhet të jetë maksimal. Unë mendoj bazuar në atë çka kam përjetuar personalisht, që ky proces është ai që duhet të marrë vëmendjen tuaj më së shumti. Jo më kot, vite më parë të bërit e një tattoo-je në New York ishte i ndaluar me ligj dhe diçka e tillë vazhdoi në Massachusetts deri në vitin 2000. Kushtet higjienike, lloji i bojës së përdorur dhe steriliteti i gjilpërave janë një faktor mjaft i rëndësishëm për të cilin duhet të informoheni përpara se të ndërmerrni një hap. Sigurohu që të kesh 2-3 referenca përpara përzgjedhjes së një artisti tatuazhesh sepse është diçka permanente!
4. Dhimbje aq të forta sa mund të të bjerë të fikët (ose jo!)
Në fakt, ky është diskutimi kryesor kur dikush dëshiron të bëjë një tatuazh.
Mua kurrë nuk më ka dhembur një tatuazh: qoftë ky në një vend të butë apo pranë kockave.
Iu kujtohet kur iu thashë që tatuazhi nuk është jetëshkrimi juaj?
Epo, në këtë rast, është: tregon shumë për aftësinë e durimit e dhimbjes nga një person.
Kështu, 2 episode më kanë bërë të besoj që njerëzit nuk e bëjnë më të madhe seç është dhe ndofta paska dhimbje vërtetë.
Së pari, ime motër kaloi në një gjendje “të fikti” teksa bënte një tatuazh minimal në kyçin e dorës dhe askush nuk e kuptoi pse. Ndoshta të qenit pa ngrënë apo e emocionuar dhe me frikë për eksperiencën e parë mund të ndikojë tek kushdo, ndaj evitojini këto mundësi.
Së dyti, shoqja ime e ngushtë bëri një tatuazh në te njëjtën periudhë si unë e le të themi në vende të ngjashme. Mua m’u desh vetëm një seancë, pak shpime me gjak por asnjë dhimbje dhe asnjë irritim i lëkurës rreth tij. Shoqja ime jo vetëm që e bëri në dy seanca, por dhimbjet që po përjetonte gjatë, ndërmjet dhe pas ishin aq të çuditshme për mua sa po mendoja që drama e saj shkonte përtej deri sa pashë situatën e agravuar të reagimit që lëkura kish pasur.
Çdo eksperiencë është personale dhe lërmëni t’iu them që tatuazhet i dhembin më shumë djemve sesa vajzave, këtë ma pohoi me gjysmë zëri një nga djemtë që punoi për mua dikur një tatuazh.
5.Hapësira ime, botëkuptimi im
Ina që është dhe personi i vetëm që i besoj tatuazhet së fundmi, më tha që nuk bënte tatuazhe që për të ishin të zakonshme apo pa një kuptim. Në fakt, e vlerësova pikërisht prej kësaj: artistët e vërtetë nuk bëjnë kompromise dhe kjo krijoi një qasje tjetër ndaj artistes që unë zgjodha për tatuazhet e mia.
Sigurisht, të qenit unik në shfaqjen e ngjyrave që do të mbash përjetë me vete kërkon të marrësh një vendim të rëndësishëm për kuptimin e imazhit. Këtë unë nuk e dija kur isha pothuajse 18 dhe pikturova një infinit me yje e Hënë të cilën vite më vonë m’u desh ta mbuloj. Sa bazike, jo? Dhe për mua kjo nuk kish ndonjë kuptim specifik, as domethënie.
Ndaj përsa kohë, doni të merrni një vendim të tillë serioz, zgjidhni diçka që është JU edhe në të 20tat e tua, por edhe në të 70-tat kur t’i rrëfesh nipërve për jetën tënde.
"Unë të mive do t’i tregoj për një gjyshe që s’thur triko, por me siguri edhe atëherë do të shënjojë veten me ngjyra e art."/dritare.net

















