Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

5 aplikacione që çdo vajzë duhet të ketë në telefon

5 aplikacione që çdo vajzë duhet të ketë në
Nga Xheni Hatillari

Më besoni, unë s'jam njeriu më teknologjik në qytet, as njeriu më i organizuar. Por një gjë është e sigurt, jam gjithë kohën me smartphone-in tim në dorë e gati të shpëtoj botën (ok, jo gjithmonë, ndonjëherë edhe marr pushim nga kjo punë). Por fjala bie, unë e vajzat e tjera të moshës sime që siç kam dëshirë unë të etiketohemi jemi ajo që sot quhet "Femra Moderne" mes punës, shkollës, të dashurit që do hapësirën e tij dhe faturave për të paguar me zor, gjejmë kohë për ca gjëra e në mos, harrohemi. Epo, përsa kohë që s'i lejojmë dot vetes një asistente që të na organizojë jetën, kujt mund t'ia lëmë në dorë më mirë sesa mikun tonë më të mirë: telefonit!

Ky është një artikull i iniciuar si përvojë personale për t'i ndihmuar lexueset/it e mi të kuptojnë që mund ta kthejnë botën virtuale në funksionin tonë, ashtu siç duhet të ish prej gjithmonë.

  1. FLO

Flo prej një viti është mikesha ime më e mirë e me shumë gjasa nëse edhe ti je një human me perioda, sapo u bërë me një shoqe të re. E dini sa ditor është cikli juaj menstrual? E dini që keni dhimbje koke po kur iu pyet obstetri/ja juaj për ndonjë ndryshim s'dini ç'ti thoni.

Në fakt ndofta prej kulturës sonë shqiptare, pak flitet për periodat duke i etiketuar shpesh si "ato", "tezet" etj, kjo për të krijuar taboo. Kur t'iu them që FLO ka një komunitet grash e vajzash aktive për të trajtuar problemet tuaja e për të ndarë mendime me doktorë të specializuar, që ka një kalendar fantastik me alarme të ndryshme për t'iu lajmëruar jo vetëm për ditët e periodave por edhe ato të ovualcionit apo ditët më pjellore, që krijon një anamnezë që kur të shkoni herën tjetër për vizitën rutinë do jeni e pajisur me informacione, do të më besonit? Epo po, FLO i bën të gjitha. Me siguri, një vajzë do e ketë krijuar për gjithë vajzat e tjera si unë e ti.

  1. Duolinguo

Është në rregull mos të kesh kohë për të mësuar gjithnjë: rutina, jeta dinamike e çdo aktivitet i ngjashëm të mban larg pasionit tënd për t'u bërë poliglote. Edhe sikur mos të ish kjo, me siguri ke menduar gjithnjë që do ish fantastike të mësoje një gjuhë ekzotike por s'ke kohë për kurse e me siguri, as durim shumë. Duolinguo është zgjidhja dhe ta mendosh, ata s'më paguajnë për reklamë! Në fakt e meriton gjithë vëmendjen tuaj vajza sepse bën mrekulli. Asnjëherë s'e besova që mund të mësoja një gjuhë duke studiuar vetëm për 10 minuta çdo ditë derisa këtë verë mendova t'ia nis turqishtes për t'iu bashkuar moshatarëve të mi që ia dolën vetëm nga telenovelat. "Dreqi ta hajë, pse ça jam unë që mos t'ia dal?" i thoja vetes. E kështu për gati 3 muaj me një vullnet dhe alarme të përditshme nga miku im, Duo ia dola le të themi të kuptoj e kuptohem në një nivel bazik në turqisht. Jo, nuk e vazhdova më tej por me siguri këto pushime do të nis eksplorimin e një gjuhe tjetër. Bëjmë një garë kush eksploron më shumë?

  1. Baboon

Ky është një aplikacion puro shqiptar! Fillimisht para 2 viteve kur nisa ta përdor, pak biznese ishin të regjistruar por ju jeni me fat: sot Baboon ka një sagë të gjerë restorantesh e baresh që të mundësojnë katering kudo që je nga sushi tek ushqimi indian. Biles edhe restorante të ndryshme në Tiranë që nuk e ofrojnë vetë këtë shërbim, nëpërmjet Baboon ti i ke gati për t'u konsumuar. Ka dhe oferta ditore, ca kuptona që s'i kam përdorur ende. Ama ajo që vlerësoj më shumë është shërbimi dhe taksistët e Baboon që përtej shërbimit të shpejtë dhe jo lodhës me orientime shqiptarçe (app ka shërbimin GPS), janë kaq të kulturuar dhe s'ke frikë t'iu hapësh derën. Një dhjetë me yll për ty, Baboon!

 

  1. Mint

Mint është mami juaj dhe porositë e saj për të mos e lënë rrogën në dyqanin e parë që hyn. Epo, jo tamam por është organizuesi më i mirë financiar vërdallë. Kur ke të ardhura fikse e sidomos për ju që sapo keni zgjedhur të bashkëjetoni me dikë dhe s'dini ende ç'drejtim t'i jepni të ardhurave, kjo është zgjidhja. Aftësitë e mia për të llogaritur sa duhet të harxhoj një muaj e sa muajin tjetër, t'i kategorizoj këto në shërbime që më duhen me patjetër apo të tjera që më fusin në zonën e kuqe të Mint, janë përmirësuar ndjeshëm 4 muajt e fundit teksa kujdesem për të ardhurat e mia siç do bënte dikush më i përgjegjshëm sesa unë, në këtë rast Mint. Biles iu thotë edhe se sa lekë mund t'i lejosh vetes të kursesh pa u futur në vështirësi, lidhet me llogaritë e tua bankare nëse dëshiron dhe të mundëson përllogaritjen e pagesave dhe të kujton KUR duhen paguar ato të shkreta fatura. Nuk bëhem pishman fare që s'isha kurrë e mirë në ekonomi! Tani më fund do bëhemi të gjitha siç seksistëve i pëlqen të thonë "grua për shtëpi".

  1. Headspace

Epo, para apo pas një ditë të ngjeshur edhe ne vajzave na duhet rikarikim energjish.

Unë Headspace e gjeta mes aplikacione të shumta që kisha shkarkuar në fillimet e meditimit dhe erdhi fiks në kohën e duhur. Duke qenë se sot shumica e aplikacioneve simotra të saj janë me pagesë, Headspace është më e mira e mundshme: sesione bazike falas dhe ne kaq na duhet. Sesione prej 2 minutash deri në 30 minuta të plota nëse angazhimi yt, vajzë ta lejon. Por prit, ka një seksion të plotë me krijimin e një gjumi të shpejtë e çlodhës fiks siç duhet të jetë gjumi ynë pas një dite të gjatë. Një regjistrim i shpejtë me adresën tënde të Facebook apo email dhe voila, ja ku po vij meditim!

Takohemi në mendime pozitive, vajza!/dritare.net