
19 kate mbi det! Historia e Brunos, aktori i ri, që testoi veten për 16 muaj rreth botës me kroçiere
Dritare.net

Për dikë janë lekët, për shumë të tjerë shija e aventurës, disa të tjerë i thërret deti. Në fund të gjithë i bashkon një eksperiencë që nuk të shqitet lehtë nga mendja, sepse bashkë me kënaqësitë e të parit të shumë vendeve, në paketë përfshihet edhe rreziku i të papriturave si ajo që fundosi Titanikun. Në dritare.net kemi biseduar me një djalë shqiptar, Bruno Muskaj, një djalë i ri nga Fieri, i cili ka patur dy kontrata pune në kroçiere të huaja, më e gjata e të cilave ka zgjatur 9 muaj. I çiltër dhe me një vërtetësi që duhet ta ketë marrë edhe prej deteve e oqeaneve, Bruno na thotë se përveç lekëve në kroçiere mbi gjithccka ti zbulon veten, ndërsa mundësitë që të jepen janë të pafundme. Ashtu si edhe rreziku.
Bruno si re në kontakt për herë të parë me mundësinë e të punuarit në kroçere?
Kontakti ka ardhur fillimisht përmes një shokut tim, i cili kishte hulumtuar, kishte bërë shumë verifikime dhe kishte vendosur të ikte. Ai më sugjeroi që ta provoja edhe unë. Të iknim bashkë ishte ideja, duke pasur parasysh edhe tipin tim. Kurioziteti më shumë për të parë sesi është jeta në det, në anije…
Si ishte në fakt jeta në det?
Ishte shumë ndryshe, nga sa mund ta përshkruajë dikush. Nuk mund të krahasohet asnjëherë me atë që ndodh realisht në anije. Nëse nuk shkon atje, nëse nuk jeton atje, nëse nuk bëhesh pjesë e anijes, nuk ke për ta kuptuar ndonjëherë.
Cila është pjesa më e vështirë?
Pjesa më e vështirë janë dy javët e para, kur shkon në anije ku duhet të mësosh gjërat bazike, kur duhet të flesh, kur duhet të punosh dhe kur të hash, sepse kroçieret fillojnë nga 11 deri në 19 kate. Pjesa më e vështirë pastaj janë dy javët e fundit, kur ti mendon kur do zbres në tokë, kur do ha bukë nga duart e mamit, kur do t’i jap makinës…( qesh). Të paktën këto janë eksperiencat e mia.
Ju keni bërë dy kontrata të tilla. Cila ka qenë periudha më e gjatë që keni qëndruar në det?
Ka qenë kontrata e dytë, e cila ka zgjatur 9 muaj.
A kishe frikë duke qëndruar gjithë atë kohë në det? Si e përballonit nga ana psikologjike apo duket sikur je brenda një qyteti të vogël dhe mësohesh.
Për pjesën e rrezikshmërisë që ka deti, më e vështira ka ndodhur kur bënim sezonin e Alaskës. Nëse e mbani mend ka ndodhur një tërmet në atë kohë dhe ne kishim kthimin dy ditë në det. Kur ra tërmeti ne ishim në mes të detit. Kroçiera ishte 19 kate e lartë dhe dallgët arrinin diku tek kati i shtatë. Pas dy orësh që vijonte ky tërbim i detit, kuptoje që jeta jote nuk ishte asnjë lloj gjëje. Ato 19 kate në mes të oqeanit janë si një pikë uji në një lumë të rrjedhshëm. Anija ishte asgjë, oficerët ishin asgjë, kapiteni ishte një hiç i madh, jeta jote një hiç. E vetmja gjë që më jepte shpresë ishte që shikoja peshkarexha, ato futeshin komplet në ujë, zhdukeshin për një apo dy sekonda dhe ti që bëje kryqin e thoje “o zot nxirri prap lart”. Ato dilnin prap si miza të vogla dhe ti mendoje “shyqyr që anija është 19 kate e lartë”. Në mes të asaj fuqie, ne ishim e keqja më e vogël.
Keni përballuar një tërmet në det, ndaj ky në tokë besoj nuk ju ka trembur shumë…
Fare( qesh). Ky ishte si bukë me djathë. Ai ishte një moment që i thoja vetes “po unë ç’dua këtu”.
Cili vend të ka pëlqyer më shumë në gjithë vendet ku keni ndaluar?
Unë kam bërë komplet Europën, Karaibet, pjesën e Amerikës, Amerikën Latine. Nëse është për të jetuar, nëse do kthehsha për të jetuar është padyshim Kanadaja.
Pse Kanadaja?
Kandaja ishte një vend ku ëndërra amerikanë shkonte për emigrim.
Po vendi më ekzotik?
Po të jetë për ishuj, ishte Roatan pjesë e Karaibeve. Ishte një mrekulli më vete, parajsa mbi tokë, për mendimin tim. Pastaj sipas preferencave; dikush pëlqente Kubën për shkak të femrave, dikush Xhamjakën për shkak të drograve ( qesh).
Bruno ju keni studiuar për aktrim. Ke tentuar të punosh në profesionin tënd, apo nuk të intereson më pas gjithë këtyre eksperiencave?
Kam punuar. Madje pjesa më e bukur ishte që kam punuar edhe në kroçiere. Në anije kishte një sistem që i jepte të drejtë secilit prej punëtorëve të shprehte talentin që kishte në teatrin e anijes. Teatri i kroçieres ishte 8 herë më i madh sesa Teatri Kombëtar dhe në anije punonin 1800 persona. Sa i takon kësaj pjese unë kam parë çudira. Dikush që të lante pjatat kur ti haje drekën, në darkë mund të të bëntë një shfaqje magjie, që t’i thoje “pse nuk i lan dhe pjatat me magji”. Gjëra të pabesueshme.
Ti çfarë pune ke bërë?
Unë kam bërë në kontratën e parë si "bar-tender" dhe në kontratën e dytë kam punuar si instruktor joge, pasi bëra një specializim në Londër. Kontratën e dytë pas Londrës e pata si instruktor.
Sa ia vlen nga ana monetare, puna në kroçiere?
Kroçieret kanë diçka të veçantë. Në to zakonisht njerëzit paguajnë që të udhëtojnë. Ndërsa ti ke mundësinë të udhëtosh edhe paguhesh. E para ke pushimet falas, e dyta po ta krahasosh me pagat normale në Shqipëri, ti merr katër ose pesë-fishin e saj në një muaj. Gjithashtu aty paguhen edhe përqindje të punës është një sistem që e kupton aty. Sa më shumë të punosh aq më shumë paguhesh. Pjesa e tretë e pagesës është bonusi që merr nga klientët. Sa më i komunikueshëm të jesh, aq më shumë bakshishe përfiton.
Sa shqiptarë ke njohur që bëjnë të njëjtën gjë si ty?
Në udhëtimin e parë ishim 9 shqiptarë. Ndërsa tek e dyta isha vetëm unë.
Cilët të rinj tërheqin më shumë këto kroçiere? Janë nga të gjitha vendet apo më shumë tentojnë të punësojnë të rinj nga vende si Shqipëria që ndoshta nuk i paguajnë aq shumë?
Kroçieret funksionojnë me tre nivele, me oficerë që janë më të paguar, me staf ku bëja pjesë dhe unë dhe me “crew member”. Mesa di unë, kanë filluar me "crew member" dhe tani kanë arritur që të futin shumë staf. Nga sa di unë tek kompania ku punoja ka çuar shumë staf. Shumë gjëravaren nga shteti edhe këtu. P.sh Italia ka shkollë të posaçme për oficer/marinar dhe ka ligj të shkëlqyer sa i takon punësimit të këtyre oficerëve që nxjerr shkolla. E ka me ligj që 80 përqind e stafit të një kroçiere apo anije italiane duhet të jenë italianë. Po ashtu vendet që presin kroçieret kanë sistem të shkëlqyer për punëtorët. P.sh Kuba nuk ta pranonte kroçieren të parkohej në detin e saj nëse 20 përqind e stafit nuk ishte kubanez.
Këtu tek ne nuk ka kufizime të tilla, mund të zbresë kushdo..
Jo dhe nuk kemi krijuar kushte për kroçiere. Psh në Sarandë kroçiera është e detyruar që mos të ankorojë dot, por të qëndrojë në det dhe njerëzit bëjnë hyrje-dalje me varka. Ndërkohë që me pak punë është port i gatshëm që anije kaq të mëdha të ankorojnë. Shumë njerëz në anije janë moshë e tretë dhe është lodhje e madhe për ata kjo ecajake. Ndërkohë që kur anija ndalon, dikush edhe në karrige me rrota del e bën një xhiro në qytet. Xhiro që sjell shumë para për barin, restorantin, suveniret etj.
Nga aktrimi, dukesh shumë i përgatitur për pjesën e menaxhimit në një kroçiere. Të ka mësuar shumë kjo eksperiencë?
Në kroçiere kam punuar me njerëz nga 40 kombësi të ndryshme. Çdo ditë që ti kalon në anije, ku do s’do do përballesh me të çdo karakter fiton shumë. Aty do apo nuk do ti nuk e fsheh dot karakterin tënd. Nuk ke ku fshihesh.
Cila ka qenë gjëja më me vlerë që ke mësuar nga gjithë kjo eksperiencë?
Janë vlerat që ti arrin t’i kuptosh dhe zbulosh brenda vetes. Është investim tek vetja, duke hequr pjesën monetare që është shumë personale, sepse ka njerëz që mund të kursejnë, ndërsa të tjerë jo.
Ti tek cilët njerëz bën pjesë?
Tek kontrata e parë nuk kurseva asgjë. Pjesa më e mirë ishte që nuk harxhova nga lekët e mia (qesh). Ndërsa në kontratën e dytë, po. Kurseva. E para ishte eksplorim më shumë, ndërsa tek e dyta thashë “prit, se s’do e bëj si herën e parë”.
Do e bëjë sërish si punë?
Sigurisht që do ta bëja por tani dua të rri me këmbë në tokë. Sa herë që mbaron një kontratë thua “nuk shkel më atje”. Por në kontratën e dytë sapo më thanë kemi kontratë gati, nuk e mendova dy herë. Thashë po erdha. Shkova firmosa letrat, ika. Por nuk e di si do reagoj nëse më kërkojnë sërish. Thonë që të thërret deti.
Si ndihesh me kthimin në normalitet dhe punësimin tani që je Tiranë?
Lekët i kam investuar në një punë timen private dhe jam i kënaqur./dritare.net

















