10 gjërat prej nga mund të vdesësh në Shqipëri

Nga Luna Ruvina

Jo më shumë se gjysmë ore më parë, nga ballkoni i nuk e di çfarë kati, në oborrin e ndërtesës 12-katëshe ku unë jetoj, ra një gotë qelqi. U thye në një parapet betoni dhe copëzat e ciflat e saj u shpërndanë aty ku mund të kalojnë me dhjetëra e qindra njerëz gjatë ditës. Pa marrë veten akoma, po sjell ndër mend sa e sa gjëra të tjera që mund të të çojnë drejt sakatimit të përjetshëm ose drejt pushimit të përjetshëm në këtë vend ku njerëzit nuk marrin seriozisht as jetën e tyre, se të të tjerëve jo që jo. E ja disa nga këto aksidente vdekjeprurëse, që me ca ndërgjegjësim e ca ‘shtet’ mund të parandalohen:

  1. Sende të forta (qelq, dru, vegla pune, vazo lulesh, e madje edhe ndonjë grua e shtyrë me shumë gjasë nga burri i vet – mos të ketë guxim njeri të më kundërshtojë – ka me dhjetëra raste të tilla) të rëna/të hedhura nga ballkoni.
  2. Mungesa e trotuareve – të paktën vetëm në lagjen time janë metra të tërë në rrugë të restauruara së fundi, ku mungojnë plotësisht trotuarët, se i kanë zënë lokalet ose oborret e muret rrethues të vilave e në ndonjë rast edhe ndonjë nga ato universitetet super të shtrenjta ose shkolla private aq të suksesshme sa i shoh të zgjerohen me ambiente nga viti në vit (se si mund të bëhen qytetarë të një shoqërie më të mirë ata fëmijë apo të rinj nesër, ndërkohë që mësojnë në troje të zëna publike…nuk e kuptoj dot!!!).
  3. Shoferë të papërgjegjshëm – a nuk dinë a nuk duan, a të dyja bashkë, nuk di ta them, por që nuk tregojnë asnjë lloj ndjeshmërie për njeri tjetër, kjo s’ka nevojë të thuhet fare. Dëgjoj shpeshherë të fajësojnë këmbësorët dhe nuk kanë faj, këmbësorët shpeshherë nuk i kuptojnë fare makinat. E ku t’i dinë rregullat e qarkullimit rrugor shumica e popullsisë në këtë vend, e cila, në qoftë se ti nuk e di, jeton në fshat, pa semaforë e pa rrethrrotullime. Që të kuptosh trafikun, duhet ta shohësh trafikun edhe si këmbësor, edhe si shofer. Shumë njerëz nuk e kanë mundësinë për këtë të dytën. Njerëzit me të ardhurat minimale për jetesë nuk do të kenë mundësi ndoshta kurrë të kenë një makinë tyren.
  4. Bombolat e gazit – E sa është probabiliteti, mund të thotë ndonjë skeptik? Po merr e lexo gazetat e dy-tre viteve të fundit. Pupupu, unë s’fus gaz në shtypi, dëgjoj të më thonë shumë vetë. Në fakt, as unë vetë nuk fus, por kjo nuk më jep asnjë lloj sigurie se nuk vdes nga bombla e komshiut, apo nga ai që bën suflaqe apo qofte poshtë shtëpisë, rrugës për në punë, apo ngjitur me zyrën time.
  5. Zjarri – Çfarë sigurie ka ndërtesa jote për t’u mbrojtur nga zjarri? A mund të arrijë zjarrfikësja deri në katin tënd nëse jeton në pallatet shumëkatëshe? A mund të futet tek rrugica jote e ngushtë për tek pallati ‘ekzistues’ pesë-katësh? Po ndonjë mundësi për të zbritur? Për të dalë nga pallati yt në rast zjarri, ka?
  6. Ushqimet e skaduara – Kush i kontrollon produktet e super-supermarketeve që njerëzit i njohin rëndom me emrat e pronarëve të tyre të mëdhenj? Supermarketi i filan biznesmeni apo i filan deputeti. Kujt ‘ia mban’ të kruhet me kësi pronarësh? Ia keni dëgjuar ndonjëherë emrin AKU-së, Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, që ndoshta edhe i ka ndryshuar emri me këto reformat e fundit?). Një kushërira ime ka një komshie hallexhie që punon prej kohësh në një ‘punë’, ku fshin datat e skadencës nga paketimet e ushqimeve. Emër mbiemër nuk ia di, por mund t’ia gjej, e mund edhe ta ‘trace’ këtë ‘biznesin’, por kjo është një nga ato ‘lajmet e këqija’ që njeriu bën sikur nuk i dëgjon.
  7. Të shtënat e rastësishme që kanë në shënjestër një djalë të ri ulur ngjitur me ty në kafe – Kjo nuk është se ndodh shpesh, por ka ndodhur jo pak herë.
  8. Ngarja e biçikletës – Ndonëse trendy dhe shumë e sugjerueshme për një jetë të shëndetshme, ngarja e biçikletës mund të rezultojë vdekjeprurëse këtu tek ne. Unë i admiroj njerëzit që zgjedhin biçikletën, por vetë jam frikacake. Sa për ilustrim të kësaj frike që mesa duket nuk e kam vetëm unë, po citoj një ish-Ambasador holandez në Tiranë, i cili në fjalën e tij mbajtur me rastin e ‘Ditës pa Makina’, iu drejtua pjesëmarrësve “Mua dhe gruas sime na pëlqen shumë ta përdorim biçikletën këtu në Tiranë, vetëm se nuk e kemi me shumë qejf vetëvrasjen”. Përveç kësaj, unë, që më duhet ta pranoj, nuk marr shumë vesh nga çiklizmi dhe korsitë e biçikletave, kam pasur rastin të bëj një monitorim të shumicës së korsive të biçikletave në Tiranë me Shefin e Transportit të një qyteti të madh perëndimor.I kursyer në komente negative, tundja e tij e kokës dhe nënqeshja si shprehje mosbesimi, çudie, e argëtimi, më la të kuptoja shumë. Në disa raste ndalonim e më tregonte se sa fatale mund të ishin pika të caktuara nëpër këto korsitë e prezantuara me shumë pompozitet.
LEXO DHE :  Projekti i Teatrit Kombëtar, reagon Basha

 

 

9. Ashensorët pa kontroll – Përveç një rasti tragjik që mbaj mend të ketë ndodhur së fundmi diku nga Fresku, nuk di të ketë ndodhur aksident tjetër e ndoshta po u bie kot më qafë, por me mirë t’i biem ziles së alarmit para se të ndodhë e keqja. Do të doja të shihja herë pas here ndonjë kontroll nga ndonjë ent shtetëror për shumë aspekte të sigurisë nëpër ambiente të përbashkëta, si ashensorë, shkallë, parkime, oborre, etj. Pse jo

10. Qentë – Dhe jo vetëm ata të rrugëve, ata gjynahqarët e lodhur hijeve, por më shumë ata të mirëushqyerit pa gojëz, pronë e pronarëve që nuk do të mund t’i shihja kurrë të bëjnë atë që bëjnë njerëzit kafshëdashës në vende të civilizuara që e kanë hedhur krahëve urinë e hallet bazike. E kam fjalën që të dilnin me qese e me doreza rrugës që jashtëqitjen e Pitbull-it apo Rottëeiler-it të tyre të mos na e jepnin me vete ‘dhuratë’ për në shtëpi./dritare.net/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.