10 arsyet, pse ty nuk të merr njeri në punë!
E Hënë 19 Shkurt 2018, 12:12
Dritare.net
Gjithmonë e më shumë shoh që njerëzit ndahen në dy kategori, ata që këputen së punuari e s'ia dalin dot t'i bëjnë të gjitha dhe ata që vetëm presin e ankohen pse këta të parët nuk ua varin sa duhet me lekë e begenisje.
Nga përvojat e mia me këtë kategorinë e dytë, këto janë dhjetë nga shumë arsyet pse juve, jo vetëm nuk ua var njeri për punë, por edhe po t'ju marrë, mezi pret t'ju heqë qafe.
Kam ndër mend ca njerëz konkretë në secilën prej këtyre 10 pikave e po i drejtohem secilit/secilës;
- Kur të flet njeri për ndonjë mundësi pune, ti të sheh me ca sy si prej budallai. Edhe pse mund të kesh muaj e vite pa punë e pa rrogë, nuk të lëviz asnjë muskul i syrit për të shprehur një lloj gëzimi që dicka po lëviz. Sa herë harroj dhe kontaktoj një si ty për punë, bëhem direkt pishmam e mallkoj veten që nuk mësoj nga gabimet e mia , kur shoh fytyra që pa asnjë lloj shprehie arrijnë të më japin mesazhin "Po ç'pate? Mua më gjete për punë?". Pyetjet që në fakt bëjnë janë "Po sa është rroga?" "Po pyete një herë, sa orë në ditë?" "Eee, ai/ajo kushedi sa nxjerr për vete! Sa të poshtër janë!"
- Kur të pyet njeri cfarë pune kërkon, cfarë di të bësh, nuk ke asnjë përgjigje, po rri përtypesh sa më ngre nervat. Po cfarë dreqin bën gjithë kohën pa punë, duke pasur edhe smart phone? A nuk sheh ç'bëhet, çfarë kërkohet në treg? A nuk i sheh njoftimet pa fund nëpër faqe të ndryshme? Unë ca kohë interesohesha për një apartament dhe për disa ditë i mësova gati përmendësh të gjitha opsionet që ofronte tregu.
- Ti nuk do punë, ti do vetëm të marrësh një rrogë, madje dhe ca bishta bashkë me rrogën s'do ishin keq. Po si s'të dëgjova një herë të flasësh me qejf për ndonjë nga punët që ke bërë në jetën tënde! Unë për vete vështirë të të punësoja në biznesin tim.
- Ti që kërkon vetëm punë shteti, s'më je kandidat i fortë, se s'ma ka qejfi të bëj sekserin me të korruptuarit e partive.
- Ti që kërkon punë, ama je selektiv në telefonatat që pranon t'u përgjigjesh, që i sheh me dyshim numrat e panjohur që të marrin (e që bën vaki të të marrin lidhur me një njoftim a aplikim pune që ke bërë), që bën më shumë pyetje sesa punëdhënësi yt potencial në lidhje me përfitimet nga një punë që as e di nëse e bën dot mirë apo jo. Aty uroj të rrish, në pritje.
- Ti që pret të gjesh gjë veç me miq e të njohur, se medemek vetëm ashtu behen gjërat këtu, rri prit mikun duke bërë viktimën. Mos shko të kapësh për krahu, për xhakete a për telefoni apo emaili dikë që e di se mund të ketë nevojë për punë.
- Ti që je aq i kualifikuar saqë ai punëdhënësi potencial s'do ketë shans ta kuptojë, rri e prit. Do vijë dita jote. Merr ndërkohë një kredi të vogël që ta marrësh edhe një certifikatë tjetër trajnimi për atë ditë. Ç'të duhet ty ç'bën bota? Kualifikimet e tua janë ohuuu, ku e ku me ne injorantët ketu.
- Ti që s'bën çap të punosh sa të rregullohen keto kushte mizerabël në këtë vend pa mundësi, mos më kërko të të ndihmoj të jetosh a të argëtohesh me pagesat që unë marr për punë të treta a të katërta që bëj ndërkohë që ti lodhesh duke u ankuar që s'vlerësohesh.
- Ti që nuk di ç'është korrektesa, ç'është komunikimi, ç'është ndershmëria e përkushtimi në punë apo që të duket vetja tepër i zgjuar për të punuar sa një budalla apo budallaçkë si unë, kurrë mos e gjetsh një pune.
- Ti që po i lexon këto më sipër, ku hyn? Tek ata që punojnë apo tek ata që hanë? Nëse s'të pëlqejnë 9 përshkrimet më sipër, aha, nuk të paska rënë të ushqesh ca vetë me punën tënde e, me shpresë, as nuk i ke rënë njeriu më qafë. Ti mor djalë/vajzë duhet të jesh kategori tjetër që kur të të njoh , mbase do të te dedikoj ca kohë./ Dritare.net